Akademia e Forcave të Armatosura pritet të ketë klasa sportive, ku kampionët dhe sportistët elitarë që janë pjesë e ushtrisë do të kontribuojnë në përgatitjen e kadetëve dhe personelit ushtarak shqiptar. Nismën e prezantoi këtë të hënë ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, gjatë një takimi me sportistët elitarë të Forcave të Armatosura.

Sipas Nufit, përfshirja e tyre synon të përmirësojë metodat e stërvitjes, të forcojë disiplinën dhe frymën e garës, si edhe të rrisë përgatitjen për sfidat operacionale, emergjencat civile dhe misionet ndërkombëtare.

Në takim ishte i pranishëm edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjenerallejtënant Arben Kingji.  Gjatë diskutimeve u theksua se përvoja e sportistëve elitarë do të ndihmojë në rritjen e kapaciteteve fizike, psikologjike dhe profesionale të Forcave të Armatosura shqiptare.

“"Përvoja e sportistëve elitarë do të kontribuojë në përmirësimin e metodave të stërvitjes, forcimin e disiplinës, frymës së garës dhe përgatitjes për përballimin e sfidave operacionale, emergjencave civile dhe misioneve ndërkombëtare”, u shpreh Nufi.

Nisma parashikon krijimin e klasave sportive në Akademinë e Forcave të Armatosura për të zhvilluar aftësitë fizike dhe psikologjike të kadetëve e ushtarakëve, për të rritur performancën sportive të personelit dhe për të krijuar ekipe përfaqësuese në aktivitete të ndryshme sportive.

Sportistët do të angazhohen në mënyrë vullnetare si pedagogë të jashtëm, trajnerë, mentorë, lektorë motivues apo konsulentë teknikë, në bashkëpunim me Akademinë e Forcave të Armatosura, Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe federatat sportive.

Programi përfshin disiplina si xhudo, mundje, boks, taekëondo, karate, kickboxing, biathlon dhe pentathlon ushtarak, qitje, atletikë, peshëngritje, gjimnastikë dhe sporte ekipore.