Spekulimet me historinë
Si u çrrënjos Mauzoleumi

Spekulimet me historinë<br />Si u çrrënjos Mauzoleumi
Ka shumë spekulime me ato që janë shkruar deri më sot në librat e historisë për shkatërrimin e Varrit të Nënës Mbretëreshë mbi të cilin ishte ngritur edhe Mauzoleumi. Edhe vetë kryeministri Berisha dje (29 gusht) pasi deklaroi vendimin e qeverisë për ndërtimin e Mauzoleumit të Familjes Mbretërore, ka deklaruar të njëjtën tezë që deklaronin historianët në kohën e Enver Hoxhës për mënyrën si shkatërrua. Sipas Kryeministrit Berisha Varri i Nënës Mbretëreshës "u minua" nga Enver Hoxha. Kreu i qeverisë pasi theksoi se Mauzoleumi i ri i familjes Mbretërore do të jetë madhështor tha se: "Dihet se në një akt barbar Enver Hoxha urdhëroi minimin e varrit të Nënës Mbretëreshë për fajin e vetëm se i kishte dhënë kombit, burrin që ndërtoi shtetin shqiptar, Ahmet Zogun. Ky ishte shpërblimi që kjo nënë shqiptare meritoi t'i gërrehen me dinamit kockat nga një paranojak që do faktohej si diktatori më gjakësor pas luftës...." Sigurisht në këto deklarime ka brenda një të vërtetë që Mauzoleumi u shkatërrua me dhunë nga regjimi hoxhist, por nëse një kryeministër kërkon që historia të rishkruhet mirë, historianët duhet t'ia saktësojnë absolutisht detajet. Nëse këto detaje nuk dalin në dritë, u mbetet vendi spekulimeve me historinë të cilat publikohen nga Kryeministri Berisha njwkohwsisht me deklaratën pwr "rishkrimin e saj". Nuk dihet cilët janë ata historianët që i dërgojnë referencat historike zotit Kryeministër, por fatmirësisht Nënës Mbretëreshë "nuk i janë gërryer kockat me dinamit". Nëna Mbretëreshë qëndron ende e varrosur dhe e paprekur nën rrënojat e Mauzoleumit. Në historinë e kohës së komunizmit kemi mësuar vërtetë se "Varri i nënës Mbretëreshë u shkatërrua me dinamit nga brigada e parë partizane më 17 Nëntor 1944; "U shemb me artileri nga partizanët" "U hodh në erë duke u goditur me top, etj. Mirëpo fakti që edhe sot varri është ende i paprekur dhe Mauzeolumi u shkatërrua zyrtarisht në dhjetor 1944, jo në 17 Nëntor 1944, na jep të drejtën për të zbuluar të vërtetën historike.
Mauzoleumi i Nënës Mbretëreshe 1935
(FOTO: Mauzoleumi i Nënës Mbretëreshe 1935)

Kadri Dingu, dëshmitar okular

Historiani i njohur Kadri Dingu, dëshmitar okular i ngjarjes, tregon se "Mauzoleumi i Nënës Mbretëreshë pas çlirimit ende nuk ishte prishur. Disa qeveritarë e propozuan prishjen sepse vunë re që qytetarët e Tiranës ende e nderonin, dhe kodrës i kishin vënë emrin Naltësia e Saj. Kështu ata bënin fotografi aty, për t'i pasur si kujtim. Urdhri për prishjen e Mauzoleumit u dha në dhjetor të 1944-ës, pasi u pa që populli bënte pelegrinazh atje. Por nuk u prish me dinamit. Iu bë eksplozion vetëm kupolës, muret nuk u shembën, po janë prerë nga ndërtuesit italianë robër lufte që ngelën në Shqipëri". Pohimet e historianit i përforcon edhe një libër album i studiuesit dhe koleksionistit të njohur të fotografive historike Valter Gjonit. Me imazhe fotografike dhe fakte sillet e plotë historia e prishjes së Mauzoleumit deri në gjendjen e sotme. Gjoni iu është referuar arkivave dhe dëshmitarëve të kësaj ngjarjeje. Ai pohon se Varri i Nënës mbretëreshë është ende i paprekur. Këtë e vërtetojnë edhe disa nga fotot aktuale, të cilat na bëjnë të mendojmë se nuk është aspak e justifikueshme gjendja e këtij varri që qëndron ende përmes gërmadhave të Mauzoleumit të prishur. Studiuesi Gjoni në një intervistë të bërë nga "Shqiptarja.com", i pyetur se çfarë dinte më tepër për historinë e shkatërrimit, pohoi se ai ka bashkëpunuar për një kohë të gjatë me pjesëtarët e Oborrit Mbretëror të cilët kanë qenë të interesuar për të mësuar të saktë historinë e prishjes së këtij Mauzoleumi.

Gjurmime në Parkun e Madh të Tiranës

Në albumin e Valter Gjonit që titullohet "Gjurmime historike në Parkun e Madh të Tiranës" gjenden të gjitha fotot historike të Mauzoleut që nga ngritja deri te "çrrënjosja". Studiuesi Gjoni bashkë me to ka zbuluar edhe skicën origjinale të Mauzoleumit të arkitektit Qemal Butka. Në parathënie të librit shkruan se "Është e domosdoshme që krahas veprimtarisë së gjerë restauruese për monumentet e qytetit të Tiranës të rifillojë edhe kurimi i kujtesës historike qytetare për të siguruar jetëgjatësinë e monumenteve të Tiranës, si vepra të papërsëritshme dhe me vlerë të dyfishtë historike-kulturore." Valter Gjoni shkruan në këtë libër se "Nëna Mbretëreshë Sadije Toptani Zogu nëna e mbretit Zog I parë, vdiq në Durrës në dhjetor 1934. Ajo u varros në Kodrën që aso kohe quhej Kodra e Gështenjës, pranë Saukut." Gjoni ka gjetur nëpër arkiva edhe skicën e Safet Butkës për këtë monument. Ai ka fotot nga ceremonia e varrimit dhe foton e një viti më pas të përurimit të mauzoleut. Në momentet e varrimit dikush është duke fotografuar çastin e lamtumirës së Nënës Mbretëreshë. Në libër shkruhet se arkitekti Qemal Butka realizoi një Mauzeloumi madhështor në formë tyrbeje që u përurua n 30 dhjetor 1935. në orën 11.00. Sipas Gjonit Mauzole, me vlera te veçanta arkitekturore, ishte shumë modern për kohën dhe realizon një mbulim ceremonial të varrit. Ndërsa kodra që nga momenti i varrimit kishte filluar të emërtohej kodra e Naltësisë së Saj Mbretëreshë. Ky emërtim ndeshet në mjaft praktika administrative të kohës.

(Shkrimi u botua dje ne gazeten Shqiptarja.com, 30.08. 2012)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Nga kamerier në Mykonos, në mikpritës turistësh në Fishtë

Nga kamerier në Mykonos, në mikpritës turistësh në Fishtë