Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, dhe Ambasadori i Delegacionit të BE në Shqipëri Silvio Gonzato, morën pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes për standardizimin e statistikave në sistemin e drejtësisë. Ministri e cilësoi marrëveshjen si një hap thelbësor për funksionimin efektiv të sistemit.
Gogu theksoi se deri më sot sistemi ka vuajtur nga mungesa e një metodologjie të unifikuar në mbledhjen dhe interpretimin e të dhënave.
“E njëjta çështje, në institucione të ndryshme, numërohet ndryshe. Kjo do të thotë që shpesh nuk dimë saktë ku është problemi dhe në disa raste marrim vendime mbi baza jo të plota,” u shpreh ai.
Sipas tij, marrëveshja nuk shton një reformë të re, por vendos një themel të domosdoshëm për çdo reformë: të dhëna të sakta dhe të njëtrajtshme.
Gogu bëri të ditur se përmes kësaj marrëveshjeje do të standardizohet mënyra e mbledhjes dhe klasifikimit të të dhënave, duke krijuar krahasueshmëri reale mes gjykatave, prokurorisë dhe institucioneve të tjera.
“Do të dimë me saktësi sa kohë zgjat një çështje, ku krijohet stoku dhe ku duhet ndërhyrë,” tha Gogu.
Ai sqaroi gjithashtu rolin e Ministrisë së Drejtësisë në këtë proces, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për ndërhyrje në institucionet e pavarura, por për krijimin e një gjuhe të përbashkët në të dhëna që mundëson analizë dhe politika më të sakta.
Në vijim, ministri e lidhi këtë zhvillim drejtpërdrejt me qytetarët, duke theksuar se qëllimi final është përmirësimi i kohës dhe cilësisë së shërbimit që ata marrin nga sistemi i drejtësisë.
“Kjo nuk është një marrëveshje për statistika, por për kohën e qytetarit,” u shpreh ai.
Gogu nënvizoi gjithashtu rëndësinë e standardizimit të të dhënave në procesin e integrimit europian, duke theksuar se progresi i vendeve kandidate matet gjithnjë e më shumë mbi baza konkrete dhe të verifikueshme.
“Pa të dhëna të besueshme, të krahasueshme dhe të qëndrueshme në kohë, progresi nuk mund të vlerësohet realisht,” përfundoi ai.
Komente










