Vetëm dy u dënuan dhe këta me nga 12 muaj burg secili, për viktimat Ziver Veizi e Faik Myrtaj, ndërsa për të tjerët nuk është bërë e mundur të vërtetohet akoma, se kush i ka kryer. Ky është përfundimi i arritur nga Drejtësia jonë, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor dhe asaj të Apelit të kryeqytetit, kur pas kërkesës ankimore të organit të prokurorisë, sipas një deklarate në Shkodër në mesin e shkurtit 2015, të Kryetarit të saj Xhezair Zaganjori, pritet gjykimi dhe vendimi përfundimtar i Gjykatës së Lartë.
Dy nga autorët, ish-kreu i Gardës, Ndrea Prendi e gardisti Agim Llupo, vërtetë u dënuan me nga 12 muaj burg për vrasje nga pakujdesia, kur dispozita e nenit 85 të Kodit Penal përcakton gjobë ose burg gjer në pesë vjet, por ajo është krim kundër jetës dhe jo kondravajtje, sikurse thuhet në nenin 1, paragrafi i dytë “Mbi ligjin penal dhe ndarjen e veprave penale” të Kodit Penal, ku lexohet se “veprat penale ndahen në krime dhe kundërvajtje penale.
Dallimi i tyre bëhet në çdo rast në dispozitat e pjesës së posaçme të këtij kodi”, sikurse edhe neni 85 i ndodhur në Seksionin II- “Krime kundër jetës shkaktuar nga pakujdesia”. Pra, Gjykata e Apelit ndryshe nga e Shkallës së Parë që dha pafajësinë, të dy personat e akuzuar nga prokuroria për nenin 79 të Kodit Penal, “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, i deklaroi fajtor për krimin e kryer nga pakujdesia, pra sipas këtij deklarimi komandanti i gardës Ndrea Prendi dhe majori snajper Agim Llupo, kanë kryer krim dhe jo kundërvajtje penale.
Kur kanë kaluan katër vjet nga 21 Janari 2011, vrasjet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, dhe veprimet e turpshme të trupës së policisë, në veçanti të Gardës së Republikës me dy autorët e shpallur tashmë fajtorë, dhe të dënuar për “krimin e vrasjes nga pakujdesia”, nuk janë fshirë nga kujtesa jo vetëm e pjesëmarrësve në protestë, por dhe të mijëra të tjerëve, që i ndoqën në ekranet televizivë e internet, brenda e jashtë kufijve shtetërorë, duke qenë veçse krime shteterorë.
Hetimi i ri
Vrasjet e 21 janarit kërkojnë hetim të ri, të thellë dhe “gjithëpërfshirës”, sikurse ka deklaruar ne fillesën e tyre dhe ish-ambasadori i SHBA-së në vendin tonë Arvizu. Pse këto vrasje të kryera nga këta autorë e të tjerë, janë jo vetëm krime, por dhe krime shtetërore? Tashmë është vërtetuar shkencërisht, se të paktën dy të vrarë janë qëlluar nga armët që dispononin dy drejtuesit kryesorë, me funksione shtetërore në repartet speciale të Gardës së Republikës.
Ata nga ana subjektive kanë vepruar me dashje direkte, nisur nga motivet politike, për bindjet e kundërta të viktimave me të pushtetarëve, duke cënuar jo vetëm marrdhëniet juridike të vendosura në harmoni me normat e të drejtës penale ndërkombëtare, në mbrojtje të jetës dhe shëndetit të personit, por dhe të drejtave e lirive të personit.
Ndërsa nga ana objektive, veprimet dhe mosveprimet e autorëve kanë shkaktuar vrasjen e të paktën dhjetë personave, gjashtë të mbetura në tentativë, dhe plagosjen e rrahjen e shumë të tjerëve. Të gjitha këto, përbëjnë elementë të krimeve kundër njerëzimit, të parashikuara nga neni 74 i Kodit tonë Penal.
Ashtu sikurse u deshën që për tre vjet, dy të akuzuarit nga organi i prokurorisë të deklarohen fajtorë nga Gjykata e Apelit, qoftë për vrasje të kryera nga pakujdesia, besohet shumë se Gjykata e Lartë do të marrë një vendim të ri objektiv dhe të pandikuar nga politika, jo si deri më dje në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe të Apelit, kur çështja duhet të kthehet për atë hetim të plotë e gjithëpërfshirës, që mund t’i hapë rrugë edhe organit të prokurorisë, të ngrejë akuza të reja jo vetëm ndaj Ndrea Prendit dhe Agim Llupos, por dhe të tjerëve në shkallët më të larta të herarkisë partiake apo shtetërore.
Vrasje politike
Kur kaluan katër vjet nga dita e 21 Janarit 2011, dhe më shumë po vërtetohet se vrasjet, tentativëvrasjet, plagosjet e rrahjet e kryera nga instrumentet e forcave të pushtetit, sikurse janë policia dhe Garda, u kryen vetëm për interesat koruptive të pushtetarëve.
Ato ishin të organizuara, të paramenduara, për të ruajtur burimet financiare, të garantuara nëpërmjet trafikimit, sikurse e vërtetoi edhe ndërhyrja në Lazarat, me tonelatat e kanabissativat dhe llojet e kalibrave të mëdha të municioneve e armëve të zjarrit; ndërhyrjet dhe vjedhjet në sistemin bankar, sikur e vërtetoi vrasja e drejtorit të “Credins Bank” me kapital tërësisht shqiptar, dhe brenda muajit vjedhja e thesarit të shtetit; shpërbërja e Sistemit të Arsimit të Lartë piramidal, që implikoi inteligjencien e mbetur brenda vendit të gjithë fushave, për të mos qenë opozita e vërtetë e pushtetit dhe opozitarëve fasadë të çdo rotacioni;
Masakrimin e Sistemit të Drejtësisë e Shëndetësisë dhe të tjera e të tjera, për ta mbyllur me shkatërrimin e pronësisë dhe pronarëve të vërtetë apo të trashëguar, themelin e ekonomisë së tregut, duke e përvetësuar për 24 vjet me ligje agrare komuniste, të përsëritura njësoj si para 70 vjetëve, të kryera nga të ashtuquajturit pronarë të rinj, kur në të vërtetë mbeten në çdo kohë vetëm vjedhës, hajdutë të pronës.
Ashtu sikurse vrasjet e 21 Janarit, të gjitha këto përbëjnë krime të tjera të shtetit nëpërmjet pushtetit, autorët e të cilave tashmë kushdo i di, ndërsa pritet një ditë t’i identifikojnë e dënojnë, për të kthyer gjithçka që kanë vjedhur.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 2 Prill 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)