SHKODËR, 20 Shtator/ATSH-Gaspër Marku/- Vllaznia e ka mbyllur me fitore ndeshjen e luajtur pasditen e së shtunës në stadiumin "Loro Boriçi" të Shkodrës, përballje kjo e vlefshme për javën e pestë të kampionatit kombëtar të Superligës së futbollit shqiptar.
Kanë mjaftuar dy gola të shënuar nga i njëjti autor, Ndriçim Shtubina, që fierakët e Apolonisë të largoheshin të mundur nga ky ballafaqim.
Ashtu siç parashikohej, sfida mes Vllaznisë dhe Apolonisë e luajtur në një stadium të boshatisur pa asnjë tifoz, si rezultat i dënimit nga FSHF, nuk ka pasur imazhin e përballjeve të tjera.Vllaznia me fitoren e pastër 2 me 0 që i dha edhe një tre pikësh shumë të rëndësishëm duke i forcuar pozitat në tabelën e klasifikimit, tashmë pret e qetë ndeshjen e javës së ardhshme, të cilën do ta luajë sërishmi në shtëpi, këtë radhë përballë Elbasanit. Në përfundim të ndeshjes, gjatë konferencës për shtyp të dhënë për gazetarët, trajneri i Vllaznisë, Baldo Rainieri është shprehur i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij. Sipas tij, në javët në vazhdim, paraqitja e kuqebluve do të jetë edhe më bindëse. Ndërsa, për teknikun fierak, Elidon Demiraj, në ndryshim nga javët e mëparshme, kur Apolonia është paraqitur me një performancë më të mirë, këtë radhë në "Loro Boriçi", loja e skuadrës që ai drejton pati oshilacione në disa reparte, gjë që për javët e ardhshme duhet t'i korigjojë./m.m/