Spastrimi politik në Shqipëri dhe 'kalenda greke' e Lulzim Bashës

Spastrimi politik në Shqipëri dhe 'kalenda greke' e Lulzim Bashës

Kreu i PD-së Lulzim Basha

Ka një kohë për gjithçka!

Kjo shprehje duket se po zë vend duke iu adaptuar situatës politike që po kalon “Shqipëria e lodhur” nga tranzicioni i stërzgjatur. Pati një kohë për zullmqarët. Po, sigurisht pati një kohë kur u përmbys bursa e vlerave dhe nga kurrikulat shkollore u hoqën tekstet e mirëfillta të specialistëve, për tu zëvendësuar me rrumpallhane që u mësojnë nxënësve asgjë tjetër veç tallavasë.

Pati një kohë kur prona private u masakrua. Kur pronarët më kot shpresuan tek demokracia dhe vlerat e saj, tek konkurrenca dhe ekonomia funksionale, tek drejtësia dhe kapitali njerëzor.

Jo, jo , asgjë nga këto.

Demokracia – një flluskë sapuni që nuk ndreqi asgjë me vlerë, që të krijonte qëndrueshmërinë për një shtresë të mesme elitare, themelet e së cilës nuk u hapën kurrë!

Më kot u prit “deri në kalendat greke”.

Kjo shprehje romake që nënkupton vonimin e diçkaje që nuk duhet të ndodhë, personifikoi vullnetin politik në këto dekada, në përpjestim të zhdrejtë me dëshirën dhe aspiratën e shqiptarëve për të standartizuar jetesën përmes një ekonomie funksionale.

Kishte një kohë kur “ligjin e bënte maliqi”. Kur afarist bëheshe kur hiqje qafe rivalët, e kur tenderimet i përfitonin “bossat” e lidhur me pushtetin.

Kishte një kohë kur pushteti drejtohej nga oligarkët në shërbim të pasurimit të tyre.

Por ka një kohë për gjithçka!

Kjo nuk është thjesht ngushëlluese, por edhe determinuese.

Çfarë po ndodh sot?

Të paprekshmit e përjetshëm të politikës po dorëhiqen në kulmin e “shkëlqimt”, ndërsa të lavdishmit e pushtetshëm, po konvertohen në armiq të aleatëve strategjik.

Kush vallë e kish menduar apo përfytyruar se “Odoni politik” do të shndërrohej një ditë si asnjëherë më parë, në “mazoleum”?

Të paktën në 30 vite tranzicion askujt nuk ia priti mendja.

Por a ka një kohë për gjithçka, apo se Karma nuk harron!?

Spastrimi politik ka nisur, e mes këtij proçesi që u përfytyrua i vështirë, po dëshmohet se asgjë nuk ka të pamundur përpos qëllimit dhe vullnetit.

Teksa me të mirë a me të keq po diktohet “spastrim” në kampet politike, e djathta gjendet mes një cikloni pa bosht që nëse nuk kontrollohet përmes principeve, do të marrë para çfarë të gjejë, drejt shkatërrimit ekonomiko-social.

Mungesa e rregullave minimale demokratike në radhët e saj, dëshmon se entiteti politik nuk e ka një dekalog as një manifest, apo thjesht një qarkore që lidh palët drejt kompromisit përkundrajt qëllimit. Duket se qëllimet janë të ndryshme dhe për rrjedhojë edhe standartet e normuara po të tilla.

Shfaqur larg syve të optimizmit për të besuar në një alternativë adeguate që përvijon nevojën e themelimit të së djathtës reale dhe të qëndrueshme, Partia Demokratike, jo më larg se dje dëshmoi sërisht mungesën e standarteve dhe kohezionit.

Pjesëmarrje e ulët për votimin e kryetarit të ri, dhe parregullsi të shumta shoqëruan proçesin që do të duhej në fakt, të ishte shembulli më i mirë për atë që presupozohet të sjellë kjo parti, të paktën në opozitë.

“Deri në kalendat greke”, ajo që u mohua të ndodhë, synon të përsëritë edhe po të vijë në pushtet, këtë lloj standardi, aspak të denjë për një forcë të djathtë.

Populli voton, rëndësi ka kush numëron.

Disa nga parregullsitë e raportuara si anëtarësia e fshehur, pezullimi të drejtës së votës për shumë funksionarë të partisë, largimi dhe intimidimi përfaqësuesve zgjedhorë të rivalëve të kryetarit në detyrë, shfaqën mungesën e vullnetit për të aplikuar standardet.

Rizgjedhja nga një proçes i deformuar, për herë të tretë në mënyrë të sforcuar për ta shpall me maksimum të votave kryetarin e vjetër, është një reminishencë totalitare.

Por në të tilla kushte, pak rëndësi ka kush fiton, e vërteta e hidhur është se asnjëherë nuk do mundet të krijojë zgjerim, besueshmëri e alternativë, një nomeklaturë e tillë totalitariste, që personifikon të djathtën shqiptare deri më tani.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

'Korrupsioni, pesticidi më i rrezikshëm i ekonomisë', Tabaku reagon për bllokimin e mandarinave: Njollë e keqe sigurinë ushqimore në vend

'Korrupsioni, pesticidi më i rrezikshëm i ekonomisë', Tabaku reagon për bllokimin e mandarinave: Njollë e keqe sigurinë ushqimore në vend