Spitalet, sa lekë do marrin
në 2012 nga buxheti i shtetit

TIRANE- Buxheti i këtij viti i vënë në dispozicion të 38 spitaleve të vendit është rreth 13.3 miliardë lekë. Këshilli i Ministrave ka vendosur që pjesën e luanit edhe këtë vit t'ia japë QSUT-së, e cila do të përfitojë në total plot 4.728.714.000 lekë të reja, shumë kjo që është më e lartë se buxheti i dhënë një vit më parë, ku qendra universitare spitalore shpenzoi plot 30 milionë euro.
Menjëherë pas tij renditet spitali i Shkodrës që këtë vit do të marrë plot 680 milionë lekë të reja, që ndiqet më pas nga ai i Elbasanit, Vlorës e Dibrës që do të marrin mbi 500 milionë lekë të reja secili. Materniteti "Mbretëresha Geraldinë" do të marrë 427 milionë lekë, ai "Koço Gliozheni" dhe Sanatoriumi, që janë janë edhe qendra universitare do të marrin përkatësish 339 dhe 393 milionë lekë të reja. Ndërsa sa u përket spitaleve që janë në fund të listës për fondet që do të përfitojnë, do të jenë ai i Malësisë së Madhe, të cilit i janë dhënë vetëm 19.3 milionë lekë të reja dhe nga këto 13 milionë do të shpenzohen për pagat dhe siguracionet e 17 punonjësve dhe vetëm 6.3 milionë do të shkojnë për nevojat e spitalit për mallra dhe shërbime.
Ndërkohë që vihet re se pjesa më e madhe e parave, e totalit të dhënë për të gjithë spitalet e vendit, rreth 8 miliardë lekë të reja, do të shkojnë për pagat dhe siguracionet e 12 mijë punonjësve të shëndetësisë, ndërsa pjesa tjetër, pra vetëm rreth 5.7 miliardë lekë të reja do të shkojnë për mallra dhe shërbime të nevojshme për spitalet. Ndërkohë që sipas vendimit të qeverisë, e cila ka detajuar edhe fondet që do të marrë çdonjëri prej 38 spitaleve në të gjithë vendin, ata janë të detyruar të llogarisin shpenzimet faktike të çdo shërbimi, në përputhje me standardet e caktuara nga Ministria e Shëndetësisë. Më tej vendimi përcakton se shpenzimet mujore dhe progresive raportohen nga spitalet në ISKSH, e cila bën monitorimin e tyre.
QSUT
Qendra Universitare spitalore ka përmbyllur dhe një fazë të rëndësishme të informatizimit të saj. Drejtori i kësaj qendre, Saimir Ivziku, ka deklaruar se tashmë të gjithë farmacitë do të jenë on-line, duke shmangur kështu mundësinë që barnat e spitalit të përfundojnë në rrjetin e hapur të farmacive. "Kemi të siguruar një lidhje on-line për të gjitha strukturat që qarkullojnë medi-kamentet dhe materialet shëndetësore. Kemi një saktësim të plotë, një data base shumë të qartë në lidhje me medikamentet që përdoren në qendrën tonë dhe nga ana tjetër kemi një informacion që është i besueshëm, është on-line dhe është në kohë reale", - ka shpjeguar Ivziku.

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Turqia do të furnizojë me energji elektrike Sirinë, kërkon të shfrytëzojë naftën dhe gazin natyror

Turqia do të furnizojë me energji elektrike Sirinë, kërkon të shfrytëzojë naftën dhe gazin natyror