Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali ndodhet në Vjenë për Këshillin e 32-të Ministror të OSBE-së që po mbahet në Pallatin Hofburg.

Spiropali u mirëprit nga Kryesuesja e OSBE dhe Ministrja e Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen.

Ky Këshill përkon me Kryesinë e Finlandës të OSBE dhe me 50 vjetorin e Aktit Final të Helsinkit që solli në jetë Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim.

Në fokus të Këshillit janë parimet që qëndrojnë në themel të sigurisë europiane: barazia dhe integriteti territorial, zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve, respekti për të drejtat e njeriut. Në këtë kontekst, në zemër të diskutimeve do të jetë edhe shkelja flagrante e këtyre parimeve nga agresioni rus ndaj Ukrainës.

"Në Ministerialin e OSBE-së, rikonfirmova mbështetjen e plotë të Shqipërisë për ligjin ndërkombëtar, drejtësinë, llogaridhënien dhe dinjitetin njerëzor, përballë agresionit rus në Ukrainë. Paqja, stabiliteti dhe siguria kudo në Europë, vijojnë të jenë prioritetet tona kryesore. Siguria dhe përparimi i qëndrueshëm në rajonin tonë fillon me njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran",shkroi Spiropali në Facebook pas takimit.

Një vëmendje të veçantë ishte përgatitja e OSBE-së për sfidat e së ardhmes, prioritet ky i Kryesisë finlandeze, ndërkohë që Ministrja e Jashtme e Shqipërisë do të theksojë angazhimin e vendit për paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale.

Në margjinat e Këshillit Ministror, Spiropali do të takohet me Zyrtarin e Lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështjet Europiane, Brendan Hanrahan, për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në kuadër të partneritetit strategjik Shqipëri-SHBA.

Gjatë ditës, Ministrja e Jashtme do të marrë pjesë në tryezën e Ministrave të Jashtëm të nismës "Miqtë e Ballkanit Perëndimor", me ftesë të Ministres së Jashtme austriake, Beate Meinl-Reisinger.

Në takim do të marrin pjesë edhe Zëvendës Presidentja e Komisionit Europian dhe Kryediplomatja europiane Kaja Kallas, si dhe Komisionerja për Zgjerimin e BE, Marta Kos.

Spiropali pritet të zhvillojë disa takime bilaterale me homologët nga Rumania, Armenia dhe Gjeorgjia, si dhe me zyrtarë të lartë të OSBE-së.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:30
Spiropali në Ministerialin e OSBE: Siguria në rajonin tonë fillon me njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran

1764862305_aa.JPG

Mesazhi i Ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali gjatë fjalës së saj në Ministerialin e 32-të të OSBE në Vjenë tha se siguria në rajonin fillon me njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.

'Vjenë - Në Ministerialin e OSBE-së, rikonfirmova mbështetjen e plotë të Shqipërisë për ligjin ndërkombëtar, drejtësinë, llogaridhënien dhe dinjitetin njerëzor, përballë agresionit rus në Ukrainë

Paqja, stabiliteti dhe siguria kudo në Europë, vijojnë të jenë prioritetet tona kryesore.  Siguria dhe përparimi i qëndrueshëm në rajonin tonë fillon me njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran', shkruan ajo.