MEKSIKË - Rritet shqetësimi mbi stabilitetin strukturor të stadiumit “Azteca” në Mexico City, që më 11 qershor do të presë ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026. Shkencëtarët dhe drejtuesit e lartë të NASA-s po shohin me shumë vëmendje lëvizjet graduale të terrenit.

Sipas të përditshmes sportive spanjolle “Marca”, NASA po monitoron situatën, duke përdorur satelitë radar të sofistikuar, përfshirë misionin NISAR, që janë në gjendje të dallojnë edhe lëvizjet më minimale të sipërfaqes së tokës. Kjo teknologji lejon studiuesit të lokalizojnë çedimet e terrenit në kohë reale dhe të identifikojnë zonat, ku infrastrukturat mund t’i nënshtrohen presionit në rritje.

Misioni është pjesë e një bashkëpunimi më të gjerë midis NASA-s dhe partnerëve ndërkombëtarë për të përmirësuar 'leximin' e fundosjes urbane dhe cenueshmërisë së infrastrukturës.

Në bazë të disa dëshmive, dëmtimet brenda impiantit po bëhen gjithmonë e më të dukshme, me copa çimentoje që bien nga strukturat. Disa tifozë madje i kanë marrë këto pjesë nga stadium historik si suvenire.

Rënia e tokës dhe pse po fundoset Mexico City

Shkencëtarët ia atribuojnë këtë problem kryesisht nxjerrjes afatgjatë të ujërave nëntokësore nga poshtë qytetit të Mexicos.

Ndërsa akuiferët (shtresë guri ose toke poroze që përmban ujë) shterohen më shpejt sesa rimbushen natyrshëm, toka ngjeshet nën peshën e mjedisit urban të ndërtuar dendur, duke çuar në fundosje graduale në zona të mëdha të kryeqytetit meksikan.

Shkencëtari i NASA-s, Marin Govorcin, ka vënë në dukje se ky çekuilibër midis nxjerrjes dhe rimbushjes është nxitësi kryesor i lëvizjes së vazhdueshme të tokës. Ky fenomen nuk është unik vetëm për Mexico Cityn, por shkalla dhe shpejtësia e vërejtur atje janë ndër më ekstremet në nivel global.