Francë - Spanjë nuk është më thjesht një gjysmëfinale Botërori. Është përballja e dy superfuqive të futbollit evropian, një duel që ndër vite ka prodhuar momente të paharrueshme dhe që sot rikthehet me protagonistë të rinj si Lamine Yamal dhe Kylian Mbappe.
Historia e rivalitetit nisi në finalen e Euro 1984, të zhvilluar në Francë. Michel Platini udhëhoqi "Gjelat" drejt triumfit 2-0, ndërsa sfida mbeti në kujtesë për gabimin fatal të portierit spanjoll Luis Arconada, i cili 'lejoi' topin t'i kalonte poshtë krahut pas një goditjeje dënimi të legjendës franceze. Ishte një nga episodet më dramatike në historinë e Kampionateve Evropiane.
Në fillim të viteve 2000, protagonisti absolut u bë Zinedine Zidane. Fillimisht në çerekfinalen e Euro 2000, ku Franca fitoi 2-1 falë golit të tij, e më pas në Botërorin 2006, kur "Blutë" përmbysën Spanjën 3-1 në fazën e 1/8-ave. Goli i fundit i asaj sfide, një kryevepër e Zidane pas një aksioni individual, vulosi eliminimin e spanjollëve dhe një tjetër kapitull të dominimit francez.
Megjithatë, balanca ndryshoi me lindjen e "epokës së artë" të Spanjës. Në Euro 2012, kampionët e botës dhe të Evropës nuk falën, duke mposhtur Francën 2-0 në çerekfinale me dy golat e Xabi Alonsos, në një ndeshje që konfirmoi superioritetin e "La Roja-s" në futbollin botëror.
Vitet e fundit rivaliteti është bërë edhe më spektakolar. Franca triumfoi në finalen e Nations League 2021 me rezultatin 2-1, falë golave të Karim Benzema dhe Kylian Mbappe, pasi Spanja kishte kaluar e para në avantazh me Mikel Oyarzabal.
Por revanshi erdhi në Euro 2024. Në gjysmëfinale, Spanja përmbysi Francën 2-1 dhe në skenë shpërtheu talenti që po mahnit botën, Lamine Yamal. Vetëm 17 vjeç në atë kohë, ai realizoi një gol spektakolar nga distanca, ndërsa Dani Olmo shënoi golin që i dërgoi iberikët në finale.
Edhe përballja më e fundit mes tyre ishte një spektakël i vërtetë. Në gjysmëfinalen e Nations League, më 5 qershor 2025, Spanja shkoi në epërsinë 5-1 me golat e Nico Ëilliams, Mikel Merino, Pedri dhe dy realizime të Lamine Yamal. Franca reagoi fuqishëm në minutat e fundit me Mbappe, Rayan Cherki dhe Kolo Muani, duke e ngushtuar rezultatin në 5-4, por nuk arriti të kompletonte një rikthim historik.
Tashmë, dy kombëtaret përballen sërish në gjysmëfinalen e Botërorit 2026. Franca vjen me statusin e lehtë të favoritit, falë paraqitjeve më bindëse në rrugëtimin drejt katërshes më të mirë, ndërsa Spanja mbështetet te talenti dhe dinamizmi i brezit të ri. Historia mes këtyre dy gjigantëve ka treguar se çdo duel sjell një kapitull të ri dhe mbetet për t'u parë se kush do të shkruajë faqen e radhës të "derbit të Pirenejve".
Francë vs Spanjë, përballjet 'kokë më kokë' në gjithë historinë:
Ndeshjet në total: 38
Fitore Spanja: 18
Fitore Franca: 13
Barazime: 7
Gola të shënuar nga Spanja: 71
Gola të shënuar nga Franca: 44
Për të lexuar lajme të tjera nga Botërori KLIKONI KËTU.
Për të parë rezultatet e ndeshjeve të Botërorit KLIKONI KËTU.
Komente



