DURRËS- Pas lajmit të publikuar në Shqiptarja.com, se statujës së Tina Turner i kishin mbetur vetëm këpucët, Report Tv ka mësuar se ajo është dëmtuar dhe për pasojë është hequr me qëllim nga Bashkia e Durrësit.

Disa persona, me qëllim daljen në fotografi te instalacioni i këngëtarëve të rrokut, i kanë hipur në shpinë statujës së Tinës duke e rrëzuar përdhe e duke e dëmtuar në disa vende. Kanë qenë punonjësit e bashkisë më pas që e kanë transportuar statujën e dëmtuar. Po sipas burimit të bashkisë, duke nisur nga dita e nesërme, do të thirren specialistë të fushës për të parë nëse është i mundshëm riparimi i saj apo jo.

Report Tv solli ditën e djeshme një foto teksa shihet që në mesin e “shoqeve dhe shokëve” prej bronzi që zbukuronin shëtitoren, aty mungonte mbretëresha e “Rock 'n' Roll". Kjo statujë si edhe të 3 yjeve të tjerë të viteve '80 janë vepra të autorëve Qazim Kërtusha, Ilmi Kasemi, Arben Pajo dhe Dylber Neziri. Qytetarë e pushues, jo vetëm që i soditin këto skulptura, por edhe pozojnë me to pasi  janë me gjatësinë e një shtati njeriu dhe krijojnë afrimitet sepse janë të vendosura direkt në shesh e jo në platforma apo piedestale të larta sikurse ngjet rëndom.

Kjo nuk është hera e parë që papërgjegjshmëria e disa personave kanë sjellë në shkatërrimin e statujave të tilla. Disa vite më parë, persona të panjohur shkulën bustin e skulptorit Sabri Tuçi prej vendit ku ishte vendosur për ta shitur për skrap. Vepra u riderdh sërish.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:32
FOTOLAJM/ Si “u zhduk” Tina Turner? Një fëmijë i hipi mbi shpinë për të bërë foto, statuja thyer ra mbi vajzën e vogël, e cila përfundon në spital

Mësohet arsyeja e vërtetë se pse ‘u zhduk’ statuja e Tina Turnër në shëtitoren "Taulantia" të Durrësit. Sipas një denoncimi të publikuar nga JOQ një familje thotë se një vajzë e vogël duke bërë foto dhe statuja i ka rënë sipër.

“Përshëndetje, Duke i bere foto fëmijës i bie sipër statuja gjysme e thyer. Fëmija me dëmtime ne koke dhe gjithë trupin. TMERR”, thuhet në denoncim.

Megjithatë duket se fëmija  ka qenë mbi statujën, e cila nuk ka rezistuar.

Momenti kur statuja bie mbi vajzën
Fëmija në spital