Disa dronë të paidentifikuar janë parë mbi 3 baza ajrore në Britaninë e Madhe, ka konfirmuar Forca Ajrore e SHBA (USAF).
Incidentet, u raportuan mbi RAF Lakenheath dhe RAF Mildenhall në Suffolk, si dhe RAF Feltwell në Norfolk fqinj.
USAF, e cila përdor bazat, tha se nuk ishte ende e qartë nëse dronët përbënin një kërcënim. Ata gjithashtu nuk komentuan nëse janë përdorur mekanizma mbrojtës, por theksuan se ata ruajnë "të drejtën për të mbrojtur" objektet e tyre.
"Ne mund të konfirmojmë se dronët u vunë re pranë dhe mbi baza. Kishte disa prej tyre, dhe ata ndryshonin në madhësi dhe konfigurim. Ne i monitoruam në mënyrë aktive dhe menaxhmenti i bazës arriti në përfundimin se asnjë nga inkursionet nuk preku banorët e bazës apo infrastrukturën kryesore. Vazhdojmë të monitorojmë hapësirën tonë ajrore dhe të punojmë me autoritetet lokale për të garantuar sigurinë e personelit, objekteve dhe pajisjeve”, tha një zëdhënës i USAF Europe./Kosovapress