Rusi-Ukrainë/ ‘Lufta dhe Paqja’ e një kulture! Ukrainasja Romanova: Bota na ka lënë vetëm përballë agresionit të Moskës! Rusja Biba: Dhimbje për luftën, në Rusi ka vetëm frikë

Mëngjesi i 24 shkurtit 2022, ora 05:55 me orën vendase nisi kështu për miliona qytetarë ukrainas, kur presidenti rus Vladimir Putin njoftoi pak minuta më vonë se një operacion ushtarak i iniciuar nga Moska zyrtare kishte nisur në shtetin fqinj, Ukrainën.

Mbi qendrën e komandës ushtarake të Kievit, në Ukrainë u lëshuan granatat dhe raketat e para. Brenda një nate jeta normale e çdo ukrainasi ndryshoi.

 “Unë e përjetoj si një situatë surreale… sikur është një film horror hollivudian që nuk e di kur do mbaroj dhe kur do ndodh ai “happy end”.- tha ukrainasja Irina Romanova.

Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi se një operacion ushtarak i iniciuar nga Moska zyrtare kishte nisur në shtetin fqinj.

Askush nuk kishte dashur ta besonte, por paqja dhe qetësia ishin zhdukur për këdo qytet dhe qytetar.

 “Një gjë që nuk e kemi pritur. Unë kam qenë e sigurt që nuk kishte për të ndodhur asgjë. Dhe kam besuar që Shtetet e Bashkuara dhe NATO kishin për të na mbrojtur neve, gjë që nuk ka ndodhur deri tani”.- u shpreh Romanova.

Historia e botës mori një pikë kthese kur në kryeqytetin Kiev u ndezën sirenat e emergjencës dhe gjithçka e përfshiu mjegullnaja e zymtë e luftës.

Për Ukrainën kjo është histori e përsëritur pavarësisht pretekstit të ri të artikuluar nga Presidenti Putin.

Me një lëvizje që nxit tensionet në perëndim dhe nën idenë se ky vend qeveriset nga grupe nacionaliste, presidenti rus firmosi në 21 shkurt njohjen e dy krahinave rebele në jug të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk të njohura nën emrin Donbass si rajone të pavarura, shkëputur nga Ukraina në 2014 duke u shpallur si “Republika popullore”.

E kufizuar në lindje e verilindje nga Rusia, dhe në veriperëndim nga Bjellorusia, Donbass, rajoni historik, kulturor dhe ekonomik në juglindje të vendit është kufiri ndarës me Ukrainën që të çon drejt qyteteve ruse.

Kriza aktuale mes dy vendeve nis prej vitit 1991, kur Bashkimi Sovjetik (BRSS) u shpërbë ndërsa, Moska humbi 14 nga republikat që deri në atë kohë ishin pjesë e sferës së influencës ruse. Ukraina ishte një prej humbjeve të saj më të mëdha dhe prej atëherë ngjarjet pasuan njëra-tjetrën.

Irina nga Ukraina dhe Elisaveta nga Rusia i përkasin dy kombeve sot në luftë.

Por, ajo që i bashkon është shqetësimi dhe mendimi se gjithçka po ndodh është një absurditet.

 “Unë mund të shikoj qytete të shkatërruara, janë thjesht ndërtesa. Por, një gjë çfarë nuk mund të shikoj janë fëmijë të pafajshëm, janë fëmijë të cilët vriten në mënyrë makabër. Deri diku agresioni, politika dhe mënyra e sjelljes së Putinit thonë që po tejkalon edhe vrazhdësinë e Hitlerit. Është si anti-Krishti që ka ardhur në tokë për të shkatërruar”.- tha ukrainasja Irina Romanova.

"Na dhemb shumë ajo që po ndodh në Ukrainë si popuj. Më shumë se kurrë po ndjek atë që po ndodh këtë situatën, jo, nga ana politike. Pa mbështetur vendin tim, si vëllezër dhe motra ne kemi ndarë shumë gjera të përbashkëta”- u shpreh rusja Elisaveta.

Elisaveta është nga Moska. Ajo jeton prej 12 vitesh në Shqipëri ku ushtron profesionin e mësueses së anglishtes.

Një tragjedi e përshkruan ajo luftën midis dy fqinjëve të vjetër.                                                   

“Shpresoj shumë dhe këtij janë dhe lutjet e mia të shoqërisë time besimtare që vërtet të gjejnë mënyrën për të ndaluar këtë luftë. Unë jam për paqen. Kur mendoj për ata që vuajnë ditë dhe natë, dua që të jenë gjallë në shëndet e mirë siç unë jam sot”- Elisaveta Biba ruse.

Të tjera ndjesi e përshkojnë Irinën kur flet për natën e 24 shkurtit. Një mesazh në telefon nga nëna e saj do ta zgjonte pak minuta pas shpërthimit të parë në Kiev.

 “Ajo shkroi saktësisht: “Irina, mos ki merak ne jemi mirë por kanë filluar bombardimet. Por ne jemi mirë” Në 6 të mëngjesit, nuk e kuptova çfarë ka ndodhur. Hap televizonet, thashë me vete nuk ka mundësi. Ndoshta një nga provokimet që ka bërë vazhdimisht Rusia. Por, kur ka kaluar kohë dhe hapa rrjetet sociale dhe ata kanë postuar live alarmet e sirenave."- tha Irina Romanova.

Agresor është për të Rusia. Por Ukraina nuk mund tia dalë e vetme. Nëse NATO, SHBA dhe vendet e Bashkimit Evropian do të vazhdojnë të qëndrojnë indiferentë, e rrezikuar do të jetë e gjithë Evropa, paralajmëron Irina Romanova.

 “Hapa rrjetet sociale dhe ata kanë postuar live alarmet dhe zhurmat e sirenave, që ka qenë në Kiev. Në vend të dëgjonim alarmin kemi dëgjuar sot, sirenat që lajmëronin për sulm ajror. Dhe nuk besoja çfarë po më tregonin shoqëria ime që janë në Kiev. Dhe prap kam thënë rezistojmë dhe 24 orë se pastaj do futet Bota, por na ka lënë vetëm bota. Unë nuk kam siguri që ndoshta një ditë do takoj familjarët e mi. Kam pjesën tjetër të familjes në Odesa. Përderisa vendi im masakrohet, shkatërrohet . Dhe kjo sepse dikush ka mendime imperialiste. Dhe për mua kjo është e papranueshme.' tha Irina Romanova nga Ukraina.

Edhe pse ruse në origjinë Elisaveta Biba, tregon se është kundër asaj që po ndodh në Ukrainë dhe se e ndjen dhimbjen që po përjeton ky popull. Për të, lufta nuk mund të justifikohet në asnjë rast dhe se çdokush ka të drejtën të jetojë i lirë dhe jo në frikë, në vendin e tij. 

Lirinë kërkon edhe Irina nga Ukraina. Por, miqësitë me fqinjët sot i përkasin të kaluarës për të.

 “Fjala e saktë do të ishte. Kishim miq, kishim dhe familjarë atje. Sot nuk janë sepse duke patur parasysh, që ne po t’i tregojmë atyre se shiko çfarë po ndodh dhe këta janë duke e treguar si një vjershë që janë mësuar sikur është një operacion, nuk po vritet populli civil. Është e kotë sepse nuk dëgjojnë. Janë akoma me bindjen e plotë se Putini po bën diçka në rregull. Por Ne jemi në shtëpinë tonë, ne jemi në tokën tonë. Ne jemi autoktonë historia e Kievit fillon që nga 482.'- tha Irina Romanova.

Irina dhe Elisaveta jetojnë në Shqipëri. Njëra prej 11 vjetësh e tjetra ka 12 vjet. Të dyja kanë zgjedhur vendin tonë për të krijuar familje.

 “Kam 12 vite që nga momenti që erdha këtu në Tiranë. Ishte histori e dashurisë që më solli. Kam pasur një shoqe në Moskë nga Shqipëria, dhe ajo më ka ftuar në dasmë dhe për kuriozitetin për të njohur vendin. Në dasmën e saj takova bashkëshortin tim. Dhe sot kam një punë që e bëj me pasion. Nuk ka qenë e lehtë, por, kam pasur mbështetjen familjare, mbështetjen e bashkëshortit dhe kam ecur më me lehtësi”- u shpreh Elisaveta.

Ndërsa Irina jetesën në Shqipëri ua ka sugjeruar edhe familjarëve të saj në Ukrainë.

 “Gratë dhe fëmijët janë larguar. Prindërit janë vendosur në veriperëndim të Ukrainës. Kam pjesën tjetër të familjes në Odesë. U kam sugjeruar të vijnë në Shqipëri. Por thanë jo, me idenë deri diku se jemi më afër shtëpisë këtu në Moldavi. Dhe burrat po qëndrojnë në Ukrainë për të mbrojtur shtëpitë. Sado e trishtë të tingëllojë, vetëm të di që janë gjallë ndaj komunikimet me të afërmit janë. Kontaktet janë të vazhdueshme, në mëngjes, në drekë, në darkë”- tha ukrainasja, Irina Romanova.

Lufta ua ka marrë të dyjave vëmendjen. Njërës për tokën e shtëpinë ku është lindur, tjetrës për miqtë e vjetër ukrainas.

 "Kam shoqëri dhe në Rusi. Dy shoqet e mia më të ngushta nga Ukraina dhe vazhdimisht i pyes. Ajo është në një nga rajonet e Kievit dhe e përjeton shumë çfarë do ndodhë me mamin e saj se nuk do të largohet.”- tha Elisaveta.

Të dyja e njohin dhimbjen e humbjes. Familja e Elisavetës është prekur në një prej ngjarjeve më të rënda tragjike në historinë e njerëzimit.

Më 26 prill 1986, ndodhi Katastrofa e Çernobilot në Ukrainë. Ishte vetëm 12 vjeç kur ajo humbi babain, në aksidentin reaktor bërthamor në Çernobil.

“Babai im ka vdekur kur unë kam qenë 12 vjeç. Ishte inxhinier në institucion bërthamor në Çernobil. Dhe pikërisht ndodhi nga pasojat e shpërthimit në Çernobil. Ka qenë atje në një nga kontrollet e zakonshme. Motra dhe vëllai tani janë vetëm në Moskë"- u shpreh Elisaveta Biba.

Sot pas kaq dekadash, rreziku bërthamor duket se nuk është më një kapitull I mbyllur për shoqërinë e botën.  

Kryevepra e Leon Tolstoit “Lufta dhe Paqja” detajon edhe një fushë beteje. Pavarësisht rëndësisë apo absurdit të një përplasje kombesh, ai tregon se ushtari që përplaset mbi tokë ngre sytë lart e zbulon se qielli është i njëjti dhe i përket të gjithëve.

Në Ukrainë sot kanë harruar të shohin qiellin.

Frika, të shtënat me armë dhe bombardimet e vazhdueshme janë ato që sundojnë në këtë vend.

 “Nuk bëhet fjalë për jetë normale. Bëhet fjalë vetëm për mbijetese. Por prapë shteti funksionon, pasi akoma paguan rrogën të gjithë punonjësve që të mbajnë njerëzit në punë e gjallë. Edhe ata që kanë humbur rrogën, i mbajnë me një rrogë minimale nga shteti që të mos vdesin për bukë. Nuk lejohet spekulime në çmimet e gjërave. Kanë bërë disa lirime në taksat. Operatorët e rrjetet telefonike kanë hequr pagesën për telefonat”- tha Irina Romanova.

Janë të shumta historitë tronditëse që vijnë nga Kievi.

Një prej tyre ka ndodhur përballë një kishe në zonën e Irpin në veriperëndim të kryeqytetit. Brenda pak sekondash një familje u shua.

Alisa 9-vjeçare, vëllai Miketa 18-vjeçar së bashku me nënën e tyre Tatiana 43-vjec u gjendën të pajetë në trotuar. Jo shumë larg tyre, edhe trupi i një të riu, Anatoli 27 vjeç.

I pari që fotografoi të gjithë skenën në një çast ishte Andriy Dubchak, një fotograf ukrainas që postoi më pas video në rrjete sociale.

Rusja dhe ukrainasja që jetojnë në Shqipëri sot mund të kenë vështirësi për tia dhënë dorën njëra tjetrës, por dëshirën e kanë të njëjtë. Secili të jetojë i lirë në shtëpinë e tij.

 “Ukraina është e famshme për uzinat e mëdha, por jo vetëm. Ju besoj keni dëgjuar dy ndër avionet më të mëdha që ekzistojnë në botë. Janë të dy  ukrainas. Një prej tyre në shqip përkthehet “Ëndërr” Ne kemi një shprehje tani Rusët kanë shkatërruar një ëndërr, por s’ka gjë ne kemi një ëndërr të re për të rindërtuar."- tha Irina Romanova nga Ukraina.

M.Q./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar