“Mbro Natyrën sa Ende Mundesh” kjo motoja këtë vit në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, ku përmes një fushate kombëtare nismë e BE-së, në të gjitha shkollat u zhvilluan aktivitete ndërgjegjësimi për mbrojtjen e biodiversitetit në vend.

Ceremonia hapëse u mbajt në shkollën “Musine Kokalari” në Tiranë, ku ishte Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, si dhe ministrit të mjedisit, Sofjan Jaupaj.

Teksa foli për rëndësinë e ndërgjegjësimit të të rinjve për mbrojtjen e biodiversitetit, ambasadori Gonzato nënvizoi se Shqipëria duhet të ndërmarrë hapa konkretë për të përmirësuar standardet mjedisore.

“Nga ana ime, së bashku me ministrin, do të punojmë për të përmirësuar ligjet në Shqipëri, në mënyrë që ndotësit të mbajnë përgjegjësi dhe të ndëshkohen për veprimet e tyre. Njëkohësisht, do të angazhohemi për të përmirësuar në përgjithësi gjendjen e mjedisit në vend. Shqipëria është një vend i mrekullueshëm dhe ne duhet të bëjmë gjithçka për ta ruajtur ashtu siç është", tha Gonzato. 

Në kuadër të kësaj dite, në Shirokë te Shkodres u zhvillua etapa përmbyllëse e aktivitetit “Projeksion mbi Liqen”, një nismë që ndërthur artin me ndërgjegjësimin mjedisor. Një instalacion artistik u realizua duke përdorur materiale të ricikluara, kryesisht shishe plastike të mbledhura nga Liqeni i Shkodrës dhe bregdeti i Velipojës. Vepra u vendos të lundrojë mbi sipërfaqen e liqenit, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe vizitorëve.

Edhe Bashkia e Fierit ka organizuar aktivitete ndërgjegjësuese për të rinjtë, me fokus mbrojtjen e mjedisit dhe promovimin e praktikave të qëndrueshme.