SPECIALE/ Nxorrën nga rrënojat 33 persona, heronjtë me uniformë rrëfejnë momentet e paharrueshme: Asaj jetën ja ka falur Zoti, por unë isha i pari që i dhashë dorën (VIDEO)

34 sekondat e tërmetit mëngjesin e 26 nëntorit 2019, ishin ndër testet për strukturat reaguese përfshi Forcat e Armatosura dhe njësitë e Emergjencës Civile.

Report TV është ndalur pranë strukturave, të cilat përballuan tërmetin nën uniformë, ku mes tyre është edhe Adrian Alldervishi, pjesë e komandës së emergjencave për tërmetet.

Ai kujton momentet kur nën rrënoja ka pasur komunikimin e fundit me Diena Meçajn, nënë e re, e cila kishte mbetur nën rrënoja së bashku me vajzën 8-vjeçare.

“Më nxirr nga rrënojat vajzën”, ishin fjalët e fundit të Dienës, që kujton Alldervishi. Diena për disa minuta u nxor nga rrënojat e gjallë teksa ndërroi jetë rrugës për në spital.

Adrian Alldervishi

Si i kujton ato momente

Alldervishi: Ato ishin në lagjen e kryqit të kuq, ishin në katin e dytë. Ndërtesa ishte 6 kate por dukej sikur ishte 3 kate pasi katet ishin të palosura me njëra tjetrën.

Patët ju komunikim me zonjën në ato momente, çfarë thoshte?

Po kisha komunikim, vajzën e shihte se e kishte përpara syve. Më kërkoi vetëm që t'i nxjerr vajzën.

Alldervishi nuk ishte i vetëm në gjashtë pikat e nxehta në Durrës, ku kishte viktima. Me të kanë qenë edhe të tjerë kolegë nën uniformë, ku Leonard Bukaçi, kujton se teksa po kryente operacionin, është rrezikuar nga tërmeti i mëngjesit mbi 5 ballë të shkallës Rihter, ndërsa Erlis Berçaj thotë se momenti kur shpëtoi një zonjë do ta shoqërojë gjithë jetën.

Leonard Bukaçi

Leonard Bukaçi: Kemi bërë kontaktin me personin, kemi hapur një tunel për t'u afruar se zërin ja dëgjonim por nuk e shikonim, jemi futur nëpërmjet tunelit. Kemi biseduar për ta mbajtur në kontakt pasi nuk ishte mirë, i jepnim për të folur. Në ato momente duke bërë kontaktin, tërmeti tjetër ka vazhduar lëkundjet sizmike. Në ato moment kolegu im siç ishte mbrapa meje më kapi nga këmbët pasi vetëm këmbët kisha jashtë dhe më tërhoqi. Kur kemi dalë ranë disa copa, por vazhduam prap procedurën nga fillimi. Arriti të dalë, mos gaboj ishte Rame Lala.

Ju jeni personi që shpëtuan Ramë Lalën?

Bukaci: Kishte dhe efektivë te tjerë, ka pasur edhe djem të tjerë. Kjo është detyra jonë. Ndjehem tepër mirë, këtë punë kemi. Kemi fituar shumë eksperiencë, për mua ishte tërmeti i parë. Nuk më kishte ndodh ndonjëherë. Uroj të mos ketë më.

Erlis Bercaj është efektivi nga Batalioni i Vaut të Dejes në Thumanë i pari që mundi t'i jepte dorën e shpresës një zonje për ta nxjerrë të gjallë nga rrënojat. Kamera e Report Tv ka fiksuar këtë moment që në jetën e ushtarakut do të mbetet i paharruar.

Momenti i shpëtimit të zonjës në Thumanë

Bercaj është interesuar më pas për zonjën të cilën e ka vizituar në spital duke i dhuruar dhe një buqetë me lule.

Elis Berçaj: Me të mbërritur në Thumanë, u takuam me forcën tokësore, batalionin e dytë, komandot, Forcat Speciale. Kemi ndarë detyrat specifike, unë pata fatin të jem me grupin e kërkim shpëtimit. Kemi nxjerrë dy vetë, një fatmirësisht mbijetoi, një fatkeqësisht nuk mundi të mbijetojë. Asaj jetën ja ka fal zoti, por unë isha personi i parë që i dhashë dorën në atë moment të vështirë.

Elis Berçaj

Batalioni mbështetës është vendosur në periferi të kryeqytetit, aty ku pritet të jetë porta hyrëse e “Rrugës së Arbrit” për në kryeqytet, ndërsa 170 efektivë të këtij reparti, shumica e tyre të trajnuar, kanë edhe mjetet disa prej të cilave të përdorura në Durrës e disa jo. Ku mes pajisjeve janë jastëkët e ajrit që ngrijnë deri në 17 ton objekte, matrapikët me gjenerator, kompresorët e ajrit, kamerat lëvizëse, dylbitë, mikrofoni i komunikimit nën rrënoja, lopata, pinca të mëdha për këputjen e hekurave e deri tek bombolat e ajrit.

Endrit Cengu, komandant i kësaj toge, thotë për Report TV se, pas tërmetit do të duhet që të ndërhyhet në këtë pjesë për të sjellë qenin nuhatës, skanerin, kamerat termike, si edhe pistonat e ngritjes së peshës.

Endrit Cengu: Tek Kryqi i kuq në dy spote, tek njëri objekt kontaktonim me zonjën e ndjerë, ndërsa me personin tjetër e dinim vendndodhjen dhe nuk ishte e nevojshme përdorimi i kamerës.

Çfarë do duhet të kishit ju të quheshit të kompletuar?

Siç e dimë të gjithë shkenca e teknologjia përparon me shpejtësi marramendëse, disa nga pajisjet që na mungojnë janë skaneri i zonës, qeni për gjetjen e njerëzve, pistonat për ngritjen e peshave më të larta e të rëndësishme, janë tre nga kryesoret më emergjente. pajisje ka akoma dhe punën e bëjnë më të lehtë e produktive në kërkim shpëtim.

Si pjesë e Emergjencave Civile, ushtarakët dhe pse jo, struktura e parë reaguese, nuk kanë pritur protokollin e vënies në lëvizje të forcës së armatosur, por nga qendra e bashkuar operacionale kanë nisur punën.

Ushtaraku Neshat Shena ka nisur i pari koordinimin e operacionit të kërkim-shpëtimit duke dërguar trupat në Durrës dhe në Thumanë.

Neshat Shena

Neshat Shena: Janë paraqitur dy zonat më të goditura pas tërmetit, Durrës e Thumanë. Në këto rrethana datën 26 pas tërmetit, kërkoi raportimet për gjendjen e personelit e godinave, dhe u raportua se kryesisht ka dëme në Durrës. Nuk është pritur edhe për shkak të mosfunksionimit të sistemit telefonik, të merreshin urdhra nga titullarët, por u angazhuan grupet e gatshme të kërkim shpëtimit, si tre grupet e emergjencave civile por edhe trupat mbështetëse. Edhe sot që po flasim Qendra e Bashkuar Operacionale  do të bëjmë një analizë për menaxhimin e kësaj situate emergjente dhe do të evidentojë të gjitha mësimet e nxjerra.

Ndërsa Robert Hysenllari na shpjegon se në planin për modernizimin e forcave ushtarake të atashuara si gatishmëri për emergjencat civile, parashikohet blerja e uniformave të veçanta për zjarrin, tërmetin, si edhe të pajisjeve mjekësore.

Robert Hysenllari: Kapacitetet tona janë për përmbytjen, zjarret, ndotjen kimike, tërmetet, hapjen e rrugëve nga bora, rrëshqitjet e dherave, natyra e kapaciteteve e pajisjeve është e ndryshme për çdo fatkeqësi. Ministria e Mbrojtjes dhe shefi shtabit kanë fokusuar një dhuratë nga një vend mik e strategjik prej 1.5 milion dollarë dhe do të përdoret për blerjen e disa veshjeve speciale për grupet e kërkim-shpëtimit profesionale që ndërhyjnë në vatër, në rastin e tërmetit, në rastin e zjarreve se dhe nga ato vendi ynë është i prekshëm.

Për gjeneralin e ushtrisë shqiptare, Bardhyl Kollçaku, testi i tërmetit ishte prova se forcat e armatosura janë të afta të reagojnë dhe ndaj tyre ai ka një falënderim. 

"Ky është tërmeti më i madh në 40 vitet e fundit, dhe nga përmasat, shtrirja gjeografike, vërtet ishte një test jo vetëm për forcat e armatosura por për të gjitha strukturat e shtetit, për gjithë popullin shqiptar. Edhe unë mendoj që Forcat e Armatosura edhe pse janë në fashën e dytë të reagimit të fatkeqësive natyrore, ishin në ballë dhe e përballuan me profesionalizëm dhe me shpejtësi në kohë rekord këtë angazhim duke qenë të parët në vendin e ngjarjes. Urdhri im i parë, 3-4 minuta pasi mësuam për fatkeqësinë natyrore ishte të raportohej menjëherë gjendja nëpër venbazimet tona, nëpër reparte, nëpër garnizone, për jetën e njerëzve, të ushtarëve që kemi të gatshëm, por edhe për infrastrukturën ushtarake. Dhe raportimi i parë ishte që nuk kishim humbje jete, kishim ndërtesa të dëmtuara. Dhe urdhri i dytë ishte që forcat e gatishmërisë së përhershme të viheshin në lëvizje për të marrë detyrën. Forcat e Armatosura kanë nevojë për një trajtim më të mirë, qoftë financiar, për një mbështetje më të mirë edhe në materiale, pajisje, dhe një trajnim më të mirë. Unë ju them që ne nuk jemi të kënaqur me këtë gjendje. Dhe ministrja e Mbrojtjes, shefi i shtabit të përgjithshëm do të bëjë ç'është e mundur për të bindur qeverinë shqiptare për të përmirësuar trajtimin financiar, për të rritur modernizimin jo vetëm për detyrat ushtarake por edhe në këtë fushë", tha Çollaku.

Nriçim Sallaku, gjenerali i cili edhe zyrën e tij e ka të dëmtuar nga tërmeti dhe në terren drejtoi operacionin e kërkim-shpëtimit në Durrës, shprehet se në emergjenca civile askush nuk mund të pretendojë se ka një protokoll se çfarë pajisjesh fikse duhet të ketë një efektiv, pasi asnjë situatë në terren apo objekt, si në rastin e tërmetit, nuk i ngjan njëri-tjetrit.

Por trupa e drejtuar nga gjeneral Sallaku është e përfshirë edhe në prishjen e objekteve të shpallura të pabanueshme, të cilat deri më tani janë mbi 10 të tilla, përfshi pallate, ndërtesa e biznese.

Komandant ii forcës tokësore shqiptare Albert Mullai, ndan në këtë reportazh shifrat e të shpëtuarve nga rrënojat përgjatë atyre momenteve të vështirë. Për Mullain 4 skenarët e emergjencave civile që ata kanë praktikuar në stërvitje, i kanë ndihmuar të nxjerrin nga rrënojat 33 persona.

Ndër detyrat e Forcave të Armatosura pas tërmetit, fokusi ka qenë kërkim-shpëtimi i personave nën rrënoja, ndërsa puna më e padukshme mbetet ajo e prishjes së objekteve, e shpërndarjes së ndihmave, ngritja e çadrave, strehimi i njerëzve, shoqërimi i trupave të huaja që mbërritën në Shqipëri e deri te ngarkim-shkarkimi i bazës materiale.

Por cilat kanë qenë vendet që kanë ndihmuar Shqipërinë pas tërmetit, trupat e të cilave janë shoqëruar në terren edhe nga forcat e armatosura shqiptare.

Në krye të tabelës me 13 shtete qëndron Kosova, e ndjekur nga Turqia, Greqia, Italia e deri te Kroacia.

Për kreun e emergjencave civile, z. Haki Çako, tërmeti nxori në pah një sërë problemesh, të cilat ai premton se do të jenë pjesë e një analize dhe do të sjellë struktura të kompletuar në terren falë edhe ndryshimeve ligjore.

Faleminderit USHTARAKËVE!

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Blinken, Fidan diskutojnë për të ardhmen e Sirisë

Blinken, Fidan diskutojnë për të ardhmen e Sirisë