Reforma më e rëndësishme në arsim për vitin 2014 ishte mbyllja e 24 universiteteve , 18 prej të cilave ishin private dhe 6 filiale publike. Ndërsa 13 universitete private u pezulluan deri në një afat dy vjeçar. Edhe arsimi parauniversitar dhe parashkollor kaluan nëpër një sitë të hollë. Qindra  mësues u larguan nga vendi i punës pasi jepnin mësim jashtë profilit të studimit, ndërsa 5000 mësues të tjerë iu nënshtruan konkurseve dhe testimit për një vend pune.
 

Më 21 janar të vitit 2014 u themelua Komisioni për Reformën në Arsimin e Lartë, i përbërë nga teknicienë e personalitete nga bota akademike, të cilët do të jepnin sugjerime për mënyrën sesi do të zhvillohej reforma në sistemin arsimor universitar.
 
Në muajin shkurt Ministria e Arsimit nisi monitorimin e universiteteve. Nga qyteti i Korçës ministrja Nikolla deklaroi së të gjitha universitetet që japin diploma jashtë standardit nuk do të kalojnë pragun e cilësisë. E fjala e saj u realizua në gusht të 2014, ku 23 universiteteve i hiqet licenca.
 
Gjatë vitit 2014 në shkollat 9-vjeçare u implementua projekti pilot “Shkollat si Qendra Komunitare”, ku pjesë e këtij projekti, është edhe vënia në funksionim e sistemit të regjistrit elektronik. Nëpërmjet këtij regjistri mblidhen të dhënat e çdo nxënësi, ku ka akses çdo prind për ecurinë e fëmijës së vet.
 
Pjesë e sistemit arsimor  në vitin 2014 u bë edhe programi inovativ “ Sporti në shkolla”. Më 24 mars qeveria shqiptare ftoi Mjeshtrin e Madh të Shahut botëror, ish-kampionin e botës, Geri Kasparov. Ish-kampioni i botës Kasparov vizitoi shkollën 9-vjeçare “Pjetër Budi” ku zhvilloi disa mësime shahu me nxënësit e kësaj shkolle.
Nga kjo shkollë Nikolla premtoi se lënda e shahut do të jetë pjesë e kurrikulave mësimore.
 
Provimet e maturës u zhvilluan në periudhën 30 maj deri 18 qershor. Provimet u zhvilluan në masa të rrepta sigurie, administratorët për monitorimin e testeve vinin nga rrethe të ndryshme për të shmangur njohjet e maturantëve. Por pavarësisht kontrollit të rreptë për  maturantët për celular, kopje dhe dokumente identifikimi, përsëri në disa qytete të vendit u konstatuan shkelje. Në Drejtoritë Arsimore të Kukësit dhe Durrësit u konstatuan maturantë me karta identiteti falco, ndërsa në qytetin e Krujës, Elbasanit, Pogradecit dhe Vlorës 13 nxënës iu gjet celulari.
 
Ketë vit akademik në sistemin parauniversitar u rikthyen klasat sportive. Gjatë prezantimit të projektit “Tirana Olimpik Park” Nikolla deklaroi se kurrikulat mësimore do të rishikohen për lëndën e edukimit fizik. Prej muajit shtator në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme lënda e edukimit fizik u fut me 3 orë në javë. Ndërsa të gjithë mësuesit e kësaj lënde iu nënshtruan trajnimeve të avancuara.
 
Reforma në Arsim ka sjellë debat gjatë gjithë vitit 2014. Në 7 maj dekanët e fakultetit të Universitetit Politeknik i kërkuan komisionit të posaçëm për reformën në arsimin e lartë që të rishikohet sistemi i Bolonjës, dhe ata të zgjedhin vetë formulën që aplikojnë. Gjatë një takimi të zhvilluar me stafin akademik të Politeknikut, u vu theksi që thelbi i reformës është përmirësimi i cilësisë së diplomave që universitetet lëshojnë.
 
Një tjetër sfidë ka qenë ajo e çrrënjosjes së kurseve private që zhvillojnë mësuesit e shkollave shtetërore. Ministrja u kërkoi nxënësve ne muajin maj të denoncojnë të gjitha rastet e mësuesve që zhvillojnë kurse private, duke e konsideruar një veprim korruptiv. Deklarata është bërë gjatë një takimi me nxënës të gjimnazeve të kryeqytetit në kuadër të projektit “Qytetarë kundër Korrupsionit”, të mbështetur nga ambasada amerikane
 
Dita dedikuar fëmijëve, festa e 1 qershorit është festuar me një sërë aktivitetesh të organizuara nga institucione të ndryshme shtetërore. Kështu, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë e ka organizuar këtë aktivitet në formë bashkëbisedimi mes fëmijëve dhe kreut të këtij dikasteri Erjon Veliaj.
 
Ndërsa nga ana tjetër Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli zhvilloi një aktivitet me fëmijët e ushtarakëve në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes, duke deklaruar se e ardhmja e fëmijëve do të jetë më e sigurt. Aktivitete janë zhvilluar edhe nga ministria e Arsimit, si dhe shkollat dhe kopshtet e kryeqytetit, duke përçuar mesazhin e  mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.
 
MAS, MARRVESHJE PER ARSIMIN, ERASMUS & HORIZON 2020

Në qershor të vitit 2014 Shqipëria u bë pjesë e programit Erasmus të Komisionit Evropian për arsimin. Kjo marrëveshje e bëri Shqipërinë pjesë të këtij programi komunitar, prej 14.7 miliardë Eurosh në një periudhë 7-vjeçare që synon të nxisë modernizimin e sistemeve arsimore, mundësi për studentë praktikantë dhe personelin akademik për të studiuar jashtë vendit, dhe mbështetje për sportin dhe aktivitete rinore.
 
Pas nënshkrimit të marrëveshjes Erasmus në qershor, një tjetër marrëveshje u nënshkrua në korrik në fushën e Arsimit. Në fillimi të korrikut ministrja e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla nënshkroi në Bruksel marrëveshjen “Horizont 2020”, program i BE-s për kërkim dhe inovacion.  “Horizon 2020” ofroi financime prej 80 miliardë Euro për një periudhë 7-vjeçare (2014-2020), përveç financimeve që do të mund të sigurohen prej investuesve privatë. 
 
GUSHT, TRONDITET ARSIMI, MBYLLEN 24 UNIVERSITETE
Tërmeti në sistemin arsimor universitar ndodhi në fillimit të gushtit. MAS publikoi  raportin mbi  verifikimin e kritereve të ligjshmërisë së Institucioneve të Arsimit të Lartë. 18 universitete private u mbyllën për shkak se nuk plotësonin kriteret ligjore të arsimit të lartë. Një pjesë e tyre nuk kishën dokumentacionet e duhura, ndërsa disa të tjerave iu mungonin programet mësimore të degëve të studimit. Nga ana tjetër 13 universitete të tjera private iu pezullua aktiviteti me një afat dy-vjeçar deri në plotësimin e kushteve. Ende pa kaluar tre muaj nga ky vendim, në 30 tetor Këshilli i Ministrave merr vendimin për heqjen e masës së pezullimit për gjashtë institucione private të arsimit të lartë.
 
Por edhe universitetet publike nuk shpëtuan dot nga reforma në arsimin e lartë. Në 4 gusht Këshilli i Ministrave mbyll edhe 6 filiale shtetërore, atë të Kuksit, Sarandës, Peshkopisë, Pogradecit, Lushnjes dhe Gjirokastrës. Gjatë kontrollit të këtyre filialeve u konstatua, se mësimi zhvillohej jashtë çdo standardi mësimor, pa lëndët përkatëse, pa dokumentacione dhe pa programe mësimore.
Të gjithë universitetet e mbyllura kishin kusht që deri në 1 shtator të pajisnin studentet me të gjitha dokumentacionet e nevojshme për transferimin e studimeve në një universitet tjetër.
 
Por pavarësisht kushtit, disa universitete private nuk respektuan afatet. Qindra studentë dolën në protestë për mungesë të dokumenteve.
Ministria e Arsimit dhe Sportit u detyrua të shtyjë afatin e transferimit të studentëve të universiteteve të mbyllura në universitetet e tjera, nga data 10 shtator në datën 13 tetor.
Sorollatja e tyre për marrjen e dosjes, bëri që viti akademik të fillonte një muaj me vonesë
Për herë të parë Ministria e Arsimit akordoi kuota studimi për grupet e veçanta që kanë statusin e të verbrit, jetimit, invalidëve para dhe tetraplegjikë , si dhe për romët dhe egjiptianët.
 
ARSIMI PARAUNIVERSITAR, 2278 MESUES LARGOHEN NGA PUNA
Edhe arsimi i mesëm kaloi nëpërmjet një reforme të thellë. 2278 mësues jashtë profilit u larguan nga puna. Për vendet e lira në sistemin arsimor Ministria e Arsimit prezantoi në 12 nëntor Portalin “Mësues për Shqipërinë” , ku të gjithë të interesuarit mund të aplikonin për një vend pune në arsimin parauniversitar. Aplikimi do të ishte i hapur deri më 27 nëntor, më pas mësuesit aplikues iu nënshtruan testimit.

​KONKURS PER NJE VEND PUNE, PORTALI “MESUES PER SHQIPERINE”
Më 6 dhjetor 5217 mësues në të gjithë vendin, të cilët kishin aplikuar në Portalin “Mësues për Shqipërinë” iu nënshtruan testimin. Kryeministri Rama deklaroi asokohe se konkursi do jetë i bazuar në meritë .Vlerësimi i testeve u realizua nga  120 vlerësues në 25 profile të ndryshme. Rezultatet e këtij testimi u bën publik më 17 dhjetor, ndërsa të gjithë fituesit do të fillojnë punë në janar të 2015.
 
Sipas një studimi nga UNICEF në vitin 2014 rezultoi se vetëm 15% e fëmijëve kishën akses në shërbimet e çerdheve, ndërsa përqindja  e fëmijëvë që shkonin në kopshte në nivel kombëtar arrinte në 50 %. Që çdo fëmijë të përfshihej në arsimin parashkollor cilësor, Ministria e Arsimit dhe Sportit  prezantoi në nëntor reformën në sistemin parashkollor në Shqipëri , e cila synon rritjen e cilësisë së shërbimit dhe edukimit të fëmijëve.
 
Një tjetër reformë e cila u realizua për herë të parë nga Ministria e  Arsimit, ishte analiza e maturës 2013-2014, e bërë publike në fund të nëntorit. Nga analiza rezultoi se qarku i Tiranës kishte kalueshmëri më të ulët, ndërsa Delvina kalueshmërinë më të lartë me 98.32 %. Një nga lëndët me zgjedhje që pati  rezultatet më të mira ishte Fizika bërthamë, ndërsa ajo që duket sa ju ka shkaktuar problem maturantëve ka qenë Biologjia bërthamë dhe Gjeografia  e thelluar.
 
Nisma “Të festojmë së bashku” përmbylli këtë vit arsimor, ku shkollat e vendit zhvilluan aktivitete dhe mblodhën dhurata për fëmijët në nevojë. Arsimi është investim kombëtar, ndaj çdo reformë duhet të kryhet me seriozitetin e duhur. Rilindësja e madhe shqiptare Sevasti Qiriazi ka thënë:  “Lum ai njeri që zbraz qesen e tij për dituri, sepse ajo nuk mund të merret as të vidhet prej askujt ”.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)