MADRID, 2 shkurt /ATSH-AFP/ - Ministrit spanjoll i Buxhetit, Cristobal Montoru u shpreh shumë kundër idesë për ndryshimin e rregullave të Bashkimit Evropian për t'iu përgjigjur kërkesave të Greqisë duke nënvizuar se Spanja i kishte respektuar.
"Hyrja në Evropë është e vullnetshme dhe ne i përkasim këtij grupi për të respektuar rregullat e grupit sepse është në interes të të gjithëve ne", theksoi ministri i qeverisë konservatore të Mariano Rajoy, në një intervistë për stacionin televiziv publik TVE.
"Evropa nuk është Komisioni Evropian që e krijoi, as Banka Qendrore Evropiane, Evropa jemi ne, vendet që e krijuam, jemi ne që kemi vendosur rregullat", theksoi ministri në përgjigje të një pyetjeje mbi vullnetin e qeverisë së re greke të Alexis Tsipras për të arritur një rishikim të politikës së Evropës përballë Greqisë, përfshirë këtu borxhin.
"Nuk është e mundur që ne t'i përgjigjemi ndryshimeve politike të brendshme në vendet me rregulla të reja, ndryshe grupi do të shpërbëhej", shtoi ai.
Gazetarit të TVE-së, i cili e pyeti nëse Greqia duhet të respektonte angazhimet dhe të zbatonte reformat, ai iu përgjigj thjesht: "Sigurisht që po, ashtu si kemi bërë të gjithë ne".
"Është e lehtë për të ardhur në qeveri dhe të thuash "do të rris shpenzimet, sigurisht kështu do të donin të gjithë të qeverisin. Por çështja është, ku dalin këto para? Grekët? Pjesa tjetër e evropianëve apo pjesa tjetër e botës? Kush do t'i japë këto para? Kjo është e gjithë çështja", u shpreh ai me keqardhje.
"Pas gjashtë viteve në një krize të thellë që shkaktoi rritje të papunësisë, që u regjistrua me 23,7 për qind në fund të muajit dhjetor, Spanja u rikthye me një rritje në vitin 2014 dhe rifilloi krijimin e vendeve të reja të punës", nënvizoi Cristobal Montoro./
/ec/







