Konflikti në Ukrainë, pandemia dhe, si gjithmonë, ekonomia ka të ngjarë të dominojnë fjalimin e parë të Presidentit Joe Biden mbi gjendjen në vend që do ta mbajë sonte në një seancë të përbashkët të të dyja dhomave të Kongresit. Ky fjalim i zakonshëm presidencial vjen në një kohë të pazakontë në histori, thonë analistët.
Fjalimi i mandatuar me Kushtetutë është një moment kryesor në retorikën e vitit për një president amerikan. Joe Biden nuk bën përjashtim, por fjalimi i këtij viti mbi gjendjen në vend, megjithëse ai më parë ka folur në një seancë të përbashkët të Kongresit, vjen në një kohë mjaft të vështirë.
Shtëpia e Bardhë thotë se gjatë fjalimit që do ta mbajë sonte, presidenti Biden pritet të diskutojë sulmin rus ndaj Ukrainës dhe të ofrojë pikëpamjen e tij më të gjerë për zhvillimet në botë.
![](https://shqiptarja.com/template/img/NO_ALFA_Kuadrate shqiptarja.png)
“Jemi në mes të një sulmi rus ndaj Ukrainës. Kështu që nuk mund t'ju jap hollësi paraprake për fjalimin mbi gjendjen në vend. Sa i përket mënyrës se si presidenti e shikon qasjen e tij ndaj politikës së jashtme, ju e dini se ai e ka thënë gjatë fushatës presidenciale se dëshiron ta kthejë Amerikën në një vend udhëheqës në botë, ku udhëheqësit e tjerë në mbarë botën mund t'i besojnë fjalës dhe angazhimeve të Shteteve të Bashkuara, dhe ajo që keni parë gjatë muajve të fundit, është se presidenti e ka përmbushur këtë premtim”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
Javën e kaluar, Presidenti Biden ka mbajtur disa fjalime mbi përshkallëzimin e krizës në Ukrainë. Midis amerikanëve, Presidenti Biden duhet të presë një reagim në vija partiake kur do të flasë mbi atë që ai e sheh si kërcënimin më të madh ndaj sigurisë globale që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Vendi në përgjithësi bashkohet në mbështetje të një presidenti kur përballemi me një krizë ndërkombëtare. Por, bazuar në atë që thuhet në emsionin e gazetarit konservator Tucker Carlson, atë që thonë ish-presidenti Donald Trump dhe një numër republikanësh në Kongres, ne nuk do ta kemi atë lloj mbështetje për presidentin Biden nga një pjesë e konsiderueshme e popullsisë. Ndasitë partiake ende janë të pranishme, madje edhe për gjëra që ndikojnë në sigurinë kombëtare të Amerikës”, thotë analisti Norman Ornstein nga Instituti American Enperprise.
Presidentët e përdorin gjithashtu këtë fjalim për të promovuar para Kongresit axhendën e tyre të brendshme dhe projektligjet që duan të miratojnë. Dhe ekonomia është një temë që çdo president amerikan e diskuton në fjalimin mbi gjendjen e vendit, thotë Jeremi Suri, historian në Universitetin e Teksasit në Austin.
“Çdo president komenton mbi ekonominë sepse ata duan të theskojnë se gjendja e ekonomisë është e mirë, që ne po pasurohemi, po përparojmë më fortë se kurrë më parë. Përjashtimet e vetme kur presidentët nuk flasin për ekonominë janë momentet kur ne vetë jemi në luftë”, thotë ai.
Një gjë është e sigurt: Amerika dhe pjesa më e madhe e botës do të dëgjojnë atë që do të thotë ai. Fjalimi fillon sonte në orën 9 të mbrëmjes, sipas kohës lokale në Uashington./ VOA
![](https://shqiptarja.com/template/img/antipiracynote.jpg)
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)