Speciale/ 20 vjet nga sulmet e 11 shtatorit në SHBA! Ngjarja që ndryshoi botën, por që ende e rrethojnë pikëpyetjet dhe dilemat

Speciale/ 20 vjet nga sulmet e 11 shtatorit në SHBA! Ngjarja që ndryshoi botën, por që ende e rrethojnë pikëpyetjet dhe dilemat

Foto nga sulmi i 11 shtatorit në SHBA

E marta, 11 shtator, 2001, filloi si një ditë normale në New York City dhe Washington DC, me një diell që shndrinte fuqishëm dhe qiell të pastër. Me po të njëjtët njerëz që nxitonin të shkonin në punë, me po të njëjtën zhurmë dhe trafik që karakterizon qytetet e mëdha, të pavetëdijshëm për rrezikun me të cilin do të përballeshin dhe që për shumë prej tyre mund të ishte dita e fundit e jetës. 

Deri në fund të ditës, bota kishte ndryshuar plotësisht. Shtetet e Bashkuara do të pësonin sulmin më të rëndë terrorist në historinë e vendit dhe gati 3,000 njerëz kishin vdekur, duke i dhënë historisë një trajektore krejtësisht të ndryshme dhe më të dhunshme.

Në orën 8:46 të mëngjesit, një aeroplan i American Airlines goditi Kullën Veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë. Në bord gjendeshin 76 pasagjerë dhe 11 anëtarë të ekuipazhit, të gjithë humbën jetën në çast dhe qoftë për disa minuta shumë besuan se ai ishte vetëm një aksident.

Në orën 9:03 të mëngjesit, një aeroplan i dytë goditi Kullën Jugore dhe në këtë kohë ta quaje rastësi do të ishte e tepërt.

Një sulm terrorist sapo kishte goditur Amerikën, i kryer nga ekstremistët e Al-Kaedës të cilët kishin rrëmbyer disa aeroplanë dhe po i përdornin ato si raketa.

Në orën 9:59 të mëngjesit, pas djegies për 56 minuta, Kulla e Jugut u shemb. Në orën 10:28 të mëngjesit, Kulla e Veriut po ashtu.

Ndërsa kullat ranë, një re e madhe pluhuri dhe hiri mbuloi rrugët përreth, duke bërë që këmbësorët të largoheshin të tmerruar. Mbeturinat nga Kulla Veriore ranë mbi ndërtesat afër  Qendrës Botërore të Tregtisë, duke shkaktuar që njëri prej tyre të merrte flakë dhe të shembej përfundimisht. Në total, 2,753 njerëz vdiqën në sulmet e qytetit të New Yorkut.....

Ndërkohë që për ata të cilët i shpëtuan sulmeve, ajo ditë është thjesht e paharrueshme....

Bruno Dellinger, një biznesmen francez, zyra e të cilit ndodhej në katin e 47-të të Kullës së Veriut rrëfen se atë mëngjes kishte mbërritur herët në zyrë.

“Ne jetonim në qiell në Qendrën Botërore të Tregtisë, në një heshtje të jashtëzakonshme, ndryshe nga pjesa tjetër e qytetit. Po meditoja duke parë horizontin. Gradualisht, dy nga punonjësit e mi erdhën, pastaj kontrollova e-mailet, kur papritmas dëgjova zhurmë, zhurma e motorëve të avionëve, një zhurmë e padëgjuar, ishte e pakuptueshme. Pastaj, ndjeva lëvizje ne fasadën ku ishte zyra ime, rreth njëzet kate më lart. Unë përjetova goditjet e para nga fasadat e shembura, ndërtesa që lëkundej në një mënyrë shumë shqetësuese. Zgjati shumë gjatë, dy, tre minuta”, tregon ai.

Pa e ditur çfarë ndodhte, Bruno Dellinger mendoi se është një avion, duke kujtuar se edhe më parë një avion kishte goditur aksidentalisht ndërtesën Empire State.

“Kalova një grup njerëzish që po merrnin shkallë të ndryshme nga ajo që mora unë, ata vdiqën. Dola pas një zbritjeje që zgjati 50 minuta, shumë e komplikuar në një nxehtësi të tmerrshme. Unë duhet të kisha vdekur mbi 50 herë gjatë asaj dite. Nëse do të isha larguar dhjetë sekonda më vonë, me të vërtetë do të vdisja. Brenda pak çasteve, gjithçka u bë më e zezë se nata dhe nuk kishte zhurma. Përballë asaj çka po ndodhte, trupi im mendoi se kishte vdekur. Të gjitha këta elemente: zhurma, dritat, frymëmarrja, janë gjëra që ne nuk i mësojmë, ne i dimë që nga lindja. Por kur ato sfidohen nga forca e ngjarjeve, trupi, mendja nuk i kupton më”, thotë ai.

Në orën 9:37 të mëngjesit, një aeroplan i tretë goditi murin perëndimor të Pentagonit në Arlington, Virginia, pranë Uashingtonit, DC. Të 64 personat në aeroplan u vranë, së bashku me 125 persona në ndërtesë.

Përplasja bëri që një pjesë e ndërtesës të shembej dhe filloi një zjarr që u deshën disa ditë për ta shuar. Shumë nga të mbijetuarit në ndërtesë u dogjën në gradë të rëndë.

Një aeroplan i katërt, United Airlines Flight 93, pati një fat ndryshe. Sipas Raportit të Komisionit të 11 Shtatorit të lëshuar vite më vonë, pasagjerët arritën të kapërcenin rrëmbyesit në këtë aeroplan dhe i ndaluan ata të arrinin objektivin e tyre. Hetuesit besojnë se në një pikë të caktuar pasi katër terroristë morën kontrollin e Fluturimit 93, disa nga pasagjerët e aeroplanit mësuan për sulmet në Kullat Binjake dhe Pentagonin. Duke dyshuar se rrëmbimi që ata po përjetonin ishte pjesë e të njëjtit komplot, një grup civilësh trima sulmuan ‘ekuipazhin’ terrorist.

Ajo që ndodhi më pas nuk është saktësisht e qartë, por regjistrimet e zërit tregojnë se ka pasur një përleshje të dhunshme mes udhëtarëve dhe terroristëve. Menjëherë pas konfrontimit, avioni u rrëzua në një fushë pranë Shanksville, Pensilvani në orën 10:03 të mëngjesit. Të 44 personat në bord u vranë. Në total, sulmet e 11 shtatorit vranë 2,977 persona, palgosën mijëra dhe ndryshuan totalisht botën.

Mijëra vullnetarë dhe punonjës të shpëtimit shoshitën rrënojat e Qendrës Botërore të Tregtisë, të njohur atëherë si Ground Zero në kërkim të të mbijetuarve,  për të nxjerrë trupat dhe për të pastruar rrënojat.

Përpjekja zgjati deri më 30 maj 2002, kur u hoq edhe copa e fundit e çelikut. Shumë nga ata që punuan në procesin e pastrimit vuajtën më vonë nga sëmundje të ndryshme, përfshirë kancer, pasi kishin thithur pluhurin toksik. Besohet se më shumë se 2,000 personat e parë që kanë punuar në atë zonë kanë vdekur nga kanceri dhe që ka lidhje pikërisht me punën e tyre aty.

Politikisht dhe psikologjikisht 11 shtatori i dërgoi Shtetet e Bashkuara në një periudhë pasigurie e ankthi. Megjithatë një situatë e tillë bëri që një pjesë e madhe e shteteve aleate të renditen në krah të SHBA -ve dhe një pjesë e madhe e publikut amerikan pas Presidentit George W Bush. Në fund të shtatorit, vlerësimi për Bush u rrit në 90 përqind, më i larti i regjistruar për çdo president në historinë e SHBA-ve.

Për shumë amerikanë, 11 shtatori nxiti një dëshirë të madhe për ndëshkim. Administrata e Bush do ta përdorte 11 Shtatorin si justifikim për luftërat e reja në Afganistan, ku ishte vendosur Al-Kaeda dhe Irakun, i cili nuk kishte asnjë lidhje me sulmet. Njëzet vjet më vonë, bota ende po përballet me pasojat e asaj dite.

Sulmet e 11 Shtatorit 2001 kundër Shteteve të Bashkuara shkaktuan një seri ngjarjesh që do ta bënin Uashingtonin në vetëm një muaj të fillonte luftën më të gjatë në historinë e vendit.

Njëzet vjet më vonë, SHBA do të shënojë përvjetorin e sulmeve më pak se dy javë pasi do të bëhen pak më shumë se dy javë nga tërheqja e forcave aleate nga vendi tani i kontrolluar nga talebanët. Konflikti 20-vjeçar la rreth 69,000 forca afgane të sigurisë dhe të paktën 51,000 civilë afganë të vdekur . Rreth 2,500 anëtarë të ushtrisë amerikane dhe 1,144 anëtarë të ushtrisë aleate të NATO-s vdiqën gjatë luftimeve.

Por çfarë ndodhi pas 11 Shtatorit ? Si u përfshi Amerika në luftën më të gjatë në historinë e vendit dhe jo vetëm aq…..

/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Në Afrikë dhurojnë miell dhe vaj, FSHF 'lë thatë' fituesin e Superkupës së Shqipërisë

Në Afrikë dhurojnë miell dhe vaj, FSHF 'lë thatë' fituesin e Superkupës së Shqipërisë