SPECIALE/ Këshilla jete nga ish-sportisti, s’ia doli të bëhej kampion në hedhjen e çekiçit, por sot s’ka turp nga puna që bën

Edmond Tane është një ish-sportist që ëndërronte të bëhej kampion në hedhjen e çekiçit. Dëshira e rinisë nuk iu realizua, megjithatë të gjithë në lagje i thërrasin Kampion, sepse ai është njeriu që punon çdo ditë me karrocën e tij dhe pavarësisht zhgënjimeve, ai vlerëson çdo ditë të jetës!

Në një lagje të Tiranës, Mondin e ndesh çdo ditë duke tërhequr mjetin e improvizuar si karrocë. Hyn tek të padukshmit për ata që u hipin makinave e që nuk shquajnë gjësend tjetër në rrugë përveç ngjyrave të semaforit. Veçanërisht njerëzit si Mondi që jeta i ka strukur në ecejaket e përditshmërisë së ngarkuar me mall tregtar e objekte shtëpiake në kërkim të një riparuesi.

Kjo është puna që bën ky 57 vjeçar nga mëngjesi në mbrëmje e që nuk ka turp ta thotë as para një kamere të ndezur.

“Është një punë e ulët, por unë eci me atë të vjetrën që puna është nder dhe lavdi. Ti nuk bën dot as pa ato që mbledhin mbeturinat apo edhe pa ato që pastrojnë pusetat. E nis te tregu fruta perimeve ku janë dy klientë që më marrin për transport. Pastaj punoj te një pikë shumice që ka dyqane. Bëj punë të vogla, me aq sa mundem. Ka defekt lavatricja, frigoriferi dhe unë e transportoj.”

Edmond Tane refuzon ta pushtojë ndjenja e pritjes se diku, dikush do të mendojë për të. Ai vazhdon t’i dalë për zot vetes edhe pas shumë dështimeve.

“Unë punoj vetë. Ka njerëz që më ndihmojnë, duke më ofruar punë, por unë përpiqem vetë. S’bëj pushime as në fundjavë. S’më lë telefoni. Çfarë kam unë mundësi e bëj”, shprehet Mondi.

Fqinjët thonë se e njohin mirë, të tashmen dhe të shkuarën e tij.

“Mondin e njeh gjithë zona. Ka dy djem fantastic. Edhe vetë është fantastik. Ka humbur gruan, por është shumë shumë punëtor”, thotw fqinji.

Ishin po fqinjët që zbuluan në rrjetet sociale pak nga identiteti i Mondit. Dhe perdja e njeriut të padukshëm, ra për ne. Sepse rastësisht u njohëm me ish-hedhësin e çekiçit që ëndrrat nuk iu realizuan, por që sportin vazhdon ta dojë edhe ndërsa tërheq ngarkesën e tij.

“Në fillim e kam nisur me mundje, me not dhe më pas hedhje çekiçi. Ku e ku që të kisha fizikun, forcën. Ishim të rinj e kishim pasion, qef.”

-Ishin vitet 1980, kur Mondi zbuloi pasionet e tij. Pas vitit 1939, kjo është periudha e dytë e zhvillimeve që pësoi sporti në Shqipëri. U ngritën Seksionet e fizkulturës dhe sportit, u bënë studime për format dhe zhvillimin e aktiviteteve sportive kombëtare e ndërkombëtare.

Sportistët shqiptarë spikatën që në Ballkaniadën e parë që u zhvillua në Tiranë në datat 7-13 tetor 1946. Në shtator të vitit 1948 hapet në Tiranë Teknikumi i Fizkulturës pranë stadiumit “Qemal Stafa”, i cili u bë qendra kryesore e kualifikimit dhe përgatitjes së kuadrit dhe nxjerrjes së sportistëve.

Në shtator të vitit 1958 u hap Instituti i Kulturës Fizike dhe Sporteve “Vojo Kushi”, që u bë qendra më e lartë e përgatitjes së kuadrit mësues dhe trajner. Një vit më pas, Shqipëria pranohet si anëtare e Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.

Në Lojërat Olimpike të Mynihut të vitit 1972 nisin garat e kampionatit botëror të peshëngritjes në kuadrin e lojërave të 20-ta olimpike. Peshëngritësi Ymer Pampuri, shpallet kampion bote në stilin e forcës në peshën 60 kg si dhe thyen dy herë brenda 5 minutave rekordin olimpik në shifrat 127.5 kg.

Në shtator 1987 marrim pjesë në Lojërat Mesdhetare të Latakias, Siri. Në volejboll dhe basketboll, femra, Shqipëria merr medalje ari. Në peshëngritje nga Hysen Cenaj sërish medalje ari. Në atletikë Ajet Toska në çekiç dhe Adriana Vejkollari në 800 metra medalje argjendi.

Shumë prej tyre janë ish kolegë e miq të Edmondit që synonte të ishte një sportist i arrirë në hedhjen e çekiçit. Ndryshe nga ish kolegët, Mondi nuk e jetoi gjatë ëndrrën e tij për të arritur majat në sport.

 “E kam nisur që 16 vjeç. 19 vjeç shkova ushtar dhe atje nuk ma miratuan stërvitjen sepse isha në rrepart special. Kur u lirova vazhdova 1-2 vite pastaj …”

Si shumë të tjerë ai duhej të bënte çfarë donte partia.

“Isha në repart special gjasme. Isha te helikopterët. Klubi i bënte kërkesë repartit, por këta thanë na duhet gatishmëri. Nuk e merituan. Ishte komandë ajo dhe ishte jashtë orbitës sime.”

Pas rënies së sistemit komunist në Shqipëri, jeta filloi nga e para edhe për Mondin. Si për ironi të fatit, ai duhej të punonte në shkatërrimin e vendit të ëndrrës së tij për të ndërtuar ëndrrat e të tjerëve që u thonin vetes biznesmenë.

“Atje ku bëja unë stërvitje, ku ishte pedana e çekiçit aty u bënë vila. Unë punoja punëtor e prisha vetë. Jo se e prisha unë, pasi e bëri eskavatori, por unë merrja ditën e punës.”

Mondi punoi ku të mundej, ashtu bën edhe sot.

“Fillimet e sistemit kanë qenë shumë të vështira sepse punë nuk kishte. Çdo ditë do mendoje për bukën e gojës. Kur je I ri je më I fuqishëm, port ani lodhesh. Jam pak mbipeshë, tension, diabet, por puna më bën mirë se lëviz gjithë ditën. Më ndihmon shumë.”

Ky mendim pozitiv e karakterizon përditshmërinë e Mondit. Ecejaket në rrugët e kryeqytetit janë bashkëjetesa e tij me sportin, të cilin vazhdon ta dojë edhe pse në heshtje. Në një prej lagjeve të vjetra të Tiranës jeton me dy djemtë e rritur. Kontribuon në familjen e vogël me karrocën e tij.

“Nusja ka 4-5 vite që ka ndërruar jetë. Fatkeqësi, ligjet e natyrës. Jetoj me dy çuna dhe këtë të voglin dua ta fus me naj sport se është 14-vjeç 106 kile. Them ku është ai Vaso Selenica, ka qenë trajner dhe pasionant shumë në hedhjen e çekiçit, por nuk kam arritur që ta kontaktoj. Janë prishur të gjitha, janë ç’organizuar.”

Miku i tij Vaso Selenica, Mjeshtër i madh i sportit, vazhdon të jetë trajner i atletëve kampionë dhe rekordmenë në garat e hedhjes, duke shënuar rezultate të larta në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Edhe për të, disiplina sportive e hedhjes së çekiçit është drejt zhdukjes për shkak të mungesës së kushteve.

“Kanë qenë dy këndje hedhje. Ka patur edhe kafazët që janë vjedhur për hekra. Dhe kompleksi Dinamo që morri federata e futbollit i zhduku të dy kafazët dhe këndin e hedhjeve.”

Të njëjtin mendim ndan edhe Mondi ndonëse nuk është pjesë e asnjë tryeze profesionistësh të sportit.

“Atëherë kishte palestra me vegla. Ishte pedana, ishte trajneri. Mjafton të thoje se kam dëshirë këtë sport ai të merrte dhe të stërviste. Të thoshte bën apo nuk bën. Tani nuk di të ketë.”

Sot e vetmja profesioniste në Shqipëri që vazhdon ta ushtrojë sportin e hedhjes së çekiçit duket se ka mbetur një femër, Emiljana Ciko. Për 57-vjeçarin Edmond Tanë pasioni mbetet kryefjalë e një sportisti.

 “Atëherë sporti mund të ketë qenë gjithçka. Kishte vrullin e rinisë, ëndrra. Rrinim 4-5 orë duke bërë hedhje deri në 10 të darkës.”

Mondi jeton të tashmen me vetëdije se e shkuara është vetëm një album kujtimesh që ia heq pluhurin sa herë dëgjon të flitet për sportin.

“Gjergj Ruli vinte bënte sport me ne. I shkurtër, kaçurrels. Të hedhësh çekiçin do fuqi. Ai ishte shumë i shkathët po se kishte fuqinë tonë. Sot nuk e di ku është. Pastaj puna dhe hallet që kam unë. Nuk ke kohë për asgjë.”

Këto janë bisedat që zgjedh të bëjë me ne Mondi. Pothuajse të gjitha mbyllen në fund me një buzëqeshje.

“Kur ishim të rinj mendonim shumë gjëra, ndërsa asnjë nuk e di se çfarë ka psonisur jeta mbrapa. Çfarë kemi hequr e dimë por se çfarë do heqim se dimë. Nuk ka vend për të gjithë domethënë …”

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Meri: 29/09/2022 17:52

    Pse duhet te ket turp...???nuk po vjedh,dikush do ta bej ate pune qe ben zotria,jeni ju,qe kerkoni t'ia fusti turpin njerzeve qe kerkojne te bejne pune te rendomta.

    Përgjigju
  • Ggg: 29/09/2022 17:12

    Respekte kampion shteti yne kur nk te vlereson ty do na bej te gjitheve te dalim te bjme ate qe ben ti ne nje te ardhme

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët