Spitali Rajonal i Beratit është në gatishmëri të plotë për të përballuar rastet e pickimeve dhe helmimeve që shtohen gjatë sezonit veror. Mjeku toksikolog Arben Konomi garanton se institucioni disponon antidotet dhe kapacitetet e nevojshme, ndërsa rastet më të rënda, si ato nga merimanga "vejusha e zezë", referohen në QSUT në Tiranë.
Gjatë muajve të verës, në Spitalin Rajonal të Beratit paraqiten kryesisht raste pickimesh nga gjarpërinjtë, akrepat, rriqrat, merimanga "vejusha e zezë", si edhe helmime nga peshqit në zonat bregdetare. Sipas mjekut, spitali trajton mesatarisht 6-7 raste në vit. Deri tani nuk është shënuar asnjë viktimë, ndërsa vetëm dy raste të rënda janë transferuar dhe trajtuar me sukses në Tiranë.
Më të rrezikuar mbeten banorët e zonave rurale, për shkak të punës në bujqësi dhe kontaktit të shpeshtë me natyrën. Mjekët u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos përdorin metoda popullore pas pickimeve, por të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore.
Specialistët këshillojnë përdorimin e çizmeve, dorezave dhe veshjeve mbrojtëse gjatë punës në ara, livadhe dhe zona me shkurre. Personat që kanë alergji nga pickimet e bletëve ose grerëzave duhet të mbajnë me vete adrenalinën autoinjektuese, pasi ndërhyrja e shpejtë mund të jetë vendimtare për jetën e tyre.
Komente











