Kuvendi këtë të enjte, veç të tjerash, pritet të diskutojë dhe miratojë ndryshimet në në Komisionet Parlamentare.

Sipas burimeve mësohet se një nga pikat kryesore në rendin e ditës do të jetë emërimi i ish-ministrës së Jashtme, Elisa Spiropali, në Komisionin e Sigurisë, si dhe i ish-ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vëngu, në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm.

Po ashtu në rendin e ditës nesër në Kuvend janë edhe diskutimet për 2 projektligje të tjera, di dhe diskutimi për imunitetin e Belinda Ballukut.

Partia Demokratike ndërkohë ka njoftuar një protestë para Parlamentit, gjatë kohës që brenda godinës do të diskutohet dhe votohet për imunitetin e Ballukut, të cilën SPAK kërkon ta arrestojë pas akuzave për korrupsion.

Rendi i ditës në seancën plenare:

Në mbështetje të nenit 7, pika 6, dhe nenit 27/1 të Rregullores së Kuvendit, bazuar në kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 2 – 20 mars 2026,

URDHËROJ:

Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 12.3.2026, ora 10:00.

II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 5.3.2026.

2. Njoftime.

3. Projektvendimi “Për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetes Belinda Balluku, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”.

4. Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën e Metrit, nënshkruar në Paris, më 20 maj 1875, të ndryshuar me konventën e nënshkruar në Sèvres, më 6 tetor 1921, dhe rregulloren përkatëse”

5. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) (agjencia e zbatimit të projektit) dhe KfË, Frankfurt am Main (KfË), për rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës”.

6. Projektvendimi “Për disa shtesa në vendimin nr. 64/2025, “Për caktimin e anëtarësisë së komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar”.

7. Projektvendimi “Për një shtesë në vendimin nr. 65/2025, “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar”.

8. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.

IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.