KUKES - Infrastruktura e godinës së spitalit rajonal të qytetit të Kukësit rëndohet çdo ditë e më tepër. Në disa reparte, nyjet hidrosanitare nuk funksionojnë ashtu siç duhet duke shkaktuar dëme të mëdha në muret e godinës. Probleme të tjera janë edhe në muret e brendshme të ndërtesës, të cilat janë dëmtuar duke mos dhënë përshtypjen e një institucioni, ku njerëzit shkojnë për të marrë shërbim shëndetësor.

Problemin e ka ngritur edhe vetë drejtori i shërbimit spitalor, i cili shprehet se ka ndërhyrë herë pas here me fonde të vogla, por deri tani asnjëra prej tyre nuk ka pasur sukses, pasi godina është vjetëruar shumë dhe nuk gjendet defekti që shkakton edhe probleme të tilla.

Gjendja është skandaloze, ndaj dhe drejtuesit e spitalit i kanë kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë të ndërhyjë pasi një situatë e tillë ndikon drejtpërdrejt në punën e personelit shëndetësor, por edhe të pacientëve që marrin shërbim pranë këtyre institucioneve shëndetësore. Ekspertët thonë se është hartuar edhe një masterplan për rikonstruksionin e këtij spitali. Fondi që është kërkuar kap vlerën e 1.4 milionë dollarëve.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)