TIRANE, 10 shkurt /ATSH/. - Barcelona po kalon momente të mira pas një starti jo të kenaqshem në sezonin 2015. Ekipi katalanas, që prej humbjes nga Real Sociedad, ka shënuar nëntë fitore radhazi në të gjitha kompeticionet.
Javier Mascherano u ka bërë thirrje lojtarëve të Barcelonës të qëndrojnë të bashkuar dhe shumë pranë Messit, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të marrin frytet e duhura nga forma fantastike që po përjeton ylli argjentinas gjatë kësaj periudhe.
"Kur Leo shkëlqen, ekipi bëhet gjithnjë e më i fortë, sepse mbi të gjitha Messi është një futbollist i gjithanshëm. Ne duhet të përfitojmë në maksimum nga forma e tij dhe duhet ta ndjekim Leon si lider që është për skuadrën tonë", ka deklaruar ai.
Ai synon që Barcelona ta vazhdojë këtë ritëm dha ta përfundojë sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme. "Mendoj se e nisëm mirë sezonin, por më pas hasëm disa vështirësi. Gjithsesi, aktualisht jemi në rrugën e duhur dhe duhet të vazhdojmë me këto ritme, pasi vetëm nëse e bëjmë diçka të tillë mund të fitojmë të gjithë trofetë e mundshëm", ka theksuar Mascherano. /a.ke/









