Një 22-vjeçare në Spanjë është pushuar nga puna për shkak se paraqitej çdo ditë rreth 40 minuta para nisjes zyrtare të turnit, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme nga kompania që kjo praktikë të ndalej.
Sipas dokumenteve gjyqësore, kontrata e saj përcaktonte fillimin e punës në orën 07:30, ndërsa punonjësja mbërrinte vazhdimisht midis 06:45–07:00, shkruan The Sun.
Ajo ishte paralajmëruar disa herë, si me gojë ashtu edhe me shkrim, të respektonte orarin, por e vijoi sjelljen për 19 ditë të tjera radhazi.
Punëdhënësi argumentoi se ardhjet e saj të parakohshme nuk konsideroheshin punë reale, pasi në atë orar nuk kishte detyra operative dhe ajo madje regjistrohej në aplikacionin e kompanisë para se të ishte fizikisht në zyrë. Kompania e cilësoi këtë si shkelje të besnikërisë dhe mosbindje ndaj rregullave të brendshme.
22-vjeçarja e kundërshtoi pushimin dhe çështja shkoi në Gjykatën Sociale të Alicante-s, e cila vendosi në favor të punëdhënësit. Sipas gjykatës, problemi nuk ishte “tepër-përpikmëria”, por refuzimi i vazhdueshëm për t’iu bindur rregullave, çka përbën shkelje të rëndë sipas Nenit 54 të Statutit të Punëtorëve në Spanjë.
Vendimi ka ngjallur diskutime, pasi rasti është i rrallë: zakonisht punonjësit penalizohen për vonesë, jo për ardhje para kohe, por gjykata konkludoi se rregullat e kompanisë janë detyrim ligjor që punonjësi duhet t’i zbatojë.
Komente




