Zëdhënësja e qeverisë Elisa Spiropali solli shembullin e saj personal se si është cenuar nga portalet, kur kanë shkruar se ajo është e gatshme që për kryeministrin Rama të helmojë edhe fëmijët e saj. Gjatë fjalës në Kuvend, Spiropali tha se zgjidhja duhet të vijë me ligj pasi njerëzve nuk mund t'u lihet në dorë vetëm të dalin në rrugë e të rrahin gazetarët.
Sulmin e ndali edhe tek pedagogët që janë ftuar për të dhënë propozimet e tyre për të plotësuar paketën, duke përmendur Mark Markun si një person pa moral që e ktheu mbledhjen e komisionit në ofendim ndaj deputetëve. Megjithatë, edhe vetë Spiropali, iu drejtua me fjalën: Injorant.
Sipas Spiropalit, dhunuesit e vërtetë të gazetarëve tashmë nuk janë më në kuvend, duke iu referuar ish-kryeministrit Sali Berisha, teksa tha se ka ende gazetarë që rrinë "sus" para tij, pasi kanë ende hijen e vrasjeve në bulevard.
"8 muajshe shtatzënë lexoj një pleh që thoshte që Elisa është si gruaja e gëbëlsit që është gati të helmojë fëmijët e vet kur t'i thotë Hitleri. Dhe ky që është në protestë përmendte helmimin e fëmijëve të mi, 4 vjeç e gjysmë e tjetri në bark. Ai tjetri që vjen në Komisionin e Medias, u lihet hapësire për të folur, vjen ai zotëria me ca të tjerë, dhe fyen deputetët, pa etikë, pa asnjë normë morale. Kush është injorant, që guxon të shkojë në një komision dhe të përdorë atë gjuhë kundër deputetëve. Dhe del mbrëmë në një komision dhe flet për shishe kokës deputetëve. Dy mundësi ka, në rast se nuk ka gjykatë, nuk ka ligj, nuk ka kod, nuk ka rregullator, njeriu i zgjidh vet. Sa herë na fyejnë, qytetarët t'i rrahin në rrugë. I bie kur t'më përmend fëmijën unë të shkoj bashkë me bashkëshortin dhe t'i rrahim në rrugë. I ka rrahur ai që është kampion i fjalës së lirë që ulej aty. U ka thyer hundën, i ka bërë të vdekur, dhe akoma kanë frikë nga hija e tij, i rrinë 5 gazetarë sus drejt, doktor-doktor, se akoma i tremb hija e plumbave të tij në bulevard. Nuk kanë asnjë fakt, jo vetëm që nuk e kanë lexuar por as e kuptojnë që bëhet fjalë për një identifikim, mos t'i duhet të shkojë në dyert e gjykatë, por të ketë mundësi të komunikojë me portalin", tha zëdhënësja e qeverisë.
Në mbrojtje të saj, dhe me tone të ashpra ndaj gazetarëve të portaleve që kanë cenuar familjet në këtë mënyrë, deputeti Ralf Gjoni tha se opozita në Kuvend kundërshton jo për të mbrojtur shpifësin, por për të ndarë qartë rolin e AMA-s që përmes kësaj pakete merr kompetencat e gjykatës.
"Elisa do më lejosh të drejtohem me emër, kur vjen puna tek fëmija jot, të garantoj që unë do isha i pari që do i kapja me shkelma ata maskarenj që guxojnë të thonë slogane të tilla. Nuk ka asnjë lidhje me solidaritetin njerëzor që ne duhet të kemi. Nuk kam asnjë simpati për ata lapanjosë që shpifin falë një shume që u jepet nga burime të errëta financiare. Por problemi është teknike, tek AMA. A mund të ketë kapacitete për të përballuar qindra ankesa për shpifje? Pse ju doni t'ia jepni ama-s shkopin e ndëshkimit dhe jo gjyqësorit. më lejoni ta lë kryeministrin për këtë", tha Gjoni.
Në mbyllje duke i kthyer përgjigje kryeministrit Edi Rama që përmendi sot në seancë Kuranin, Ralf Gjoni e mbylli me një frazë nga Bibla: "Besimi ynë mund të lëvizë male. ky është mesazhi im në këtë fundvit për të gjithë. Bordi i AMA-s është në duart e politikës. Rama që para pak ditësh ishte në Stamboll dhe tha 7 herë fjalën Allah më përmend Anglinë, është në rregull ky? Bajraktari i shqiptarëve më përmend Britaninë e Madhe. Pa praninë këtu nuk do të kishte debat për reformën zgjedhore dhe hapjen e listave. Pa votën këtu nuk do të kishte votim të anëtarëve të Kushtetueses apo Kryeprokurorit të ri, apo ndryshim të objektit. Por sot ai po propozon të mbyllë gojën? Se është frikacak kjo dihet. Duan të urinojnë mbi kokat e opozitarëve".
Lajmi kryesor: