HAS- Gatimin e flisë më të madhe në trojet shqiptare e kanë marrë përsipër jo gratë siç ndodh rëndom, por dy burra nga fshati Gjonaj i Hasit në Prizren.
Ramadan Totaj dhe Zekë Osmanollaj i përkasin dy gjeneratave të ndryshme por kanë vendosur të bëhen bashkë për të sjellë ushqimin tradicional shqiptar. Flija konsiderohet një gatim që simbolizon vështirësitë e jetës por edhe bukurinë dhe shijen e saj.
Saçi dhe tepsia janë bërë gati një vit më parë nga Ramadani dhe Zeka, të cilët e punuan me mjeshtëri enkas për këtë ditë me qëllim promovimin e traditave të Hasit.
Ramadani dhe Zeka nuk janë pjesëmarrës në kuzhinën e familjeve të tyre megjithatë kanë vendosur të sfidojnë gratë dhe veten me gatimin e kësaj flije me diametër 2 metra.
Pavarësisht ruajtjes së ndonjë sekreti, Ramadan Totaj na tregon hap pas hapi përgatitjen e flisë hasjane.
Flija gatuhet më shumë nga zonat veriore të Shqipërisë si Kukësi dhe Kosova.
Mendohet të jetë ushqim shumë i vjetër që nga periudha Ilire. Thuhet se është gatuar më 14 Mars për ditën e verës si sakrificë për Perëndinë e Diellit, pasi që edhe shtrimi i petëve te flisë simbolizon formën e rrezeve të Diellit, si edhe emri “fli” ka domethënien flijim apo sakrificë.
Shërbehet kryesisht në ditë festash si, Bajrami, dita e verës (14 Mars), mesi i Dimrit (28 janar), në raste festash e gëzimesh familjare, në vaki, gjithashtu gatuhet edhe për të nderuar një mik, në shenjë respekti.
Në Gjonaj të Hasit, flija mbetet edhe një ndër gatimet më të veçanta të “Darkës së Lamës”, një festë që zakonisht mbahet në fund të çdo viti kur fillojnë të hyjnë në hambar të shirat e të vjelat e punës verore. Quhet e lamës sepse “lama” apo “lëma” ka qenë dhe është ende vendi ku janë shirë apo janë bërë gati për t’u futur në hambar e pastaj bluar në mulli, të korrat si misri, gruri, elbi etj. Memet Osmanollaj banor i fshatit kujton amën në fshat kur ishte ne moshë të vogël ku kuajt rrotulloheshin rreth lamës.
Ndërsa në fushë ka marrë emrin “darka e fushës”, pasi janë vjelë të mirat e saj, kryesisht të grurit. Evidencat etnografike tregojnë se me grumbullimin e produkteve dhe përfundimin e punëve, në viset e ndryshme të Kosovës, gjithmonë është organizuar një darkë e madhe e përbashkët për të falënderuar njerëzit që kanë ndihmuar në përfundimin e punëve blegtorale e bujqësore.
Rabije Hodaj, banore e fshatit është një njohëse e mirë e recetës së flisë tradicionale të Hasit të Kosovës. Një vit më parë ajo së bashku me vjehrrën e saj 80 vjeçare Shahe Hodaj u munduan të gatuajnë flinë me përmasa të përafërta me këtë që po bëjnë Ramadani dhe Zeka.
Pas gatimit, flija është transportuar me një mjet të veçantë në shtëpinë e Kulturës së qytetit të Prizrenit, ku edhe është konsumuar në aktivitetin e Darkës së Lamës.
Ndërsa këtë vit edhe pse Rabija nuk mori pjesë në gatimin e flisë ajo i ndihmoi për ta përfunduar atë.
Tashmë flija është gati për banorët e fshatit Gjonaj. Të gjithë kanë mundësinë të mblidhen së bashku e të shijojnë gatimet e njëri-tjetrit.
Janet Reineck shtetasja amerikane që jeton në Kosovë është njohëse e mirë e kulturës së zonës pasi i ka vizituar këto vise edhe para viteve ’90.
Flija është mbretëresha e recetave të kulinarisë veriore shqiptare që shtrohet në çdo ditë të shënjuar. Kushdo që ndjen aromën e saj, kupton se njerëzit janë bërë bashkë në të keq e në të mirë.