Kryeministri Edi Rama është shprehur se sot bota e teknologjisë po përparon me shpëjtësi shumë të madhe dhe sipas tij, të rinjtë në Shqipëri kanë mundësi të shumta për të avancuar në fushën e inovacionit.
Komentet Rama i bëri gjatë një takimi me të rinj në Elbasan, fitues të programit të startup-eve për vitin 2025 dhe aplikantë për vitin 2026 në programin Startup Albania.
Rama në formë batute tha se kurrë nuk kishte ëndërruar që të bëhej këngëtar, për shkak të kushteve dhe rrethanave të kohës, teksa shtoi se sot të rinjtë janë në të drejtën e tyre që të jenë Steve Jobs i radhës (duke iu referuar kështu mundësive të mëdha që sipas tij ofron bota e teknologjisë, edhe me mbështetjen e qeverisë në Shqipëri).
“Nuk kam parë ndonjëherë me sy hapur ëndrrën që të bëhem këngëtar. Sepse nuk më ka ardhur ajo ëndërr, ngaqë s’ka pasur kushte organizmi dhe mendja që ta prodhojë këtë ide. Por, kur ti me sy hapur shikon që mund të dalësh në një majë, është vetëm çështje vullneti dhe force për të dalë. Sepse të gjithë shohin ëndrra, por jo të gjithë i realizojnë. Sepse jo të gjithë janë të gatshëm që të bëjnë të gjitha sakrificat që ëndrra kërkon për të të lejuar që ta prekësh. Dhe në botën e teknologjisë të gjithë janë në të drejtën e tyre që të jenë Steve Jobs i radhës. Duke filluar nga Steve Jobs i Elbasanit, e me radhë. Por mundësia për t’ia dalë sot falë teknologjisë është po aq e jashtëzakonshme sa edhe vetë shpejtësia e teknologjisë, është diçka që s’duhet ta harroni për asnjë çast. Ju që jeni këtu, jeni këtu sepse besoni te kjo fushë. Numri i vajzave fituese në këtë thirrje është rritur dhe vazhdon të rritet. Uroj që ta ktheni Elbasanin në një vend që të tregohet nga larg si vendi i shumë startup-eve dhe si vendi i shumë vajzave dhe djemve që krijojnë mirëqenie për veten dhe qytetin”, tha mes të tjerash Rama.
Lajmi kryesor:
Berisha në protestë, Rama takim me të rinjtë në Elbasan: Grante deri në 90 mijë € përmes ‘Startup’, burrat shqiptarë s’e pranojnë dot humbjen










