Spitali Rajonal i Beratit po kalon një fazë përmirësimi të shërbimeve, duke ndërthurur investimet në infrastrukturë me zgjerimin e gamës së analizave laboratorike për qytetarët. Gjatë një inspektimi në këtë spital, Evis Sala theksoi se këto ndërhyrje synojnë rritjen e kapaciteteve diagnostikuese dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit.

Gjatë vizitës, ministrja u ndal në laboratorin e ekzaminimeve, ku vlerësoi faktin që shërbimet diagnostikuese vijojnë të ofrohen pa ndërprerje, pavarësisht rritjes së kërkesës nga pacientët.

Sipas saj, shtimi i rasteve, veçanërisht i sëmundjeve kronike, ka sjellë një volum më të lartë analizash, shpesh mbi kapacitetet e planifikuara, por stafi mjekësor po garanton shërbim të përditshëm, me prioritet rastet urgjente.

Në këtë kuadër, Sala theksoi se po punohet për zgjerimin e mëtejshëm të gamës së analizave laboratorike, në bashkëpunim me mjekë specialistë dhe mbi bazën e të dhënave të mbledhura.

Ky zgjerim përfshin edhe treguesit molekularë, të cilët konsiderohen thelbësorë për diagnostikimin dhe aplikimin e terapive moderne.

Paralelisht, spitali po i nënshtrohet rikonstruksionit të disa shërbimeve në bllokun operator, me synim përmirësimin e kushteve dhe rritjen e cilësisë së kujdesit për pacientët.

Sipas ministres, investimet në infrastrukturë dhe forcimi i shërbimeve janë pjesë e përpjekjeve për të ndërtuar një sistem shëndetësor në përputhje me standardet e Bashkimi Europian, ku prioritet mbetet trajtimi i barabartë dhe aksesueshmëria për çdo qytetar.