Një ndërhyrje kirurgjikale tepër e rrallë dhe komplekse është realizuar me sukses në Spitalin Rajonal të Lezhës, duke shënuar një hap të rëndësishëm për kapacitetet e këtij institucioni shëndetësor.

Bëhet fjalë për pankreatoduodenektominë, e njohur si procedura Whipple, një nga operacionet më sfiduese në kirurgjinë abdominale.

Ndërhyrja u krye tek një paciente e diagnostikuar me tumor në kokën e pankreasit dhe përfundoi me sukses, falë punës së specializuar të ekipit mjekësor i përbërë nga Dr. Aurel Bardhi, Dr. Ardian Preli dhe Dr. Elda Papa, në bashkëpunim me ekipin e anestezi-reanimacionit, nën drejtimin e Dr. Everest Dega.

Kryeministri Rama vlerësoi ndërhyjen e vështirë si një dëshmi të rritjes së kapaciteteve profesionale të këtij institucioni. 

“Kjo ndërhyrje përbën një arritje të rëndësishme për Spitalin Rajonal Lezhë, duke dëshmuar rritjen e kapaciteteve profesionale dhe teknike në trajtimin e patologjive të avancuara kirurgjikale”, u shpreh Rama.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur Spitali Rajonal i Lezhës ka marrë Kartën e Autonomisë Menaxheriale dhe po zgjeron ndjeshëm gamën e shërbimeve për qytetarët.

Aktualisht, spitali ofron shërbime në disa fusha kryesore, si patologji, pediatri, anestezi-reanimacion, kirurgji e përgjithshme, okulistikë, kujdes paliativ, kimioterapi, ortopedi dhe obstetrikë-gjinekologji.