Misteri në qafën e Breshërit - Kjo fushë në perëndim të fshatit Bajkaj, buzë rrugës së re Kardhiq-Delvinë, duket si një hapësirë e zakonshme rurale. Por nën këtë tokë dhe rreth e rrotull saj, fshihet një histori tremijëvjeçare që sot thjesht hesht. Pak udhëtarë e dinë se këtu, në vendin e quajtur "Qafa e Breshërit", dy monumente madhështore të periudhës ilire sfiduan kohën për shekuj me radhë.

Githçka nisi të ndryshonte në fillim të viteve '70. Për banorët vendas, shëmbëllenin me disa ngritje të çuditshme dheu, por për sytë e mprehtë të shkencës, ishin portat e një bote të lashtë.

“Ndoshta kam qenë në moshë të vogël, por rreth viteve 1970–1971, kur u kryen gërmimet atje, kishte disa kodra të vogla, të cilave ne u thoshim “kokojka”. Dukeshin sikur i pickshte bërë dikush me dorë dhe thuhej se aty kishte varreza...", shprehet Kosta Sinani, banor i zonës.

Ajo që fëmijët e fshatit e quanin "kokojka", në vitin 1970 do të tërhiqte vëmendjen e një prej emrave më të njohur të arkeologjisë shqiptare, Dhimosten Budinës. Ai nisi një ekspeditë që do të ndryshonte kuptimin mbi prehistorinë e këtij rajoni. Zona u rrethua menjëherë, duke u kthyer në një mister të vërtetë për komunitetin lokal.

"...Më pas erdhi një grup arkeologësh nga Tirana... Atje nuk mund të afroheshe, sepse gjithçka konsiderohej sekret. Mësuam se ishin gjetur disa qypa dhe objekte antike shumë të vjetra. Pasi gërmimet përfunduan, ne shkuam atje për kuriozitet... dhe pamë se zona ishte gërmuar. Kishte objekte të vjetra, tjegulla, qypa dhe copa të vogla të thyera”, tregon Kosta Sinani.

Thesari nën shtresat e dheut - Raportet zyrtare të Dhimosten Budinës zbuluan detaje magjepsëse. Vetëm tre metra larg njëra-tjetrës, dy tuma të mëdha prej shtresash dheu e gurësh u hapën pas 3,000 vjetësh. Njëra prej tyre mbartte një sekret të madh: 43 varre të ndërtuara me rrasa guri gëlqeror, si arkëza të vogla memorieje. Trupat ishin vendosur në pozicion të tillë si të mbledhur si në gjumë, ndërsa katër të tjerë ishin djegur sipas ritualit të kohës. Por ajo që mahniti arkeologët ishte varri qendror.

Ky varr, me shtatë enë qeramike të formave të ndryshme, u kthye në çelësin e datimit. Ai vërtetoi se tumat i përkisnin fundit të Epokës së Bronzit dhe fillimit të Epokës së Hekurit, rreth shekullit të XII para Krishtit. Për këtë kulturë do të shkruante edhe profesori i njohur europian, Nikolas Hamen, duke e lidhur Bajkajn me rrjetin e madh të tumave ballkanike. Kërkimet vazhduan edhe më vonë, në vitet '80, duke përfshirë si krah pune edhe të rinjtë e zonës.

“Në vitet 1979–1982 isha nxënës në shkollën e mesme në Delvinë... Në vitet 1980–1981, disa arkeologë na morën për të punuar dhe ne kryem gërmime pikërisht në vendin ku ndodhemi sot... Gërmimet i kryenim me shumë kujdes. Një gjë më bënte veçanërisht përshtypje: sa herë që gjenim diçka, arkeologët gëzoheshin sikur të kishin gjetur flori...Gjatë punës na këshillonin vazhdimisht që të tregoheshim shumë të kujdesshëm... Sot, në këtë vend nuk ka asnjë shenjë... Megjithatë, këtu është gjetur një thesar. Jo një thesar me flori, por një thesar që dëshmon se kjo zonë është jashtëzakonisht e pasur...”, tregon Ilirjan Liçaj, kryetar i fshatit Bajkaj.

Arteria e lashtë dhe gurët e harruar - Pse ishin ngritur këto tuma pikërisht këtu? Përgjigja fshihet te gjeografia. Lugina e lumit të Kalasës dhe Qafa e Skërficës nuk ishin thjesht peizazhe natyrore, por një nga arteriet më të rëndësishme tregtare dhe ushtarake të antikitetit. Një rrugë strategjike që lidhte dy portet e mëdha të jugut, Butrintin dhe Sarandën, me brendësinë e Ballkanit e deri në Maqedoninë e lashtë. Udhëtarë, karvanë dhe ushtri kanë kaluar përmes kësaj qafe për mijëra vjet, duke lënë pas gjurmë që shpesh dalin në dritë krejt rastësisht.

 “Këtu jemi në fushën e Bajkajt, në luginën e lumit të Kalasës... Është shumë interesante të kemi parasysh se pikërisht në këtë zonë, deri pranë Qafës së Skërficës, ka pasur edhe zbulime të tjera të rastësishme të varreve që u përkisnin periudhave të ndryshme të antikitetit. Kjo na tregon qartësisht se këtu kalonte një prej arterieve kryesore të lëvizjes së karvanëve...”, shprehet Auron Tare, studiues.

Kjo hapësirë mbart edhe kujtesën e ngjarjeve dramatike të treguara brez pas brezi. Emrat e vendeve këtu nuk janë të rastësishëm; ato mbajnë vulën e gojëdhënave lokale, si ajo që shpjegon emrin e "Qafës së Breshërit" – një dëshmi e një fatkeqësie natyrore që detyroi një popullsi të tërë të shpërngulej.

“...Sipas një gojëdhëne, shumë vite më parë kishte bërë një mot jashtëzakonisht i keq... Banorët kishin pësuar dëme të mëdha, u kishte ngordhur bagëtia... Për këtë arsye ishin detyruar të largoheshin. Thuhet se pikërisht nga kjo histori vendi mori emrin “Qafa e Breshërit”... Këto rrëfime ne i kemi mësuar nga gojëdhënat...” tregon Ilirjan Liçaj, kryetar i fshatit Bajkaj.

Krahu i hekurt i modernitetit - Por ajo që natyra dhe shekujt e kursyen, nuk e kurseu dora e njeriut modern. Dekadat e fundit sollën transformime të mëdha infrastrukturore për zonën. Ndërtimi i autostradës së re Kardhiq-Delvinë, aq e domosdoshme për zhvillimin ekonomik, u kthye në një dënim pa të drejtë apeli për trashëgiminë në terren. Ekskavatorët dhe mjetet e rënda gërmuan mu mbi trasenë ku preheshin tumat e lashta, duke i mbuluar ato me harresë, beton dhe bimësi.

“Kur u ndërtua autostrada, në atë vend kaloi traseja e rrugës dhe pjesa më e madhe e zonës u gërmua. Tumat janë mbuluar nga bimësia dhe ne nuk kemi dijeni se çfarë është bërë me to...”, shprehet Kosta Sinani, banor i zonës.

“Rreth 10–15 vjet më parë, kur u ndërtua rruga Kardhiq–Delvinë, një pjesë e kodrës u kthye në trase... Për koincidencë, pas ndarjes së tokave, parcela ku kryenim gërmimet më takoi mua... Ne e mbollëm atë me ullinj. Kur hapnim gropat, na dilnin vazhdimisht pjesë tjegullash, madje edhe tjegulla të plota. Atëherë m’u kujtuan fjalët e arkeologëve...”, tregon Ilirjan Liçaj, kryetar i fshatit Bajkaj.

Tumat e Bajkajt sot nuk ekzistojnë më fizikisht. Ato janë rrafshuar plotësisht. Nuk ka asnjë shenjë, asnjë gardh mbrojtës dhe asnjë tabelë që t'u tregojë mijëra turistëve që kalojnë çdo ditë përmes këtij aksi se po shkelin mbi një histori 3,000-vjeçare. Por a është e thënë që kjo hapësirë të mbetet thjesht një fushë që hesht?

“Ajo që është shumë interesante, por njëkohësisht edhe shqetësuese, është se, siç e shohim, këtu nuk ka absolutisht asnjë shenjë... Ato janë rrafshuar dhe janë zhdukur... Ajo që do të ishte me shumë interes është që këtu, pranë rrugës, të ndërtohej një stacion i thjeshtë ndalimi, me tabela shpjeguese, për të treguar rëndësinë që ka kjo zonë... Në këtë mënyrë, zonës dhe kësaj hapësire do t’u jepej vlera që meritojnë...”, shprehet Auron Tare, studiues.

Njerëzit që u varrosën këtu 3,000 vjet më parë mbeten pa emër. Por dëshmitë e tyre, të ruajtura në shënimet e Dhimosten Budinës dhe në muzeumet tona, kërkojnë të shpëtohen nga harresa. Sepse kur humbet një monument, humbet një dëshmi. Por kur harrohet historia e tij, ajo që humbet përgjithmonë është vetë kujtesa jonë kombëtare.