TIRANE - Qindra studentë të Fakultetit të Mjekësisë kanë mbetur pa nisur procesin e konkurrimit për specializime. Sipas Dekanit të këtij fakulteti Bajram Hysa, janë mbyllur të gjitha procedurat, por janë në pritje të një Vendimi të Këshillit të Ministrave që pritet t’i hapë rrugën këtij procesi.

“Fakulteti i Mjekësisë ka përfunduar procedurat në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Arsimit dhe Shkencës për hapjen e procesit të specializimeve, që pritet të mbarojë shumë shpejt me miratimin e vendimit të Qeverisë", tha Hysa, pas kongresit Ndërkombëtar për Shkencat Biomjekësore, organizuar nga Universiteti i Mjekësisë.

Specializimet për studentët e mjekësisë që priten të nisin shumë shpejt, parashikohet të ketë rreth 350 kuota, nga të cilat 300 do të jenë për studentë që kanë studiuar brenda vendit, ndërsa 50 për studentët e trojeve shqiptare.

Sipas dekanit të Fakultetit të mjekësisë kërkesat për specializim pritet të jenë të shumta, mbi 700 konkurrentë. “Kuotat për specializime janë 350, nga këto 300 për studentë shqiptarë dhe 50 do të jenë për studentët e trojeve.

Ne presim që shumë shpejtë procesi i konkurimit të fillojë” u shpreh Hysa. Procesi i konkurrimit do të kryhet në një periudhë rreth 2 mujore pas daljes së vendimit.

Pas specializimeve të bëra dy vite me parë, që u shoqëruan me debate të ashpra për korrupsion dhe lëvizje emrash në listën e fituesve, nuk ka pasur më konkurse të tilla.

Në lidhje me koherencën Ndërkombëtare për Shkencat Bajram Hysa u shpreh "Kjo konferencë evidenton kontributet e shkencëtarëve të rinj, por jep dhe disa drejtime se ku duhet të përqendrohet puna shkencore për të rritur cilësinë e shërbimit shëndetësor.

Gjithçka që bëhet në Fakultetin e Mjekësisë ka për qëllim përgatitjen e profesionistëve, rritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor sipas standardeve evropiane dhe ky profesionalizëm arrihet përmes një punë shkencore që bën profesorati i mjekësisë", theksoi Hysa.

Sipas Hysës janë, mbi 150 artikuj shkencorë nga profesorati i mjekësisë, të botuara në revistat më prestigjioze ndërkombëtare. Ndërkohë, vetëm gjatë një viti në Fakultetin e Mjekësisë janë fituar mbi 70 grada për doktoraturë, kanë fituar tituj shkencore mbi 50 dhe janë në proces mbi 300 doktoratura.

Ndërsa Rektorja e Universiteti të mjekësisë e cilësoi konferencën një risi, që tregon mundësitë që ka brezi i ri për të organizuar të tilla evente shkencore, të krahasueshme me standardet botërore.

E pyetur lidhur me procesin e zgjedhjeve të shefave të shërbimit në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, Kruja tha se aktualisht po analizohen ankimimet, që, sipas saj, janë të shumta lidhur me procesin dhe në përputhje me legjislacionin do të merret një vendim përfundimtar.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 02.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)