Spitali Ushtarak nuk
ka as hollues gjaku

Spitali Ushtarak nuk<br />ka as hollues gjaku
Çdo pacient që i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale, për të gjitha ditët që qëndron në spital, pas operacionit, duhet të bëjë çdo ditë hollues gjaku. Kjo pasi, mund të ndodhë mpiksje e gjakut duke i shkaktuar të sëmurit goditje në tru apo në zemër që mund të jetë fatale për të. Fraksiparina, është njëri ndër holluesit më të zakonshëm, i cili është i detyruar në protokollin mjekësor dhe duhet t'i bëhet të sëmurit për sa kohë ai qëndron në spital pas ndërhyrjes kirurgjikale. Por në spitalin Ushtarak nuk ndodh kështu. Jo se nuk respektohet protokolli mjekësor, pasi ai është i detyrueshëm dhe nëse pacientit i ndodh ndonjë gjë mjeku mban përgjegjësi, por vetë spitali nuk ka hollues gjaku. Asnjë prej llojeve të shumta të hollueseve të gjakut që ndodhen në tregun e hapur të farmacive. Në këtë situatë pacientët janë të detyruar ta blejnë në privat. "Holluesi i gjakut është i domosdoshëm për pacientët që bëhen operacion, ai i bëhet çdo ditë të sëmurit, deri sa të dalë nga spitali. Pra, nëse një pacient do të qëndrojë në spital 7 ditë pas operacionit, i duhen 7 të tilla, - na shpjegojnë mjekët e këtij spitali. - Fakti është që ne në spital nuk kemi, dhe u themi pacientëve që ta sigurojnë vetë në privat. Nuk ka zgjidhje tjetër. Fraksiparina kushton 500 lekë të reja një copë, por çmimet variojnë nga 400 deri në 600 lekë. Varet nga lloji i holluesit të gjakut që merr", - na shpjegojnë mjekët. Ata thonë se e kanë shtruar këtë problem edhe në mbledhjen që bëjnë çdo javë me drejtorinë, por në këtë moment nuk ka shpresa për furnizime, pasi duhet të priten tenderat e rinj. "Ne e kemi shtruar këtë problem edhe në drejtori, pasi jemi në siklet edhe me pacientët. Por na kanë thënë se duhet të priten tenderat e rinj. Ndërkohë që në spitalin tonë nuk mungon vetëm kjo, madje sikur të ishte vetëm kjo, do të ishim shumë mirë. Mungojnë thuajse të gjithë antibiotikët, dhe ne vetëm sa ua përshkruajmë recetën të sëmurëve, të cilët për fat të keq, dalin dhe i blejnë jashtë spitalit" , - na thonë vetë mjekët e spitalit Ushtarak të Tiranës.
Drejtoria
Ndërkohë të kontaktuar në telefon nga gazeta, burime nga drejtoria e spitalit Ushtarak të Tiranës, na thonë se ata kanë sasi të mjaftueshme të holluesve të gjakut për të gjitha rastet e emergjencës. "Sigurisht që ndonjëherë edhe mund të ketë mungesa, por ne i kemi të siguruara sasitë e duhura për të përballuar çdo rast emergjence mjekësore. Ndërsa shumë shpejt do të nisin edhe procedurat e tenderimeve për blerjet e reja dhe spitali do të jetë i mbuluar plotësisht me medikamentet më të nevojshme. Spitalet kanë nevojë gjithnjë për më shumë ilaçe, por ne nevojat bazë do t'i kemi të mbuluara", - na shpjegojnë burime pranë drejtorisë së spitalit Ushtarak të Tiranës.

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza