Debatet në seancën e sotme parlementare u fokusuan pikërisht mbi këto tre projektligje. Kryetarja e Parlamentit dhe kryeministri Berisha përsëritën apelin ndaj opozitës të votojnë 3 pr/ligjet duke i akuzuar se po përdorin çështjen e këshillit të Qarkut të Fierit si pretekst për bllokimin e marrjes së statusit. Në replikë kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së deklaroi se nuk është e vërtetë që pr/ligjet janë hartuar me kontributin e opozitës dhe shtoi se kryeministri ishte i shqetësuar pasi nuk kishte plotësuar kushtet e kërkuara nga BE. Ai shtoi se ishte gati të mblidhte parlamentin deri më 19 nëntor, me qëllim që më 20 nëntor t'i dërgohet një sinjal pozitiv Brukselit. Berisha: "Jam gati të mbledh parlamentit nëse ndryshoni mendje. Çështja e Fierit është pretekst". Replikon Ruçi: "Gënjen. Je në hall se s'ke përmbushur kriteret e kërkuara nga Brukseli. Ndërkohë që në Bruksel Komiteti për Politikën e Jashtme në Parlamentin Evropian morën në shqyrtim projekt-rezolutën e paraqitur nga raportuesi Nikolaos Chountis e që bazohej kryesisht mbi raportin e progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë ketu
PR/ LIGJET E MIRATUARA NE KUVEND
U miratua gjatë zhvillimit të seancës së sotme plenare në Kuvend, projektligji për “Rinumërimin e legjislaturave të Kuvendit të Shqipërisë” me 109 vota pro, 1 kundër dhe 2 abstenim. Projeklitgji për “Ratifikimin e konvetave të OKB-së për personat me aftësi të kufizuara” u miratua me 121 vota pro, zero kundër dhe asnjë abstenim. Projektligji për “Aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën për njohjen e divorceve dhe ndarjeve ligjore” u miratua me 117 vota pro, zero kundër dhe asnjë abstenim. Gjithashtu gjatë kësaj seance u votua edhe projektigji për “Bashkimin ndërkufitar të shoqërive tregtare” si dhe për “Menaxhimin e integruar të burimeve ujore”.
PS MBLEDH GRUPIN PARLAMENTAR 5 MINUTA PARA VOTIMIT TE RENDIT TE DITES
Ora 15:30 Deputetët e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kanë kërkuar 5 minuta pushim, para fillimit të votimit të rendit të ditës në sallën e Kuvendit, mes të cilave dhe ligjet që kërkojnë 3/5. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste është mbledhur në ambientet e selisë së Kuvendit, ndërsa vetëm pas 5 minutash pritet të nis votimi i rendit të ditës. Projektligjet për Gjykatën e Lartë, nëpunësin civil dhe rregulloren e Parlamentit janë pjesë e rendit të sotëm. Për këto ligje Partia Socialiste është shprehur vazhdimisht se nuk do t’i votojë nëse më parë nuk zgjidhet çështja më këshillin e qarkut të Fierit.
BERISHA: DEPUTETET U LARGUAN NGA KOMISIONET KUR LIGJET ISHIN NE TAVOLINE
Ora 13: 30 Në replikë të Ruçit Berisha ftoi mediat të paraqesin të gjithë seancat e komisioneve ku deputetët socialistë janë larguar duke mos diskutuar pr/ligjet.
“Ftoj mediat të paraqesin sesi deputetët që zotëria emërton kooperativistë, që dalin nga salla e Kuvendit. Të paraqesin thirrjet e mia kur i thoja mos u largoni nga salla. Ju ikni nga ligjet sepse ishit të urdhëruar. Iknit nga ligji si djalli temjanit. Ligjet ishin në tavolinë. Lëreni gjykimin të merret drejtësia”
BUBULLIMA, RUCI: MOCIONI I MOSBESIMIT I PALIGJSHËM
Ora 13: 27 Duke iu përgjigjur Berishës për këshilltarët e komunës së Bubullimës, Ruçi tha: “Është e vërtetë se këshilltarët e këstij këshilli kanë bërë mocione mosbesimi, por kjo nuk mjafton, që një këshilltar i hequr me mocion mosbesimi, duhet të kaloj në mbledhjen e këshillit të qarkut, të kalojë në komisionin e mandateve dhe këshilli i qark, duhet të shprehet me votë. Më 24 prill 2012 është mbledhur këshilli i qarkut Fier, është paraqitur ky ndryshim, dhe komisioni i mandateve ka thënë: në këtë rast mbështetur në praktikën gjyqësore të gjykatës të Vlorës, mandati i këshilltarit Llazar Rina, është i rregullt dhe këshilltari ushtron përfaqësimin si anëtar i këshëllit të qarkut Fier. Ky është i parregullt se është përfituar jo ligjërisht, kjo është Bubullima.”
RUCI: JE NE HALL SE S'KE PERMBUSHUR KRITERET, I SULESH RAMES
Ora 13: 25 Për kreun e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, problemet kryesore të vendit janë korrupsioni, zgjedhjet e lira, liria e medias etj, kërkesa këto të Brukselit, të cilat sipas tij, kryeministri Berisha nuk i ka përmbushur. Sipas Ruçit, kryeministri kërkon alibi dhe do ta gjej tek Edi Rama. “Ti je në hall se s’ke çi thua Brukselit për mospërmbushjen e kritereve. Problemet kryesore të vendit janë korrupsioni, liria e medias, zgjedhjet e lira që ju s’i keni bërë. Dhe tani që kambana e Brukselit ka fillaur të bie fort, ju kërkoni alibinë dhe doni ta gjeni te Edi Rama.”, tha Ruçi nga foltorja e Kuvendit në replikë ndaj shefit të qeverisë.
RUCI: FIERI, PRETEKST I BERISHES, S'KA OFERTE PER NE
Ora 13:20 Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi tha se çështja e këshillit në qarkun e Fierit, e cila ka krijuar debate mes PD-së dhe PS-së, “është një pretekst i Kryeministrit dhe shtirje sikur ai ka një ofertë për opozitën.” “Berisha trajton çështjen e Fierit dhe ngrë një tymnajë sikur ju keni një ofertë politike që na qenka mocioni. S’ke thënë gjë të re sepse këshilltarët e tu i janë drejtuar Gjykatës të Faktit, të Apelti, dhe asaj të Lartë. Dhe po të lexoj rekursin që ata kanë bërë. Dy rekurse, të dyja në Gjykatën e Lartë. Thonë: me mocion mosbesimi kanë të drejtë t’i heqë përfaqësuesit të vet mandatin kur ai nuk përfaqëson të drejtën e shumicës. Oferta jote politike e kanë bërë këshilltarët e tu. Cfarë po të kërkojmë ne sot, zbato vendimet e Gjykatës së Lartë, se s’ka asnjë vlerë. S’është cështje Fieri, është çështje e zbatimit të ligjit ndaj vendimeve të formës së prerë të të gjitha niveleve të gjykatës.”
RUÇI REPLIKON: GENJEN
Ora 13: 13 Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi në replikë me Berishën tha se ai gënjen “E nisi fjalën e tij se në Parlament janë 3 pr ligji që presin votim. S’është aspak e vërtetë. Gënjeshtra e parë është që pr/ligji për Gjykatën e Lartë është bërë falë kontributin të opozitës. Përkundrazi është bërë në mënyrë të njëashme vetëm me deputete të mazhorancës. Ligji për Shërbimin Civil është në tryezë të parlamentarëve s’është e vërtetë. S’është në asnjë tryezë, për të është bërë një diskutim vetëm nga kolegët e mazhorancës. Ja ku ka procesverbalin vetëm me prezencën tuaj në komisionin e ligjeve për ligjin e statusit të nëpunësit civil.”- tha Ruçi. Të njëtat akuza, kreu i Grupit Parlamentar i bëri edhe për Rregulloren e Parlamentit. "U thua se Rregullorja e parlamentit është në tryezë, s’është e vërtetë. Thua që kanë dhënë ekpertizë ndërkombëtarët, e vërtetë. Ata thonë nëse e drejta e Kryeministrit nuk mund të kufizohet, atëherë rregullorja duhet të ndryshojë për t’i dhënë opozitës fjalën. Opozita ta ka dhënë ofertën e saj, 10 minuta në çdo ligj të thjeshtë dhe 20 minuta në çdo ligj me shumicë të cilësuar. Kjo fle në tryezat e parlamentit.", - u shpreh Ruçi nga foltorja e Kuvendit.
BERISHA: DERI ME 20 NENTOR E MBLEDH PARLAMENTIN KUR TE DONI
Ora 13: 10 “Ju mocionin nuk e doni, ju themelin nuk e doni por cfarë doni. Ju doni të bllokoni, nuk jeni kooperativistë jeni zgjedhës të popullit, ofertën e keni propozimi im i fundit. Nëse doni nga sot deri më 20 nëntor, në çdo kohë 24 orë jam i gatshëm të shfrytëzoj atributin tim kushtetues për të mbledhur parlamentin. Doni mesnatën e të shtunës, të dielën, të hënën, në mënyrë që t’i çojmë Burkselit atë mesazh të mirë. Po ju jap fjalën e nderit më dëmtoni aq sa më dëmtuar për zgjedhjet lokale”- tha Berisha.
BERISHA: NDREKA ME RAPORTET E GRUAS SHTYN GJYQIN
Ora 13: 07 Sipas Berishës vendimi i Gjykatës së Lartë lë në fuqi kryetarin aktual shkresat e vulat e tij deri në të bëhet gjykimi në themel, por PS nuk kërkon as gjykim në themel as mocion por do bllokim. ”Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi me një kusht gjersa të bëhet gjykimi në themel. Gjykimi në themel ka nisur por është shtyrë. U hap procesi gjyqësor, tre ditë më parë përfaqësuesi juaj kërkoi të shtyhej dy javë. Sot Vangjel Ndreko mori raport mjekësor nga zonja Ndreko e nderuar mjeke. Sot ai paraqiti raport nga bashkëshortja e tij për të mos shkuar në sallën e gjyqit. I di nga Artur Shehu, që është kryetar i qarkut dhe më informoi.
Këta që bërtasin për gjykatat nuk duan gjykimin në themel. Unë ju them se zgjidhja dinjitoze është votimi. “
BERISHA DEPUTETËVE PS: RAMA JU TRAJTON SI KOOPERATIVISTË PËR 5 LEKË
Ora 13: 04 “Unë ju vlerësoj por është ai tjetri që ju quan kooperativisit. Ju jeni kooperativistë për të e keni vlerën e kooperativistit që shërbehen për 5 lekë.”- tha Berisha duke shtuar se “Nuk është mburrje të fryhesh për 5 lekë. Ka dhe qëllime të tjera. Ju vazhdoni siç e keni nisur” - tha Berisha
BERISHA: QARKU I FIERIT PRETEKST I PS
Ora 13:00 Ai e quajti absurd pretekstin e PS për qarkun e Fierit. ”E kuptoj që në politikë mund të përdoren e krijohen pretekste. Por s’mund të përdoren pretekste për të dënuar ëndrrën e çdo shqiptari dhe merr një theks të vecantë në këtë 100 vjetor. “ - tha Berisha
PR/LIGJI PER GJYKATEN E LARTE, BERISHA: PRANUAM ULTIMATUMET, PS TA VOTOJE
Ora 12: 48 Kryeministri ndodhet në Kuvend ku i bën thirrje për shqyrtimin dhe votimin e 3 pr/ligjeve. “Erdha sot në parlament që ishte parashikuar ti jepnin një përgjigje serioze që presin të gjithë shqiptarët me votimin e 3 ligjeve që presin këtu që nga gjysma e dytë e muajit shtator për të votuar. Këto ligje janë ligje që i bëjnë nder një vendi demokratik. Ligji për Gjykatën e Lartë i jep mundësi asaj të përmirësojë në mënyrë thelbësore punën e vet dhe ta profilizojë gjykimin në përputhje me ligjin që miratoi ky parlament. I jep mundësi të ngrejë kolegjin Administrativ, kërkesë ultimative e PS gjatë shqyrtimit të këtij pr/ligji. ”- tha Berisha duke shtuar se janë amendamente të standardeve më të mira që ligjit për Gjykatën e Lartë i japin një dimension të çmuar. Duke iu referuar qëndrimeve të opozitës Berisha tha ”Të sulmosh sistemin e drejtësisë dhe nga ana tjetër të bllokosh reformimin, është një qëndrim që nuk i shërben asnjë force politike. Është në detyrën e cdo partie që të procedojë me reforma që përsosin dhe konsolidojnë institucionet kushtetuese të vendit.”
TOPALLI: HAJDE TI VOTOJME
Kryetarja e Parlamentit i përsëriti apelin opozitës të votojnë 3 pr/ligjet. “Po të kisha votat nuk do ju lutesha por duhet dhe vota juaj. Këto pr/ligje kërkojnë votat e opozitës. Pa votat tuaja nuk votohen dhe nuk plotësohen kushtet. Është në dorën e përgjegjësinë tuaj. Do të ishte e patolerueshme, që sot kur PE diskuton për ne ne të mos votojmë 3 pr/ligjet e integrimit. Mos votimi do të ishte një njollë shumë e madhe."- tha Topalli.
PS E PD DJE PA KOMPROMIS
Por deri dje kreu i mazhorancës Sali Berisha dhe ai i opozitës Edi Rama nuk kanë lëvizuar asnjë milimetër nga qëndrimet e tyre, në lidhje me zgjidhjen e çështjes së Këshillit të Qarkut të Fierit e votimit të tre ligjeve në Kuvend. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë Kryeministri Berisha, duke komentuar ftesën e hapur të kryesocialistit Rama për tryezë parlamentare,tha se Rama nuk duhet të ngatërrojë ligjet e integrimit me çështjen e Fierit, dhe apeloi që këto tre ligje të kalojnë në Kuvend brenda datës 20 nëntor. Ai nënvizoi se çështja e s'mund të lidhet me interesin kombëtar të votimit të këtyre ligjeve.
“Nesër (sot) është data e fundit kur në përputhje me detyrimet kushtetuese e kontraktuale që ka me BE, Parlamenti duhet të votojë 3 ligje të kërkuara në mënyrë të qartë e kristaltë nga Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle më 10 tetor. Duhet të votojmë këto 3 ligje që janë në Parlament, brenda datës 20 nëntor”- tha dje Berisha. Ndërsa duke iu përgjigjur ftesës së Ramës shtoi "Ulem për çdo çështje, por nuk mund të ulem të diskutoj për vendime gjykatash. Janë ligje në kuptimin e forcës dhe detyrimit të zbatimit të tyre, nuk ulem për to".
Nga ana e tij kreu PS-së tha se nuk mund të lejojmë dhe të tolerojmë që pas një viti e gjysmë të mos jenë mbyllur akoma zgjedhjet në Qarkun e Fierit. "Nuk mund të votojmë symbyllur për Gjykatën e Lartë. Nuk ngremë kartonin në Parlament, duke pranuar që legjislacioni të mbetet karton dhe integrimi të kthehet në farsë. Shqiptarët nuk mund të gënjehen kaq lehtë me faktin se 3 aktet janë të mjaftueshme" nënvizoi Rama. Ai tha se Berisha ka frike të ulet përballë opozitës në tryezë dhe të ballafaqojmë faktet dhe të vërtetat, edhe përpara mediave. "Është qeveria që e ka marrë dhe e mban peng Fierin me sytë nga zgjedhjet, jo nga Europa e Bashkuar", tha Rama. Sipas kreut të PS, nëse Shqipëria nuk e merr statusin e kandidatit në dhjetor, ka vetëm një përgjegjës e ky është Berisha.
Nënkryetari i PS-së Erjon Braçe ka paralajmëruar votën kundër pr/ligjeve. Në profilin e tij në facebook ai thotë se “Dy ligjet dhe rregullorja nuk i vënë fre rrënimit të sistemit demokratik, përkundrazi konsolidojnë shtetin e një partie. Pikërisht për këtë nuk votoj ligjin për Gjykatën e Lartë, kur Kuvendi një partiak ka kapur e ka degraduar përbërjen , funksionin, pavarësinë e asaj gjykate. Kreu i LSI-së dje nga Shijaku është shprehur i gatshëm pë votimin e sotëm të 3 pr/ligjeve dhe ka bërë apel se nuk mund të pengohet statusi për Fierin.
Skënder Gjinushi, kreu Partisë Socialdemokrate, duke analizuar ligjet me 3/5, të cilat e kanë futur në një ngërç të ri politikën shqiptare, thotë për "TCh" se ato janë një mashtrim i madh, pasi këto tre amendime ligjesh kërkohen të serviren si reformë. Nga ana e tyre përfaqësuesit ndërkombëtarë në Shqipëri janë shprehur tepër të shqetësuar në lidhje me mungesën e dialogut politik, duke bërë thirrje për tejkalimin e situatës, në funksion jo vetëm të integrimit por dhe të një klime të qetë për zgjedhjet e 2013. Ambasadori i SHBA Arvizu e ka përcaktuar dje Shqipërinë në një udhëkryq kritik ku më problem janë zgjedhjet e vitit të ardhshëm se sa tre ligjet. Ndërsa ambasadori i BE Sequi bën thirrje për dialog politik.
(sg/gm/Shqiptarja.com)