SPECIALE/ Tradita e qelqit ‘fle’ në raftet e koleksionistëve! Artizanët e Venecias ‘leksion’ shqiptarëve për ruajtjen e traditës

Nuk është e vërtetë bota brenda një cope xhami, ndonëse gjithçka sheh përtej tij të duket e përkryer.

Pavarësisht gojëdhënave, që datojnë prej Egjiptit të lashtë, produktet më të vjetra të qelqit që janë gjetur i përkasin mijëvjeçarit të  III para Krishtit. Këto janë rruazat e qelqit.

Prodhimi dhe përpunimi i tij u shtri në mbarë botën, por zejtarët më të famshëm njihen në ishullin e vogël të Venecaias, në Murano që prej shekullit të 13-të e deri më sot. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta ishte në një prej këtyre punishteve. Mjeshtri Andrea Zaneti tregoi se si prodhohet një gotë në 4 minuta.

Ndryshe nga Venecia, Shqipëria këtë traditë e ruan vetëm në raftet e koleksionistëve. Një prej tyre e kemi gjetur në Korçë.

Mirgen Shamlli ka përfunduar studimet për Agronomi, profesioni i tij është kuzhinier, por pasioni për të koleksionuar e ka shndrruar në njeriun që risjell të shkuarën e prodhimit të qelqit në të gjitha fabrikat e vendit, kryesisht asaj të Korçës.

Ai tregon disa nga shishet e aranxhatës, forma është e njëjtë por u ndryshon ngjyra.

Mirgeni veçon dy prej tyre, njërën që ka ngjyrë jeshile dhe tjetra që është prodhuar për Lojrat Olimpike në vitin 1986, një bashkëpunim i Fabrikës së Kavajës dhe asaj të Korçës.

"Byroja e modeleve vendosi për modelin dhe logon. Më pas kjo pije freskuese është eksportuar"- tregon koleksionisti Mirgen Shamlli.

Kavanoza për reçel e komposto, shishe qumështi e kosi, shishet e konjakut e të verërave të ndryshme, mbajtëse lulesh dhe prodhime jashtë serie, kanë uji me etiketë të vitëve 1975,gota uji e likeri, vazo zbukuruese,  janë disa nga objektet e ekspozuara në banesën që Mirgeni ia ka huazuar një familjeje korçare.

"Kjo mbajtëse lule është e rrallë. Është kristal, prodhuar në Korçë. Linja e prodhimit të kristalit funksionoi vetëm në vitet 1988-1990."-shpjegon Mirgen Shamlli.

Këto objekte i përkasin industrisë së prodhimit të qelqit shqiptar që u ngrit tërësisht pas çlirimit.

Fabrika e parë e qelqit u ngrit në Korçë më 1954, më pas u ngritën edhe tri fabrika të tjera të reja: në Kavajë, në Tiranë dhe fabrika e llambave elektrike në Vlorë.

Qendra më e madhe e industrisë së qelqit në Shqipëri, u ngrit më 1970 në Kavajë. Aty ishin linjat e prodhimit të xhamit, të ambalazheve dhe prodhimeve prej qelqi për përdorim të gjerë.

U përdoren lëndë të para vendi, si rërë kuarcore, sodë e kalcinuar, dolomit etj. Në këto fabrika u prodhuan disa lloje qelqesh e qindra artikuj. Teknologjia përfshinte automate për formimin e ambalazheve, xhamit, poçeve të llambës e tubave, pajisje automatike për kontrollin e proceseve teknologjike etj. Më 1982 kundrejt vitit 1975 artikujt e konsumit të gjerë u rritën 26% sipas informacioneve të asaj kohe. Madje u planifikuan që të ngriheshin fabrika të tjera ku të prodhoheshin lloje të reja qelqi, si qelq kristal, qelq elektroteknik etj.

Por kjo nuk ndodhi me ardhjem e demokracisë, përkundrazi, të gjitha fabrikat u mbyllën, për të mos u hapur më kurrë.

Këtë vit emri i ish-fabrikës së qelqit në Kavajë u dëgjua përsëri, jo për famën e dikurshme por për zjarrin që shkrumboi atë cka ka mbetur nga rrënimi dhe braktisja e 30 viteve të fundit.

Fatmirësisht jo të gjitha objektet e qelqit kanë pësuar të njëjtin fat, falë koleksionistëve.

"Këtë pjatën e vogël e kam gjetur së fundi. Është një objekt i veçantë i prodhuar në fillimet e fabrikës së dytë të qelqit në Korçë. Kjo pjatë shërbente vetëm në raste festash familjare"-tregon koleksionisti Shamlli.

Mirgen Shamlli mundohet të koleksionojë gjithcka të historisë së qelqit. Ai ka botuar edhe katalogun e qelqit shqiptar ku ka ekspozuar mbi 6000 objekte të kolesionuara deri në vitin 2019.

"Këto tre vitet e fundit janë shtuar. Soj kam rreth 9 mijë objekte të koleksionuara"-shpjegon Mirgen Shamlli i cili njofton se së shpejti do të botojë pjesën e dytë të albumit me koleksione të qelqit.

Në ekspozitorët e Mirgenit gjen edhe koleksione të qeramikës sepse siç thotë ai, fillimet e prodhimit të qeramikës në vend lidhen ngushtë me prodhimin e qelqit.

Më shumë se përfitim të ardhurash koleksionisti nga Korça, kërkon që e tashmja dhe e ardhmja të mos jenë të ndara nga e shkuara, koha kur në Shqipëri kishte artizanë, edhe të qelqit.

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ Organizonin baste dhe lojëra fati, vihen në pranga 6 persona

Tiranë/ Organizonin baste dhe lojëra fati, vihen në pranga 6 persona