Kualifikimi i kombëtares së futbollit për në fazën play-off të Botërorit mund të konsiderohet si momenti kulmor për sportet në Shqipëri gjatë vitit 2025. Por në arenën ndërkombëtare vendi la gjurmë dhe në një disiplinë ku flamuri shqiptar nuk ishte ngritur më parë, atë të skive, falë italo-shqiptares Lara Colturi. Dy të huaj të tjetër, të natyralizuar rusët Chermen Valiev dhe Zelimkhan Abakarov, do t’i sjellin vendit medalje dhe në mundje
***
Në një grup me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën, për të gjithë është e qartë që në fillim se lufta do të jetë për vendin e dytë. Dhe se nuk do të jetë aspak e lehtë, me një rival si Serbia.
Kombëtarja vinte në këtë fazë pas një paraqitjeje zhgënjyese në Ligën e Kombeve, e renditur e fundit.
Ndeshja e parë e eliminatoreve nis po ashtu me një disfatë. Në mitikun Uembli, ndaj ndër më të fortëve të globit, Anglisë, kombëtarja del nga fusha me dy gola të pësuar.
Humbja në Uembli, në ndeshjen debutuese të Thomas Tuchel si trajner i ‘Tre Luanëve’, nuk shihet si diçka e papritur. Por ajo që shqetëson është se ekipi nuk po prodhonte lojë. Trajneri Sylvinho, bëhet objekt i kritikave të shumta.
“Duhet të ndryshojmë mënyrën e lojës, rivalët na e dinë lojën dhe nuk na lënë të godasim portën. Unë besoja se do kishte emra të tjerë, kjo nuk ndodhi. Motivimi dhe angazhimi ishin. Kur ti ke më shumë respekt për kundërshtarët, atëherë ti nuk ke mënyrë për të dalë me pikë. Ideja ime është që të bënim diçka ndryshe, me presion dhe lojë fizike. Unë dje do kisha luajtur ndryshe. Do kisha provuar një lojë ndryshe, që rivalët nuk e prisnin”, thonte Altin Rraklli.
Për fat, ndeshja e dytë në grupin kualifikues është pas tre ditësh, dhe në Air Albania, përballë është Andorra. Një ‘dopietë e Rey Manajt dhe një gol i Uzunit, rikthen ekipin te fitorja.
“Folëm që në stërvitje që duhet të gjenim golin që në 10 minutat e parë që ndeshja të ishte më e lehtë. Asllani futi një super top dhe shyqyr shkuam 1-0. Jam i kënaqur për tifozët, të gjithë lojtarët si Shehu që e kishte ndeshje të parë. Pajaziti. Rikthimi i Brojës, Uzuni që gjeti golin, Asllani super ndeshje. Jam i kënaqur për të gjithë çunat”, thonte Manaj.
“Huuuu. Të them të drejtën jam shumë shumë i lumtur për këtë gol, sepse kisha shumë kohë që e prisja. Falenderoj tifozët për mbështetjen e madhe dhe besoj se tani kthehet edhe besimi. Shpresoj të shënoj sa më shumë gola siç bëja me klubin”, shprehej Myrto Uzuni.
Ndeshja e radhës për Kombëtaren, pas 3 muajsh, nuk është si çdo përballje tjetër. Një fitore në shtëpi me Serbinë, konkurrenten e drejtpërdrejtë për vendin e dytë, do të vlente shumë me tepër se tre pikët në tabelë.
Kërkesat për bileta janë sa shumëfishi i kapacitetit të Air Albania-s. Çmimi shkon mbi 25 mijë lekë. Në atë përballje djemtë kuqezinj do të tregojnë karakter, duke dominuar kundërshtarin dhe duke prodhuar disa mundësi të arta.
Në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, Manaj gabon penalltinë. 45 minutat e dyta nuk sjellin dot golin dhe ndeshja mbyllet në barazim.
“Jam i zhgënjyer për rezultatin, por jam shumë krenar për mënyrën se si jemi paraqitur. Në këto 1-2 vitet e fundit ka qenë ndeshja më e mirë që kemi bërë. Ishte zgjedhja ime që Manaj të gjuante penalltitë. Edhe ju besoj jeni krenarë për atë që bëri kjo skuadër”, thonte Sylvinho, trajner i kombëtares.
Barazimi dhemb, edhe sepse renditja në grup nuk është premtuese. Ndeshja pasuese me Letoninë, në shtëpinë e kësaj të fundit, do të jetë një moment shumë delikat. Një sfidë që duhet fituar patjetër për të shpresuar kualifikimin në ‘play-off’ të botërorit, por fusha nuk jep këtë verdikt, duke komplikuar më tej situatën.
Pas barazimit 1-1 me Letoninë lindën dyshime të mëdha rreth trajnerit Sylvinho, i cili më herët kishte arritur ta kualifikonte kombëtaren në Evropian.
“Kur erdhi Sylvinho arriti të bënte një skuadër, që funksiononte si skuadër, ndërsa sot shoh që nuk funksionon si skuadër. Grupi nuk e ka atë harmoninë që kishte. Nuk është më ajo energjia pozitive”, analizon Rudi Vata.
Në shtator sfida e dytë ndaj Letonisë, këtë herë në Tiranë, vjen me shumë ankth. Megjithatë fusha e gjelbër e Air Albania-s më 9 shtator flet për kuqezinjtë dhe kjo falë Kristjan Asllanit i cili ekzekuton saktë penalltinë dhe vulos fitoren 1-0. Tre pikët mbajnë gjallë shpresat për kualifikimin në ‘play-off’.
Pas fitores një ndjenjë çlirimi vihet re lehtësisht si tek futbollistët ashtu edhe te trajneri Sylvinho, i cili me çdo rezultat tjetër do të dilte nga objektivi dhe rrezikonte shkarkimin.
Kristjan Asllani, futbollist i Kombëtares: “Për ne kjo ishte një finale. Jam i lumtur për të gjithë ekipin, se kemi punuar mirë këto ditë dhe jemi fokusuar shumë. Tre pikët janë gjithçka që vlejnë.”
Sylvinho, trajner i kombëtares: “Ishte një ndeshje vendimtare. Kemi bërë një hap të rëndësishëm para duke marrë 3 pikët. Të kualifikohesh në evropian është e vështirë dhe të shkosh në botëror është akoma më e veshtirë. Të jesh në garë në muajin tetor është arritje.”
Rruga drejt kualifikimit megjithatë vijon të jetë e përpjetë. Para është ndeshja vendimtare, me Serbinë, në fushën e saj. 11 vite pas ngjarjeve të turpshme të Beogradit, përballja do të luhet në stadiumin e vogël të Leskovacit.
Minuta e 46-të e pjesës së parë, në të njëjtën minutë në të cilën Manaj kishte humbur penalltinë në Tiranë, sulmuesi gjuan brenda zonës, në një pozicion të vështirë. Portieri serb nuk ka çfarë bën, dhe topi përfundon në rrjetë.
Goli dhe përshëndetja e sulmuesit kuqezi me shenjën e shqiponjës në shtëpinë e serbëve janë për momentin dhurata më e madhe e kësaj kombëtareje.
Elseid Hysaj, futbollist i Kombëtares: “Kam pritur 11 vite për të marrë rezultat këtu. E morëm dhe është kënaqësi e madhe. Rezultat shumë i mirë për ne se kishim nevojë për këtë fitore, për të besuar te kualifikimi në Botëror.”
Kristjan Asllani, futbollist i Kombëtares: “Shumë i kënaqur sepse erdhëm këtu për ta fituar ndeshjen. Ia dolëm ndaj një skuadre të fortë. I lumtur për vete, për skuadrën dhe për të gjithë shqiptarët.”
Sylvinho, trajner i Kombëtares: “Ka patur shumë presion, duke nisur nga përgatitjet dhe deri tek ndeshja, por mund të them se është një fitore e rëndësishme, e paharrueshme. Kemi mundur një kundërshtar shumë të fortë, të vështirë, jemi në lojë, por nuk ka mbaruar asgjë. Jam krenar sepse shkojmë tek dy ndeshjet e fundit, duke luftuar për ‘play-off’.”
Festa që shpërtheu pas fitores me Serbinë ishte e jashtëzakonshme. Në Tiranë tifozët kuq e zi, të mbledhur para stadiumit, ‘dogjën’ kryeqytetin pas suksesit në Leskovac, që shkonte përtej 3 pikëve.
Qetësi nuk pati as në aeroport. Me qindra tifozë qëndruan deri në orët e para të mëngjesit në pritje të heronjve që korrën fitore e madhe në Serbi. Kjo edhe pse në fund morën thjeshtë një përshëndetje nga autobuzi.
Rruga drejt Play-off-it duket tanimë e hapur. Pengesa e fundit për t’u kaluar është Andorra, në shtëpinë e kësaj të fundit. Serbia e cila është 1 pikë më pak, luan në transfertë kundër Anglisë. Llogaritë janë të qarta. Shqipërisë i duhet me çdo kusht fitorja. Anglia mjafton të bëjë detyrën, dhe të mundë Serbinë. Në rast të kundërt, gjithshka vihej në pikëpyetje serioze.
13 nëntori do të rezultojë dita në të cilën kombëtarja për herë të parë në histori siguron ‘play-off-in’ e një Botërori.
Shqipëria fitoi 0-1 kundër Andorrës.
Serbia humbet kundër Anglisë.
Pas 3 ditëve, me kualifikimin në xhep, Kombëtarja do të luajë ndeshjen e fundit në grup kundër Anglisë në Air Albania. Një ndeshje e përgatitur më së shumti si festë, pasi të dy përfaqësueset e kanë arritur objektivin. Sërish Anglia arrin të fitojë. Golat e Kane në minutën e 74 dhe 82 vulosën fatet e sfidës.
Ardian Ismajli, futbollist i Kombëtares: “Kemi bërë 70 minuta jashtëzakonisht të mirë. Në pjesën e dytë me pak fat, me Arbër Hoxhën patëm mundësi të kalonim edhe në avantazh.”
Ylber Ramadani, futbollist i Kombëtares: “Mendoj që bëmë maksimumin, por morëm një gol shumë naiv që s’duhet ta merrnim dhe më pas u prishën ekulibrat.”
Sdean Henderson, portieri i Anglisë: “Patëm disa probleme kur Shqipëria kundërsulmonte. Ndeshja u luajt në një atmosferë shumë të mirë dhe ne arritëm ta mbajmë portën të paprekur në fund të kualifikueseve. Mendoj se ishte një test i mirë.”
Në përfundim të eliminatoreve, pas 6 ndeshjes, Shqipëria renditet e dyta në grup me 14 pikë, 1 më shumë se Serbia e vendit të tretë, ndërsa Anglia e vendit të parë u kualifikua direkt në botëror me pikë të plota.
Eliminatoret e Botërorit sollën një përplasje të fortë mes Federatës dhe Tifozëve Kuqezi, të cilët për herë të parë pas 21 vitesh nuk mundën të mbështesnin të organizuar kombëtaren në stadium. Federata nuk u mundësoi më bileta, me pretendimin se nuk mund të favorizoi grupe të caktuara tifozësh dhe të gjithë duhet të jenë të barabartë para portalit ku blihen. Megjithatë sipas përfaqësuesve të TKZ-së, në prapaskenë ka probleme të tjera dhe se kjo bëhet si shënja hakmarrje nga FSHF-ja.
Marjan Aliaj, Tifozat Kuq e Zi: “Na kanë kërkuar ndër të tjera që mos na kundërshtoni në publik. Normalisht ne kemi mbajtur linjën tonë si tifo-grup. Mos na kundërshtoni për organizimin e Evropianit U-21 me Serbinë, por kjo binde ndesh me parimet tonë dhe ishte pikë e panegocionueshme për ne. Kjo ka qenë pika e thyerjes që po shpërfaqet haptazi në këto dy ndeshje.”
Me kualifikimin historik në ‘play-off’ të Botërorit, njëjtë si Kosova, rëndësi të jashtëzakonshme merr shorti i 20 nëntorit ku Shqipëria do të mësojë rivalët. Goglat e rrotulluara në Zyrih vendosën që kuqezinjtë fillimisht më 26 mars të përballen me Poloninë dhe në rast se kualifikohen në finale do të ndeshen me fituesin e çiftit Ukrainë-Suedi më 31 mars.
Më konkretisht, për të shkuar për herë të parë në finalet e një kampionati botëror, Shqipërisë i duhet të fitojë edhe dy përballjet në fjalë që do të luhen jashtë fushe.
Sylvinho, trajner i Kombëtares: “Të 4 skuadrat e grupit tonë janë të forta. E njohim Poloninë dhe ata na njohin shumë mirë ne. Me Ukrainën kemi luajtur në Ligën e Kombeve, ndërsa edhe me Suedinë jemi përballur në një miqësore. Mund të them që të 4, duke nisur nga Polonia, janë shumë të forta, pasi kanë lojtarë me cilësi.”
Armand Duka, kreu i FSHF-së: “Ashtu si erdhën punët në short nuk do më pëlqente grupi i parë, që ishte një ndeshje në Uells dhe ndaj një kundërshtari të mundshëm si Italia. Të gjithë më duken shumë të fortë. Ne në letër s’jemi skuadër favorite për ta kaluar këtë play-off, por gjithsesi do të bëjmë maksimumin. Futbolli nuk është matematikë.”
Më 5 dhjetor në Uashington u hodh edhe shorti i grupeve të Botërorit ku Shqipëria nëse kualifikohet nga ‘play-offet’ do të jetë në grupin F bashkë me Holandën, Tunizinë dhe Japoninë.
Komente








