Ndonëse ka hyrë në një fazë të re rikonstruksioni, Spitali Universitar i Traumës vijon të funksionojë pa ndërprerje, duke garantuar kujdes shëndetësor për pacientët edhe në ditët e vështira të shkaktuara nga moti i keq.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se ndërhyrjet kirurgjikale po kryhen normalisht, ndërsa sallat operatore funksionojnë me dy turne. Po ashtu, sallat e urgjencës janë në gatishmëri të plotë 24 orë në ditë për përballimin e rasteve emergjente.
Shefi i shërbimit universitar të pediatrisë, Vilson Ruci, thekson se spitali vijon të jetë në shërbim të pacientëve dhe komunitetit, në koordinim të vazhdueshëm me spitalet rajonale.
“Jemi në shërbim të pacientëve, komunitetit dhe të gjithë atyre që kanë nevojë për shërbimin tonë. Kjo është një qendër traume elitare në nivel terciar dhe, në bashkëpunim me spitalet rajonale, jemi gjithmonë të koordinuar për menaxhimin e pacientëve që kanë nevojë për shërbimet e traumës,” shprehet ai.
Ruci shton se, edhe pse spitali ka nisur një fazë të re rikonstruksioni, janë marrë masa për të garantuar vijimësinë e shërbimit.
“Kemi një plan masash që sallat dhe ekipet të jenë në gjendje gatishmërie. Punojmë me dy turne, në mënyrë që pacientët të marrin shërbimin maksimal në kohën më të shkurtër të mundshme dhe me cilësi,” deklaron ai.
Edhe shefi i shërbimit në bllokun operator, Alfred Cake, bën të ditur se puna në sallat operative po zhvillohet pa ndërprerje.
“Punojmë me dy salla operative dhe dy turne për të mbuluar nevojat e pacientëve. Sallat e urgjencës janë në punë 24 orë për çdo rast emergjence,” shprehet Cake.
Sipas tij, në Spitalin Universitar të Traumës ofrohet shërbim kirurgjikal për të gjitha gamat e ndërhyrjeve, në koordinim të vazhdueshëm me stafin mjekësor dhe ndihmës në mënyrë që të pwrballohen nevojat e pacientwve.
Komente









