Shqipëria synon anëtarësimin në Bashkimin Europian përmes reformave dhe rezultateve konkrete. Ky ishte mesazhi i Elisa Spiropalit gjatë një diskutimi në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Johns Hopkins, ku u trajtua rrugëtimi europian i vendit dhe pozicioni i tij në arenën ndërkombëtare.

“Në vetëm 13 muaj, hapëm të gjithë grupkapitujt e negociatave. Ky është rezultati i reformave të vështira dhe fokusit të qëndrueshëm politik. Por tani fillon puna më e vështirë. Po punojmë intensivisht dhe përmes një agjende objektivash për të mbyllur grupkapitujt deri në vitin 2027 dhe për të siguruar anëtarësimin deri në vitin 2030. Pra bëhet fjalë për progres të vërtetë në disa fusha si sundimi i ligjit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, fuqizimi i institucioneve demokratike. Këtu është gjithashtu vendi ku mbështetja e SHBA-së ka qenë jetike gjatë viteve: në forcimin e reformës sonë në drejtësi dhe transparencës. Reforma në drejtësi, në veçanti, është reforma më e thellë dhe më transformuese në Shqipërinë moderne,” tha Spiropali.

Ministrja theksoi se orientimi i Shqipërisë drejt Perëndimit nuk është as i përkohshëm dhe as rastësor.

“Ankorimi i Shqipërisë drejt vlerave perëndimore nuk është një zgjedhje rastësore dhe as e përkohshme, por strategjike. Është e rrënjosur në identitet dhe në realitetet e forta të sigurisë. Administratat ndryshojnë, politikat evoluojnë, por busulla strategjike e Shqipërisë nuk mund dhe nuk do të largohet nga bashkësia euroatlantike,” u shpreh ajo.

Gjatë vizitës në SHBA, Spiropali mori pjesë edhe në Samitin “Western Balkans Forward”, organizuar nga Atlantic Council. Në panel me ambasadorin Philip Reeker dhe gazetaren Ilva Tare, ajo foli për zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor si imperativ gjeopolitik.

“Procesi i zgjerimit të BE-së është një instrument gjeostrategjik që BE-ja duhet ta përdorë për Shqipërinë dhe për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, si proces që garanton në thelb sigurinë europiane,” deklaroi Spiropali.

Ajo paralajmëroi se rajoni është tashmë në vijën e parë të sigurisë europiane.

“Ballkani Perëndimor nuk është më një zonë pas-konflikti, por një vijë e parë e sigurisë dhe e konkurrencës evropiane. Paqëndrueshmëria rajonale, ndikimi rus dhe presionet hibride e bëjnë zgjerimin më urgjent. Kjo e bën zgjerimin jo vetëm një proces transformues për vendet tona, por edhe një instrument për një Evropë më të sigurt, më të qëndrueshme dhe më të begatë. Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përparojnë në procesin e zgjerimit, sepse një rajon i integruar në BE është padyshim më i sigurt, me më shumë bashkëpunim rajonal dhe më i begatë në fund. Zgjerimi duhet të trajtohet absolutisht si instrument sigurie dhe jo si mekanizëm burokratik shpërblimi,” tha ministrja.

Spiropali theksoi se zgjerimi duhet të ecë me meritë, por edhe me kohë të përcaktuar.

“Po, një proces i bazuar në meritë, dhe ne besojmë plotësisht në këtë, sepse duhet të jetë një proces i besueshëm, por edhe transformues për vendet tona, për shtetin tonë dhe shoqëritë tona, i bazuar në meritë, por edhe i lidhur me kohën. Çdo zvarritje, sipas nesh, përbën rrezik sigurie. Gjithmonë ka qenë kështu, por veçanërisht tani është bërë edhe më e dukshme. Vonesa krijon vakuum strategjik. Vakuumi tërheq aktorë dhe ndikime dashakeqe, dhe kjo duhet shmangur me çdo kusht. Pyetja nuk është më nëse zgjerimi duhet të ecë me kujdes, por nëse vonesat janë shndërruar tashmë në rrezik sigurie,” u shpreh ajo.

Sipas saj, zgjerimi është interes i drejtpërdrejtë edhe për Shtetet e Bashkuara.

“Procesi i zgjerimit në Ballkanin Perëndimor është gjithashtu në interesin strategjik BE-SHBA, për shumë arsye: kohezioni i NATO-s, rritja e qëndrueshmërisë demokratike dhe kufizimi i ndikimeve dashakeqe, veçanërisht nga Rusia dhe Kina. Për Shtetet e Bashkuara, zgjerimi, ashtu si për ne, nuk është bamirësi; është strategji parandaluese dhe interes strategjik. Pavarësisht diskutimeve aktuale midis SHBA-së dhe BE-së, Ballkani Perëndimor mund të jetë një provë për koherencën e aleancës euroatlantike, dhe pikërisht këtu, këto dy dimensione bashkohen,” përfundoi Spiropali.

Në fund, ministrja u ndal edhe te ftesa e presidentit Donald Trump drejtuar Kryeministrit Rama për t’iu bashkuar Bordit të Paqes, duke e cilësuar si sinjal besimi politik dhe vlerësim për rolin konstruktiv ndërkombëtar të Shqipërisë.