Komiteti i Menaxhimit  të Parkut Kombëtar "Divjakë-Karavasta" mbajti mbledhjen e katërt dhe të fundit për këtë vit.

Mbledhja kishte për qëllim diskutimin mbi aktivitetet e projektit JICA si dhe miratimin e draftplanit të menaxhimit të Parkut Kombëtar "Divjakë-Karavasta". Zv/ministrja e Mjedisit, Djana Bejko, njëherësh Kryetare e Komitetit të Menaxhimit  të Parkut Kombëtar "Divjakë-Karavasta", në fjalën e saj tha se "cështja e menaxhimit të qëndrueshëm të Zonave të Mbrojtura është sot një drejtim kryesor i punës në fushën e mbrojtjes së natyrës, pasi lidhet drejtpërdrejt me sfidën e kohës për arritjen e rezultateve të prekshme dhe të matshme të komponenteve të biodiversitetit, si një proces që realizon mbrojtjen dhe në të njëjtën kohë përdorimin e qëndrueshëm të hot-spoteve të biodiversitetit, habitateve dhe llojeve".

Mbledhja e Komitetit të Menaxhimit u mbështet nga Projekti  JICA "Për konservimin dhe përdorimin e qëndrueshëm të Parkut Kombëtar "Divjakë-Karavasta" me pjesëmarrjen e pushtetit lokal dhe palëve të interesuara.

Plani i menaxhimit synon të realizojë ruajtjen e biodiversitetit,  përmirësimin e infrastrukturës së Parkut, ngritjen e kapaciteteve të stafit për menaxhim, promovimin e turizmit, ndërgjegjësimin e publikut dhe edukimin mjedisor, skemat e bujqësise organike, si dhe zbatimin e disa aktiviteteve pilot.

Zbatimi i një pjese të planit të menaxhimit ka nisur me rehabilitimin e Zonës së Mbrojtur, financuar nga Ministria e Mjedisit, qe alokoi për vitin 2014 një fond për zbatimin e disa aktiviteteve pilot në Park. /ATSH/