SPECIALE/ Burgjet pa mjekë dhe me ilaçe të skaduara! I dënuari për Report Tv: Kishte vetëm aspirinë, ushqimi skandal, flinim në tokë! Izolim total nëse s'korruptoje shefin e policisë (VIDEO)

TIRANË- Pandemia e COVID-19 ka goditur edhe Institucionet e Ekzekutimeve të Veprave Penale. Në ambientet e paraburgimit dhe burgjeve nuk përmbushet numri i mjekëve që duhet të jenë të punësuar. Përveç problematikave të shumta, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar në magazinën e medikamenteve, ilaçe të skaduara dhe kancerogjene që në vitin 2019.
"Në magazinën e medikamenteve, u konstatuan medikamente të skaduara që në vitin 2019, por që në inventarizimin e bërë në fund të po këtij vit, nuk rezultojnë të jenë identifikuar dhe deklaruar si të skaduara", thuhet në raportin e KLSH.
Ish-i burgosuri: Atje abuzojnë shumë
Ish kreu i AKBPM, Besnik Jakaj: Është në shkelje të ligjit nëse i jepet një qytetari një bar i skaduar.
Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca: Ne kemi verifikuar dhe marrë ankesa të cilat kanë të bëjmë me kushtet e shërbimit shëndetësor
Ish- i burgosuri: Asnjëherë nuk merret shërbimi në kohën e duhur
Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Erida Skënderi: Mungesa e stafit shëndetësor, e bëri të pamundur menaxhimin në kushtet e një normaliteti.
Ish-i burgosuri: Mjekë nuk ka fare, vetëm infermiere që të sjellin aspirinë dhe asgjë tjetër.

Pandemia e COVID-19 goditi edhe sistemin shëndetësor në burgje
Sot janë vetëm 32 mjekë nga 48 që janë parashikuar të mbikëqyrin rreth 5200 të burgosur dhe të paraburgosur në 23 institucionet ekzekutimeve të veprave penale. Avokati i Popullit ka verifikuar dhe ka marrë ankesa të cilat kanë të bëjmë me kushtet e shërbimit shëndetësor, cilësinë e këtij shërbimi që ofrohet në përgjithësi, me stafin mjekësor që është në mungesë në shumë burgje dhe ka vijuar edhe gjatë pandemisë, për shkaqe tërësisht strukturore për të cilat kanë adresuar edhe problematika. 

 “Shkaqet se pse nuk ka mjekë në një numër të madh të burgjeve, mendoj se pagat e mjekëve në këto institucione janë të pafavorshme dhe prandaj s'kanë iniciativë, mjeku do të ketë një specializim të caktuar që bën vizitat parësore dhe më pas jep rekomandime”- u shpreh Erinda Ballanca, Avokati i Popullit.

Bluzat e bardha luajnë rol të rëndësishëm jo vetëm në mbikëqyrjen e shëndetit të të burgosurve por edhe për sigurinë e jetës së tyre. Mungesa e mjekëve ka vënë në pikëpyetje edhe ngjarje me pasojë vdekjen e të dënuarve brenda ambienteve të institucionit përkatës. Një prej tyre ka ndodhur në burgun e Peqinit në vitin 2020. I dënuari me burgim të përjetshëm Andon Mëhillaj, anëtari i bandës të Juljan Sinanaj ndërroi jetë. Familjarët pretenduan se ai kishte problem shëndetësore të cilat u anashkaluan pasi mjekët ishin shkarkuar dhe nuk ishin zëvendësuar. Jo vetëm mungesa por edhe prania e përfaqësueseve të sistemit shëndetësor ka ndikuar në lehtësimin e dënimit apo lirimin e një të dënuari. Sabrina Bengaj, nga fshatin Zhupan i Fierit, u vra nga bashkëshorti Elton Meta pasi ky i fundit u lirua nga gjykata edhe pse e kishte kërcënuar me armë Sabrinën dhe kishte marrë peng familjen e saj.

Gjykata iu referua ekzaminimeve mjeko ligjore të cilat rekomanduan shtrim të detyrueshëm në spital në mjekim ambulator nën kujdesin e babait. Liria e Elton Metës i mori jetën 23-vjeçares dhe sot ndaj tre mjekëve psikiatër kanë nisur hetimet.  Përballja e mjekëve me të tilla situata nuk është shkaku i vetëm që sot ka mungesa në burgje. Komiteti Shqiptar i Helsinkit përforcon konstatimet e Avokatit të Popullit.

“Një problem tjetër ishte mungesa e stafit shëndetësor, e bëri të pamundur menaxhimin në kushtet e një normaliteti. Ne vumë re që stafe shëndetësore ishin tepër të mbingarkuar, pasi duhet të menaxhonin shëndetin e të burgosurve dhe të kishin vëmendje më të shtuar për ruajtën nga COVID. Kjo solli mbingarkesë për stafin dhe kjo ndikon nevojën për stafin. Dihet që shumë pak interes ka për personelin shëndetësor të kualifikuar për të shkuar dhe për të punuar në burgje. Jo vetëm për shkak të rrogës, e cila nuk është inkurajuese, por edhe për largësinë nga vendbanimet”, shprehet Erida Skënderi e KSHH.

Kontrolli i Latë i Shtetit ka konstatuar si një situatë kaotike në lidhje me emërimet në administratën e burgjeve. Sipas raportit, me gjithë përpjekjet, nuk është arritur që të plotësohen 220 vende vakante në administratën e burgjeve.

“Kështu, mosplotësimi i vakancave të vendeve të punës për 220 pozicione, në nivele civile, në nivele drejtuese dhe inspektorë të policisë pranë IEVP-ve, janë për shkak të mospërshtatshmërisë së punonjësve të ardhur nga Policia e Shtetit në sistemin e burgjeve, të vendit të punës larg vendbanimit, të verifikimit të gjendjes gjyqësore me probleme, të kriterit të moshës, të kriterit të testimit fizik, ose të masave disiplinore të mëparshme”, thuhet në raportin e KLSH.

Ish-i dënuari i intervistuar nga Report Tv ngre edhe problemin e mungesës së psikologut.

 “Doktori një herë në javë edhe po erdhi. I bëjmë fleta 10 herë që shkruhen atje, por doktori thotë jo s’ka ardhur, jo është në punë. Ndërsa psikolog s’ka pas asnjëherë, vetëm educator që bënte vetëm letrat e takimeve dhe takime nuk kishte se ishin me Skype nga COVID-19. Vetëm fletushkat e takimeve për Skype, këto bënte edukatori, ose ndonjë ankesë ndonjë gjë të vogël. Psikologë nuk ka pasur fare, fare”- thotë ish i dënuari.

Përfaqësuesja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit Erida Skëndëri nxjerr në pah edhe ankesa të tjera.

“Duhet parë me kujdes numri i personelit psikiatër/psikolog. Ministria e shëndetësisë duhet të shohë efektet e pandemisë në burgje në pikëpamje psikoemocionale. Pasi po vëmë re që shumë ankesa justifikohen apo kthehen përgjigje duke thënë se personat kanë probleme mendore. Izolimi i këtyre shtetasve dhe veçimi i tyre nuk do ti shërbejë riedukimit dhe rehabilitimit të këtyre shtetasve. Nëse këto konflikte shkaktohen nga probleme të shëndetit mendor ato të trajtohen me terapi të veçanta, por jo nën regjim disiplinor”, thotë Skënderi.

Për Avokatin e Popullit, Erinda Ballanca pandemia pati më shumë ndikim negative në jetën dhe shëndetin mendor të njerëzve që kryejnë dënimin.

“Pandemia ka qenë dramatike edhe për njerëzit që ishin jashtë, mendoni se sa ka ndikuar ana psikologjike dhe cilësia e jetës të personave që kanë qenë të mbyllur në mënyrë të vazhdueshme nga burg”, shprehet Ballanca.

Por për Kontrollin e Lartë të Shtetit problem është furnizimi me ilaçe të skaduara.Pas auditimit në institucionet e ekzekutimit të veprave penale është konstatuar se në depot farmaceutike të burgjeve ka medikamente të skaduara dhe që përmbajnë elementë kancerogjenë. Për ish-drejtorin e kontrollit të barnave, Besnik Jakaj është përgjegjësi e Agjencisë së Barnave që të kryejë kontrollin medikamenteve.

 “Askush nuk duhet të përdorë një bar të skaduar. Eshtë e dënueshme dhe e ndaluar të përdoren barna të skaduara. Barnat në bazë të ligjit, në depo apo farmaci, të hapura apo të mbyllura duhet të deklarohet te Agjencia e Barnave, e cila bashkë me tatimet dhe agjencinë e mjedisit bën eliminimin e barnave të skaduara, pasi përbëjnë rrezik nëse hidhen në natyrë dhe asgjësohen sipas një protokolli”, thotë Jakaj për Report Tv.

Por të kundërtën pretendon Agjencia Kombetare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore. Mbi kontrollin e farmacive në ambientet e paraburgimit dhe burgimit. Përgjigjen e morëm pas kërkesës elektronike për informacion.

 “Në zbatim të ligjit Nr.105/2014 “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik” të ndryshuar, Agjencia nuk ka në tagrin e saj kontrollimin e farmacive të institucioneve të vuajtjes së dënimit.”- shkruan AKBPM.

Ish-drejtuesi i këtij institucioni, Besnik Jakaj e hedh poshtë këtë përgjigje të AKBPM.

“Është përgjegjësi e Agjencisë së barnave që të kontrollojnë të gjitha barnat që qarkullojnë në territorin e Shqipërisë, në farmaci private apo shtetërore, në drejtorinë e burgjeve, në spitale private, apo shtetërore. Kudo që barnat mbahen, kontrollohen nga agjencia e barnave. Gjithçka që ka të bëjë me transportin, importin, eksportin dhe depozitimin e barnave është përgjegjësi e agjencisë së barnave për të ushtruar kontroll”, shprehet ai. 


Informacionin e kërkuam edhe nga Ministria e Drejtësisë. Nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim u vumë në dijeni se, “Nga ana e Ministrisë së Drejtësisë është ngritur grupi i punës i cili po vazhdon ndjekjen e rekomandimeve që KLSH ka lënë në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.”

Ndërsa Drejtoria e Burgjeve nuk ka i ka kthyer ende përgjigje kërkesës sonë për informacion. Këto janë vetëm disa nga gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Raporti i siguruar përfshin periudhën janar 2019 deri në dhjetor 2020. Audituesit kanë konstatuar se  depoja farmaceutike e burgjeve është jashtë standardeve, në të janë gjetur medikamente të skaduara madje edhe të rrezikshme.

 “Nga shqyrtimi i medikamenteve të skaduara në vitin 2019 dhe 2020 në depon farmaceutike të DPB-së, konstatohet se 4 medikamente për vitin 2019 (2 lloje Buscolamine, Prulan, Tetalgam) dhe 9 medikamente për vitin 2020 (Acid folic, Adrenaline, Buscolamine, Durilak, Nacl 0.9%, Haloperidol, Ranitidine, 2 lloje Luminal) janë marrë në dorëzim në kundërshtim me kushtet e kontratës, me afat skadence më të vogël se 1.5 vite dhe si rrjedhojë e këtij fakti kanë skaduar në depon farmaceutike të DPB-së”, shkruhet në Raportin e KLSH.


Ish-i dënuari që ka qëndruar më pak se një vit në një prej institucioneve të vuajtjes së dënimit, nuk di të thotë nëse ka qenë apo jo të skaduara ilaçet pasi për të problem më i madh ka qenë mungesa e tyre.

 “Të gjithim kishim nevojë për ilaçe por na kanë dhënë vetëm aspirinë ose maksimumi paracetamol. As për dhimbje dhëmballe, as për një gjë.”, thotë ish-i dënuari.

Ankesat janë depozituar edhe në Komitetin Shqiptar të Helsinkit.

“Për pjesën e shërbimit shëndetësor kemi pasur ankesa pasi këta shtetas nuk kanë pasur mundësi të marrin shërbim mjekësor në publik apo privat, pasi u vendos kufizimi i karantinës. Për personat që kanë diagnoza që kërkojnë trajtim tëvecantë, ka shumë prej tyre që marrin ilaçe nga familjet, pasi kërkojnë cilësi më të mirë. Ne nuk kemi vërejtur mangësi, por kemi pasur edhe ankesa, ku të dënuarit ankohen se për pagjumësinë të dhimbjes së kokës, farmacitë nuk janë shumë të pasura, kanë paracetamol, aspirinë dhe ndonjë medikament tjetër”, shprehet Erida Skënderi.

Avokati i Popullit do të listojë në raportet e saj edhe kontrollet ndaj medikamenteve që furnizohen burgjet.

“Ne nxjerrim raport çdo muaj, në gjetje që kemi nga KLSH apo nga çdo lloj burimi do jetë objekt i punës sonë, nëse do ketë një problematik i asaj çështje, do jetë pjesë e punës sonë dhe natyra e ilaçeve në burg, pjesa më e madhe e ilaçeve atyre iu vjen nga familja, është një numër i vogël që u jepet nga stafi dhe ne kemi pasur një problem me skemën e rimburismit të ilaçeve dhe ka qenë pjesë e raportit, do e verifikojmë dhe do jetë në raportin e çdo inspektimi në burg”, thotë Erinda Ballanca për Report Tv.

Nga momenti që dikush kalon pragun e paraburgimit, janë taksapaguesit shqiptarë që duhet të kujdesen për ta. Rreth 2 mijë lekë në ditë është kostoja e çdonjërit nga 5100 të dënuarve në institucionet e ekzekutimit të vuajtjes së dënimit, ndërkohë që kapacitetet janë për 5367 persona.

Gazetari: Sa veta ishit në qeli?
Ish-i burgosuri: 3 veta ishim, si rregull duhet të ishim dy, por njëri flinte përtokë.
Gazetari: Si menaxhohej kjo situatë?
Ish- i burgosuri : Shtron dyshek, ngri dyshekë. As dyshek jo, sfungjer ishte. Se dysheku nuk ekziston.
Gazetari i: Çfarë pajisjesh keni pasur në qeli dhe çfarë pajisjesh ju mungonin?
Ish - i burgosuri : Nga burgu vetëm sfungjeri dhe asgjë tjetër.
Gazetari: A ishit të kënaqur me trajtimin ushqimor?
Ish - i burgosuri: Fare 
Gazetari: Pse jo?
Ish - i burgosuri: Kishte vetëm supë, 24 orë vetëm supë ose makarona ose pilaf
Gazetari: Sa shpesh i frekuentoni ambientet e edukimit dhe të argëtimit?
Ish - i burgosuri: Asnjëherë
Gazetari: Nuk ka pasur ambiente të tilla?
Ish - i burgosuri: Fare, vetëm ajrimi
Gazetari: Sa gjatë qëndronit në ajrim?
Ish - i burgosuri: Një orë në ditë, ose dy orë paradite në kohën e dimrit, në behar edhe një orë pasdite  3 orë.
Gazetari: A merrnit ushqime dhe veshmbathje prej familjarëve?
Ish - i burgosuri: Po këto na sillnin
Gazetari: Sa shpesh ju lejohej?
Ish - i burgosuri: 4 herë në muaj lejohet”

Reduktimi i takimeve me familjarët në burgje 
“Gazetari: Zhvilloni takime me familjarët?
Ish - i burgosuri : Nga pjesa e COVID jo
Gazetari: Gjatë COVID nuk lejohej asnjë takim
Ish - i burgosuri : Jo fare, madje tani e kanë hapur, pasi kamë dalë unë jam hapur
Gazetari: Sa kohe ke qëndruar aty nuk ke pasur asnjë takim?
Ish - i burgosuri : Asnjë takim, jo, jo vetëm unë por asnjë.”

“Ne e kemi trajtuar në vijimësi, sot që flasim lejohet vetëm një takim në muaj dhe takimet e tjera janë nëpërmjet Skype, 3 herë në muaj, por gjithsesi koha e takimeve në Skype dhe cilësua e tyre kanë qenë jo adekuate për shkak të numrit të pakët të kompjuterëve, popullatë shumë e madhe që duhet të bënin takim vetëm me 3 kompjuterë”, thotë Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca. 

“Nga pikëpamja statistikore mund të themi që gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti janë marrë 120 ankesa dhe kryesisht tipologjia e ankesave të tyre ka ngjashmëri në objekt në disa raste. Rreth 10% e ankesave kanë të bëjnë me pjesën e transferimit ose mos-transferimit nga një institucion në një institucion tjetër. Në ankesat e tyre për çështjet e transferimit kërkojnë të gjenden në institucione që janë vendbanimit të familjarëve për të patur kontakt me familjarët”, shprehet Erida Skënderi. 


Korrupsioni në IEVP 
Gazetari
: A keni hasur zyrtarë të korruptuar dhe nëse po në çfarë rasti?
Ish-i burgosuri : Shefi i policisë ka shumë në dorë, një bakshish jashtë mund të lejonte që të lëvizje lirshëm në ajrim, të vije për kafe te dhoma tjetër. Por mos të lije, nuk kishte kafe në dhomat e tjera. Ishe i izoluar.
Gazetari: Kjo ishte mënyra e korrupsionit që funksiononte aty?
Ish - i burgosuri : Po kjo është

“Por njëkohësisht kjo nevojitet edhe për të dhënë mesazhe për ankesa të caktuara të cilat shtetasit mendojnë që transferimi është një privilegj që paguhet për shkak të akteve korruptive që mund të ketë te personeli në sistemin e burgjeve. Një numër ankesash ka ardhur edhe për dhunë fizike apo psikologjike që mund të vijë edhe nga personat që janë të privuar nga liria që ndajnë të njëjtën qeli apo ambiente të përbashkëta, por në raste të caktuara edhe nga personeli. Po ka qenë shumë e vështirë për ne për të provuar rastet e dhunës pasi jo në të gjitha rastet në dosjet mjekësore kemi parë të jenë evidentuar pretendimet e personave”, thotë kryetarja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit. 


Sot Shqipëria renditet ndër vendet me numrin më të lartë të të burgosurve për 100 mijë banorë në Evropë. Sipas statistikave, publikuara më herët nga Këshilli i Europës, janë plot 178 të burgosur për 100 mijë banorë në Shqipëri, një shifër kjo më e lartë se sa mesatarja europiane, e cila nuk e kalon nivelin e 124 të burgosurve për 100 mijë banorë.

Pavarësisht lajmit të mirë të mbylljes së të ashtuquajturit burgu ferr i Zaharisë në Krujë për shkak të mungesës së theksuar të kushteve dhe trajtimit , Shqipëria sot ende nuk e ka një institucion që t’i përgjigjet vendimeve të gjykatave për personat që kryejnë vepra penale dhe rezultojnë të papërgjegjshëm para ligjit.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Hahaha: 16/12/2021 03:30

    Lot pz dhe pak e kane aspirinen pse e bene veten per burg

    Përgjigju
    • Libo: 16/12/2021 12:13

      E bejn veten per arsye te ndryshme turp kush mendon keshtu!!!!

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë