Daniel Cela, 23 vjeç dhe Danjel Ibrushi, 25 vjeç, nga Shqipëria janë vënë në prangat e policisë angleze, pasi janë kapur duke kultivuar kanabis në një banesë. Operacioni u zhvillua në Angli nga Derbyshire Police në bashkëpunim dhe me asistencën e Policisë shqiptare. Po ashtu gjatë këtij operacioni është vënë nën hetim edhe pronari i banesës të cilën shqiptarët kishin marrë me qira. Ai është i moshës 64-vjeç nga Licesteri.
Gjatë periudhës korrik - dhjetor 2019, nga Derbyshire Police janë vënë në pranga edhe 8 shtetas të tjerë shqiptarë. Shqiptarët ishin të specializuar për mbjelljen e kanabisit në vende të mbyllura. Ata çatitë e shtëpive i kishin veshur me materiale qe nuk e përçojnë nxehtësinë, me qëllim që të mos identifikoheshin nga Policia, gjatë monitorimeve me dron me sensor për nxehtësinë, ndërsa bimët narkotike u siguronin ngrohje dhe dritë nëpërmjet llampave elektrike.
Sipas policisë shqiptare, u bënë pjesë e këtij operacioni në korrik të këtij viti ku Derbyshire Police u ka kërkuar asistencë dhe informacion lidhur me grupin e strukturuar kriminal, në fushën e kultivimit të lëndëve narkotike (cannabis sativa) që vepronte në Creswell dhe Clowne.
Gjatë ditës së sotme mediat angleze kanë publikuar edhe emrat e dy shqiptarëve të tjerë të arrestuar ditën e sotme, ata janë Sukses Cenaj dhe Armando Iberhasaj, të cilët kishin mbërritur në fillim të këtij viti në Angli. Ata u kapën Derbyshire teksa kultivonin kanabis në një banesë. Ndërkohë nuk dihet nëse bëhet fjalë për të njëjtin grup të shqiptarëve që u arrestuan në bashkëpunim me policinë shqiptare.
Komente





