Punësimi i mjekëve specialistë në Spitalin Rajonal të Kukësit ka rikthyer shërbimin e specialiteve të munguara më parë duke përmirësuar kështu ndjeshëm shërbimin që u ofrohet qytetarëve. Kështu është shprehur ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, e cila shkruan se tre specialistët që i janë bashkuar spitalit po bëjnë një punë fantastike.
Ndër të tjera, Manastirliu bëri me dije se së shpejti në Spitalin e Kukësit do të fillojë faza e parë e investimit me urgjencën dhe sallat e reja të kirurgjisë, për të investuar më pas në maternitetin e ri.
“Punësimi i mjekëve specialistë në Spitalin Rajonal të Kukësit, ka rikthyer e forcuar shërbimin në specialitete të munguara më parë.
Mjekët e rinj, dr. Eljona Xhelili, kirurge e përgjithshme, dr. Anisa Muka, obstetër-gjinekologe, dr. Eliana Avllaj, pneumologe, dr. Erind Cafi, nefrolog, të cilët i janë bashkuar ekipit të Spitalit të Kukësit, po bëjnë një punë fantastike për banorët e qarkut verilindor.
Së shpejti, finalizojmë fazën e parë të investimit, me urgjencën dhe sallat e reja të kirurgjisë, për të vijuar me maternitetin e ri dhe rehabilitimin e plotë të spitalit”, shkruan Manastirliu.