Speciale/ Operacionet policore e
vrasjet më të bujshme për vitin 2014

Speciale/ Operacionet policore e<br />vrasjet më të bujshme për vitin 2014
LAZARAT, OPERACIONI POLICOR VS REBELËT E MARIUANËS
2014-ta, bie “Republika e Marijuanës” në Lazarat

Beteja më e madhe e nisur nga Policia e Shtetit për të rivendosur ligjin në fshatin Lazarat ose i njohur ndryshe si “Kështjella e pamposhtur” filloi në mes qershorit. Për afro 2 dekada asnjë nga instancat shtetërore të mëparshme, nuk kishte mundur ta kthente “fshatin rebel” të funksiononte në bazë të ligjeve të një shteti ligjor. Superaksioni i policisë së shtetit i shtrirë në shkallë të gjerë, bëri të mundur të bjerë Republika e Marijuanës pas 40 ditë aksion dhe përballje më forcat e rendit. Rreth 800 efektivë nga Forcat Speciale të policisë, RENEA, FNSH-ve, autoblinda, madje edhe helikopterë të gjitha këto të drejtuara nga drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Artan Didi bëri të mundur kontrollin e fshatit nga shteti dhe heqjen e Lazaratit nga harta e zonave te narkotrafikut.

Sulmohet grupi i xhirimit të A1 Report
Aksioni i saponisur në Lazarat natyrisht që nuk mund të mbetej jashtë vëmendjes së mediave. E gatshme për të transmetuar për publikun në kohë reale dhe live çdo moment në brendësi të Lazaratit, por jo vetëm , grupi i xhirimit te A1 Report ra pre e sulmeve rebele, vetëm pse guxuan të njoftonin publikun rreth gjendjes ne Lazarat dhe aksionit te saponisur të policisë.
 
Banditët qëlluan me kallashnikovë në drejtim të gazetarit Gerti Xhaja, operatorit Renis Kele, teknikun e IT Kreshnik Marku dhe shoferit Hair Ismailonji, gjate raportimit live që po bënin me studion e televizionit përmes pajisjes 3 G . Ata u morën peng për disa moment, por arritën të shpëtoheshin nga banorë të fshatit . Makina e A1 Report u dogj dhe i gjithë “episodi” la shije të hidhur, duke mos i shpëtuar syrit të mediave ndërkombëtare , të cilët pasqyruan ngjarjen.

Një ditë pasi u sulmuan 4 pjesëtarë të televizionit A1 Report, banditët sulmuan në ditën e dytë edhe operatorin tjetër të A1 Report Ledio Guni, duke e mbajtur për disa minuta peng.

40 ditë operacion, asgjësohen 72 ton kanabis, Gate Mahmutaj dorëzohet Live
Menjëherë pas përplasjeve të para me armë ku grupi rebel i kriminelëve rezistoi duke qëlluar dhe uniformat blu dhe mbeti i plagosur një polic, ministri i brendshëm Tahiri do të jepte ultimatumin duke kërkuar dorëzimin një orë e më parë pasi në të kundërt ata do të përballeshin me forcën e ligjit.

Gate Mahmutaj i cilësuar si kreu i grupit kriminal në Lazarat u shpall në kërkim nga policia. 47-vjeçari u vetëdorëzua Live në studion e A1 Report vetëm dy ditë pasi kërkohej nga policia e shtetit .
 
Pas vetdorëzimit të Gate Mahmutaj, në ditët që pasuan u bënë edhe 60 arrestime të tjera , ndërsa 40 të tjerë u shpallën në kërkim. Rreth një muaj e gjysmë zgjati aksioni policor, duke përfshirë bashkë në këto ditë dhe asgjësimin e të gjithë drogës, konfiskimin e parcelave të mbjella.

Rezultatet e operacionit në Lazarat
- U asgjësuan 71 ton e 87 kg kanabis sativa
- U asgjësuan 133.567 rrënjëve bimë narkotike,
- U sekuestruan 5 kg lëndë narkotike e dyshuar heroinë
- 53 kg e 750 gram lëndë narkotike e përpunuar (çokollatë),
- 4.395 kg farë kanabis sativa,
- Rreth 16.8 litër vaj hashashi.
- U gjetën 5 laboratorë droge

Gjithashtu u sekuestruan rreth 426 arë zjarri automatike, mitralozë, antitanke , snajpera, kallëpe tritoli etj. Po ashtu gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur dhe 5 laboratorë nga të cilët 2 përpunimi të bimëve narkotike dhe 3 për përpunimin e vajit të hashashit, si dhe 2 inkubatorë ku u sekuestruan 27 llampa për ngrohje.

Armët dhe municionet e sekuestruara në Lazarat
- 426 armë zjarri automatikë (330)
- 27 pistoleta, 2 snajper, 1 mitraloz kundërajror me gjithë shtrat, 30 mitraloza të lehtë- 49 armë të djegura:
- u sekuestruan 240.109 fishekë të llojeve të ndryshme,
- 1258 kallëpe tritol, 763 granata, 361 predha granatahedhësi e murtaje, 19 mina kundër këmbësorisë, 3978 kapsolla detonatore, 1319 ml fitil zjarrpërcjellës, 654 krehra fishekësh, 29 mbushje predhash.
 
MISIONI VAZHDON NË MALËSINË E DUKAGJINIT
Pas supersaskionit të Lazaratit policia nis një aksion të gjerë pas dy muajsh edhe në Malësinë e Dukagjinit në Shkodër të emërtuar “Lazarati II”. Mbi 114 mijë rrënjë kanabis janë asgjësuar gjatë aksionit në qarkun e Shkodrës, ndërkohë, 145 forcave policore operuese, në janë përfshirë në operacion 3 skafe, të cilat do të lëvizin në zonën e Vaut të Dejës, dhe 2 helikopterët të ministrisë së Mbrojtjes.

Edhe në këtë aksion , policia ka hasur në rezistencën e banorëve të zonës, ku ka patur shkëmbim zjarri të vazhdueshëm midis dy palëve. Si rezultat, një helikopter policor është goditur me 7 plumba dhe bëri ulje të detyruar në malësinë e Dukagjinit. A1 Report mundi të zbulojë foto të helikopterit të policisë i qëlluar me 7 plumba ndërsa nga ana tjetër është goditur me një plumb në bisht edhe helikopteri tip Couger i Ministrisë së Mbrojtjes.

Lidhur me sulmet ndaj helikopterëve, policia arrestoi dy persona, Pal Dushku dhe Fatmir Shpati, ndërsa prangosjes nuk i shpëtoi as kryeplaku i fshatit Plan, Gjon Bungu, për moskallëzim të mbjelljes së kanabisit si dhe shpërdorim detyre.
 
VRASJET E BUJSHME, VAZHDOJNË TË JENË PA AUTOR
Krimi godet sistemin banker, vritet Artan Santo
2014 i konsideruar si viti i fitores së shtetit mbi Republikën e Kanabisit do të pasohej nga një anë tjetër e medaljes, ku krimi do të shfaqej agresiv duke sjell viktima për herë të parë në Shqipëri dhe në rangun më të lartë të bankierëve.

E konsideruar si vrasja që tronditi shtetin dhe sistemin bankar do të ndodhte më 26 qershor, në qendër të ish bllokut në kryeqytet në hyrje të selisë qëndrore të Bankës Credins, ku Artan Santo drejtori dhe aksionari kryesor i kësaj banke u eliminua në një atentat mafioz.
 
Santo, u qëllua me armë ndërsa shkonte në zyrën e tij në Bankën Credins, të cilën e drejtonte prej vitesh. Dy persona me motor pa targa Suzuki V-Strom, me skafandra dhe doreza në duar, i bënë pritë Santos para zyrës duke e qëlluar për vdekje me revolver me mulli.

Për këtë ngjarje do të shprehej edhe Ministri i Brendshëm Tahiri, i cili ka kërkuar që të mos politizohej vrasja e bankierit.

Në një dosje voluminoze policia e shtetit dhe prokuroria ka vendosur një sërë pistash për vrasjen e Santos, përfshi dhe atë të një konflikti midis ortakësh ku Santo ishte aksionarë, por pas arrestimit të dy personave të dyshuar dhe lënies së lirë të tyre për mungesë provash, e vetmja përgjigje që është mundur të zbardhet në këtë vrasje është prova se krimi është kryer nga vrasës me pagesë të konsideruar dhe profesionist.
 
BANDA E TRITOLIT 
Prangoset banda e tritolit, rrëfehet Julian Sinanaj
Janari 2014 do të trondiste agjencitë ligjzbatuese ku një kallëzim rutinë për kërcënim jetë do të përfundonte në provën kyçe për të zbardhur e prangosur anëtarët e bandës së ekzekutimeve me pagesë e cila me bazë në qytetin e Vlorës operonte në të gjithë Shqipërinë me 7 anëtarët e saj.

Ishte Ndriçim Gjokona, ai i cili deponoi në polici, duke ndjerë rrezikun se ekzekutimi për të cilin ishin instruktuar të kryenin e më pas paguar, do ti merrte jetën dhe atij. Gjokonaj do të dëshmonte se anëtarët e bandës së tij, ku bënin pjesë Julian Sinanaj, Andon e Genis Mëhillaj, Albin Mexhaj, Marjon Mitro dhe biznesmeni Ilir Karçini kishin planifikuar atentatin ndaj biznesmenit të hidrokarbureve Piro Bare.

Menjëherë pas kësaj dëshmie të Gjokonajt i cili për shumë kohë nuk u mor seriozisht nga drejtues të policisë së shtetit, me urdhër të Prokurorisë së Krimeve të Rënda do të ngrihej operacioni për arrestimin në flagrancë të Sinanaj e më pas dhe shokëve të tij, tashmë nën akuzë dhe pas hekurave për një sërë atentatesh mes tyre dhe ajo e parandaluar ndaj ish Prefektit të Vlorës Besnik Dervishi.

Pas arrestimit të Julian Sinanit, Drejtori i policisë së Tiranës Ardian Cipa, u shpreh se kishin arritur të arrestonin një grup të strukturuar kriminal.

“Banda e tritolit”, vrasje me pagesë dhe me vendosje tritoli
Vrasja e shtetasit Sokol Veizi, më datë 26 gusht 2012 në Orikum të Vlorës;
Vrasja e shtetasit Agron Çela, në datë 20 gusht 2013 në Vlorë.
Vendosje e lëndës plasëse në banesën e shtetasit Ardian Kollozi, më datë 1 qershor 2013 në Vlorë.
Vendosje e lëndës plasëse në automjetin e Prefektit të Vlorës Besnik Dervishi, në datë 13 dhjetor 2013 në Tiranë.
Vendosje e lëndës eksplozive në motoçikletën e shtetasit E.B. në rrugën Transballkanike në Vlorë më datë 24 tetor 2013.
Vendosje e lëndës eksplozive në automjetin e shtetasin E.B. në Vlorë në datë 31 gusht 2013.

Sinanaj: Ekzekutimet sipas porosive të Andon e Genis Mehillaj 
Duke parë se vrasësi me pagesë Julian Sinanaj, rrezikonte të dënohej me burgim të përjetshëm nga drejtësia shqiptare, ai shumë shpejt bëhet edhe bashkëpunëtori i saj sëbashku me të penduarin tjetër Ndriçim Gjokona, duke rrëfyer të gjitha krimet e bëra dhe emrat e porositësve.

Kështu u arrestuan njëri pas tjetrit pjesëtarët e tjerë të grupit, Andon Mëhillaj, Marjon Mitro, Albin Mexhaj, Ilir Karçini dhe Genis Mëhillaj, ku ky i fundit është ende në kërkim nga drejtësia,të cilët ishin edhe porositësit të vrasjeve mafioze të ndodhur në Shqipëri dhe Greqi.
 
BANDA E BABAGJYSHËVE 
Pa u mbushur një javë nga prangosjet e bujshme të anëtarëve të bandës së tritoli, institucionet e sigurisë dhe rendit do të binin në gjurmët e një prej personave me shtetësi shqiptare më të kërkuar në shtetin fqinj Greqi, i cili dyshohej dhe si truri i grabitjes së qendrës tregtare TEG, ku 6 persona të maskuar si babagjysh arritën të grabisnin 400 mijë euro aksesorë floriri në argjendarinë xhelozia.

Policia e Tiranës identifikon “Babagjyshet” kreu Ilir Kupa
Efektivët e Forcave Speciale do të arrestonin Ilir Kupën, i cili pas arratisjes nga burgu i Trikallas në Greqi Marsin e 2013-ës ku pas afro 1 viti arratia e tij do të merrte fund.
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e cilësoi asokohe operacionin e prangosjes së Kupës si të suksesshëm dhe deklaroi se ky arrestim do të zbardhte dhe grabitjen në TEG pasi informacionet e marra në rrugë operative çonin pikërisht tek Kupa.

Por Kupa do ta mohonte në gjyq përfshirjen në grabitjen e TEG, madje duke thënë se nuk kam bërë asnjë grabitje në Shqipëri.

Përballja e Prokurorisë dhe Policisë me bandën e grabitësve të maskuar herë si babagjysh dhe herë si ushtar apo polic do t’i ngjasonte një lojë nervash, ku dhe pse drejtuesi i kësaj bande ishte arrestuar e ndodhej pas hekurave grabitjet në terren ishin intensive. I dënuar me vetëm 8 vite për armëmbajtje pa leje, Kupa arriti të kamuflonte aktivitetin kriminal të anëtarëve të tjerë por kjo do të zgjaste deri në muajin dhjetor kur hetimet nxorën në pah se kryebabagjyshi jepte urdhra dhe nga burgu për 10 anëtarët e tjerë mes tyre të arrestuarit Agustin Sula, Hajdar Sefa, Enea Qerushaj dhe Edmond Selalën.
 
DIVJAKA DHE AVIONI I RIFORMATOS
Rrëzohet “Riformato” avioni në plazhin e Divjakës për drogë
E parë vetëm në skemat e filmave hollivudian, muaji maj do të sillte për Shqipërinë një ndër aksionet ku grupet e strukturuara kriminale kishin kopjuar çdo gjë nga bandën Kolumbiane të drogës ku në pista të improvizuara Avioni Piper me një pilot ngarkojnë drogë dhe e kalojnë nëpërmjet linjave ajrore në tregje dhe destinacione të ndryshme.
Plazhi i Divjakës më 10 Maj do të kthehej në një skenë krimi ku pushuesit në pak çaste do të zëvendësoheshin me forca speciale të maskuara, pasi policia u njoftua për një avion të dyshimtë të ulur në plazh e për persona që po afroheshin me çanta.

Sekuestrohen 460 kg drogë arrestohen 7 nga 8 trafikantët 
Prej javësh ky skenar denoncohej në media nga opozita si mënyra më e re e trafikimit të narkotikëve nga grupet kriminal, por defekti i Avionit Piper të drejtuar nga piloti Italian Giorgo Riformatto do të ishte prova e pakontestueshme se 8 personave mes tyre 7 të arrestuar kishin krijuar linjën e trafikimit ajror të narkotikëve nga Shqipëria drejt Italisë.

A1 Report ishte media e parë e cila solli pamjet e avionit të rënë në plazhin e Divjakës ku më pas në një operacion 24 orësh policia e shtetit do të mund të sekuestronte 460 kg kanabis, 1 avion, 2 automjete dhe prangoste 7 të dyshuar.
 
ATENTATET
Atentat me anti-tank kryekomunarit të Farkës, Fatbardh Plakut

Gjatë 2014-s, pre e një atentati do të binte dhe i zgjedhuri lokal i Partisë Demokratike në Komunën e Farkës, Fatbardh Plaku. Pas sulmit në banesë me një predhë anti-tank Bardhi për mikrofonin e A1 Report deklaroi se ai skish asnjë konflikt dhe priste që shteti të gjinte autorët e t’i merrte në mbrojte familjen.

Durrës, vriten nga nipi i tyre në mënyrë makabre dy të moshuara
Krimet do të preknin dhe qytetin bregdetar të Durrësit ku më 2 shtator ky qytet do të zgjohej i shokuar nga vrasja në mënyrë makabre e dy të moshuarve, përkatësisht Elsa Vava dhe Gjinofeva Vava. Hetimet zgjatën pak kohë dhe policia mundi të arrestojë autorët e masakrës ku rezultoi se vrasja e të moshuarve ishte kryer nga nipi i tyre Artur Kacanolli, si dhe dy shokët bashkëpunëtorë Velson Elmazi dhe Indrit Shaqa.
 
Kostandin Xhuvani sërish në burg, vret 4 persona në Tiranë
Një masakër e vërtetë ndodhi në të gdhirë të së martës më datës 4 nëntor ku në një lokal të njohur për jetën e natës në Tiranë, janë vrarë me armë 4 persona, dhe një nga të arrestuarit si autor i dyshuar është Konstandin Xhuvani, djali i deputetes së Partisë Socialiste, Luiza Xhuvani.

Viktimë mbetën, Arbër Demiraj 19 vjeç, djali i ish-prokurorit Skënder Demiraj, Edison Jaho 36 vjeç dhe Enea Xhaji 38 vjeç dhe bashkë me ta ka humbur jetën dhe një italian në mënyrë aksidentale, Giampaolo Azzola, 55 vjeç. Vetëm pak minuta pas krimit polici arriti të arrestojë 3 persona si të dyshuar për vrasjen e 4-fishtë, por i vetëm që u mbajt në qeli ishte Konstandin Xhuvani.

Banda e Kromit, ekzekutim për larje hesapesh
Bandat e kromit ekzekutojnë në mënyrë mafioze një 38-vjeçar me 8 plumba mbrëmjen 5 nëntorit në kryeqytet. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:00 pranë “Rrugës Kavajës”, teksa Shkëlzen Leka ishte i ulur në një bar-kafe. Grupi hetimor thanë se nga mënyra e atentatit dhe sasia e plumbave të derdhur mbi Lekën, dyshimet janë të forta se vrasja lidhet me hakmarrjen. Ndërsa, nuk përjashtohet pista e konflikteve në grupet kriminale që kontrollojnë biznesin e kromit në Bulqizë, ku ndërmjet bandave ku bënte pjesë Shkëlzen Leka dhe ish-i forti i Bulqizës Gjin Nika përplasjet vazhdojnë prej 4 vitesh.

Vrasje mafioze në Kamëz, Vritet në sy të fëmijës, Qerim Skaci
Vritet në sy të fëmijës në Kamëz 50-vjeçari ,Qerim Skaci, i cili u qëllua me dy plumba pistolete mëngjesin e 16 dhjetorit. Sipas policisë, viktima Skaci rezulton se ka qenë një person me precedentë penalë, dhe se dyshohet se atentati ndaj tij mund të ketë ndodhur për konflikte të mëparshme.

Vriten dy grabitës brenda një banese nga pronari 
Tentativa për të grabitur një vilë në zonën e Selitës në kryeqytet, i ka marrë jetën dy të rinjve, të cilët janë qëlluar për vdekje me armë nga i zoti i shtëpisë Flamur Ymeri. Ervin Shaba dhe Gëzim Luli mbetën të vrarë brenda ambienteve të shtëpisë së Ymerit, por prokurorët dyshojnë për fshehje të provave. Në njërin prej dy viktimave, rezulton se vrasja është kryer nga një armë tjetër, e cila nuk është sekuestruar nga grupi hetimor. Këto fakte të zbuluara nga grupi i ekspertëve të kriminalistikës, ka bërë të bie poshtë alibia e grabitjes nga dy të rinjtë, duke kaluar te pista e tjetër që, mund të jetë ajo e vrasjes së Flamur Ymerit.


Shkodër, vriten 2 persona plagoset një i tretë
Dy persona kanë mbetur të vdekur gjatë një atentati me armë zjarri në qytetin e Shkodrës. Viktima të kësaj ngjarje janë Edmond Batra, 40 vjeç dhe Edmir Aliaj, 37-vjeçar, ndërsa i plagosur rëndë ka mbetur Amarildo Pirani 20-vjeç, nipi i Aliajt. Ekspertët e hetimit të Krimeve të Rënda, duke parë mekanizmin e ngjarjes kanë hedhur dyshime se atentati është kryer nga vrasës me pagesë. Atentatit me dy të vdekur dhe një të plagosur ka pasur si objektiv të sapokthyeri nga Italia në Shqipëri, Edmond Batri, i cili ka qenë i dënuar më parë për vrasje, e kryer në vitin e largët 1999 në Shkodër.
 
AKSIDENTET RRUGORE
Aksidentet rrugore bilanc tragjik, vdesin 6 persona në Kukës

Përgjatë 2014-ës viktima do të shënoheshin dhe në aksidente rrugore, ku nuk do të mungonin në të gjithë Shqipërinë përfshi atë me 6 persona fshatin Topojan të Kukësit teksa një furgon pasagjerësh doli nga rruga.

Humb jetën Ation Zhiti, djali i Visar Zhitit
Në një aksident emëngjesin e 20 dhjetori në kryeqytet do të humbte jetën Atjon Zhiti djali i poetit dhe ish-ministrit të kulturës,Visar Zhiti.

Aksident te Komuna e Parisit, vdes djali 11-vjeçar i Avenir Pekës
Aksidenti i mbrëmjes së 29 dhjetorit ku do të humbte jetën 11-vjecari Rubin djali i ish- zv/ministrit të Brendshëm Avenir Peka, pasi makina me të cilën udhëtonte familja Peka u godit nga pas nga një automjet i drejtuar në gjendje të dehur nga Uarda Çota e arrestuar për ngjarjen.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Protesta e PD/ Përplasje te Pallati me Shigjeta,  Policia tenton të shpërndajë protestuesit

Protesta e PD/ Përplasje te Pallati me Shigjeta, Policia tenton të shpërndajë protestuesit