Statusi, Berisha: Merita jonë!
Basha: Sfidë hapja e negociatave

Statusi, Berisha: Merita jonë!<br />Basha: Sfidë hapja e negociatave
TIRANE - Menjëherë pas vendimit të shumëpritur për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian, politika shqiptare, por jo vetëm, ka shprehur urime për këtë vendim historik. Ish-kryeministri Sali Berisha, tha se "Shqipëria e ka merituar statusin", duke u shprehur se kjo është meritë e qeverisë së drejtuar prej tij. Ndërsa, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se marrja e statusit është një fitore për europianistët shqiptarë, ndërsa u shpreh se sfidë mbetet hapja e negociatave. Sipas Bashës ky është fundi i një rrugëtimi të nisur 5 vite më parë, si dhe fillimi i një rruge të re drejt anëtarësimit të plotë.
 
“`Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE ka rekomanduar sot statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, një lajm shumë i mirë, çka praktikisht ka hequr çdo pengesë për vulosjen përfundimtare nga shefat e tyre, krerët e qeverive dhe vendeve në mbledhjen e së enjtes.
 
S`ë pari, dua t’ju falënderoj ju, ambasadorë të vendeve anëtare të BE, të gjithë vendet anëtare për këtë vendim të shumëpritur e ta përshëndes atë ngrohtësisht e nxehtësisht, në emër të Bashkisë së Tiranës, qytetarëve të Tiranës, të gjithkujt në këtë sallë e jashtë kësaj salle dhe gji`thë qytetarëve shqiptarë. Është fundi i një rrugëtimi që nisi 5 vite më parë, me aplikimin nga qeveria e Republikës së Shqipërisë, për anëtarësimin e plotë të vendit në BE. Është fillimi i një rrugëtimi tjetër. Një stacion i rëndësishëm po përmbyllet më së fundmi por një stacion tjetër na `pret, hapja e bisedimeve, përfundimi me sukses i të cilave çon drejt anëtarësimit të plotë të vendit në BE. Dita e sotme është një ditë fitoreje për europianistët, që përbëjnë shumicën dërrmuese të qytetarëve të Tiranës dhe qytetarëve të gjithë Shqipërisë.

Uroj që lajmi i mirë që morëm sot, lajmi i shumëpritur që morëm sot, të na shërbejë për të kuptuar se tashmë “steka” është ngritur më lart, se nga gjithsecili prej nesh pritet më shumë e veçanërisht nga politikëbërësit e vendimmarrësit që kanë në dorë fatet e qytetarëve, përmes asaj çka bëjnë, asaj çfarë nuk bëjnë, asaj çfarë bëjnë mirë apo asaj çfarë bëjnë keq.
 
Ta gëzojmë statusin, jo për shumë gjatë shpresoj se tani sfida është të hapen negociatat për anëtarësim në BE!”, tha Basha.

Ministria e Jashtme: Një hap në realizimin e aspiratës evropiane të vendit tonë
Ministria e Punëve të Jashtme ka përshëndetur sot me anë të një deklarate për shtyp vendimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.MPJ e konsideron këtë vendim “si një hap në realizimin e aspiratës evropiane të vendit tonë”. “Vendimi i Bashkimit Evropian është një njohje e arritjeve të reformave ambicioze e gjithëpërfshirëse të ndërmarra nga Shqipëria”, thuhet në deklaratën e MPJ-së.

Sipas MPJ-së, “ky vendim është, gjithashtu, një inkurajim për përpjekje të mëtejshme në procesin e reformave. Shqipëria e sheh statusin e vendit kandidat si çeljen e një rruge që do të kërkojë reforma edhe më të thella, për t’u përgatitur për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit”.

“Qeveria ka angazhimin më të lartë për kryerjen e këtyre reformave, veçanërisht të atyre që lidhen me sundimin e ligjit, me bindjen se vetëm një transformim i thellë modernizues do të realizojë aspiratën tonë për ta parë Shqipërinë anëtare të denjë tëfamiljes evropiane”, përfundon deklarata e MPJ-së.

Ambasada e SHBA: Urime nga miqtë amerikanë
Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka uruar Shqipërinë për marrjen e statusit kandidat, me një dedikim të veçantë dhe të këndshëm në faqen zyrtare në “Facebook”.
 
“Sot, Këshilli i Ministrave të Jashtëm vendosi t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për Bashkimin Europian. Urime nga miqtë tuaj amerikanë për këtë hap të rëndësishëm përpara!”, theksohet në postimin e ambasadës amerikane në SHBA.
 
Nishani: Ditë gezimi, status i merituar
Presidenti i Repiblikës, Bujar Nishani ka përshëndetur dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Në faqen zyrtare të Facebook-ut, Nishani shkruan “ Ditë gëzimi për Shqipërinë tonë! Mirënjohje të gjithë shqiptarëve, që besuan dhe punuan me vendosmëri për ëndrrën evropiane. Mirënjohje për vendet mike, që pa mëdyshje, unanimisht mbështetën përpjekjen disavjeçare për marrjen e merituar të statusit si vend kandidat i BE-së. Besimplotë se vendimi i sotëm do të jetë në rezonancë të plotë me vullnetin e Këshillit Evropian.”

Bushati: Ditë historike, fillim jo vetëm i sfidave por dhe mundësive
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka uruar të gjithë shqiptarët për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Në një shkrim në rrijetin social Facebook Bushati, shkruan: “Le të festojmë së bashku një ditë historike, e cila shënon jo vetëm fillimin e sfidave të mëdha, por edhe të mundësive të reja për Shqipërinë tonë evropiane”


PBDNJ: Marrja e statusit na vendos përpara sfidave akoma më të mëdha
Edhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, ka përshëndetur dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë, duke e konsideruar ketë çast, kurorëzimin e një beteje, në radhe të parë të qytetarëve të vendit, por edhe të koalicionit qeverisës, të dalë nga zgjedhjet politike të 23 Qershorit 2013.

Në deklaratë të publikuar për mediat PBDNJ shprehet e bindur se ky moment është i mbushur me emocione pozitive, për të gjithë ne së bashku, sot na vendos bashkërisht, qytetar dhe politikan, përpara sfidave akoma dhe më të mëdha. Sfida të cilat gjithnjë e më tepër, nxjerrin në plan të parë, dhe e bëjnë imperativë, domosdoshmërinë për të manifestuar një kulturë politike, demokratike dhe realisht Evropiane.

Sipas PBDNJ-së marrjen e statusit e sheh si një përgjegjësi të mëdhe që i presin të gjitha institucionet kushtetuese të vendit, por në mënyre të veçantë ato që bien mbi pushtetinekzekutiv, Qeverinë.

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, si pjesë e këtij koalicioni sprehet se  është e gatshme të rrisë dhe intensifikojë përpjekjet dhe kontributet e veta në përputhje me nivelin, masën dhe kualitetin që do të kërkojnë reformat e reja në vend.

Në këtë moment, thuhet në deklaratën e PBDNJ më shumë se kurrë, është i domosdoshëm angazhimi i plotë dhe i integruar i vlerave, kapaciteteve dhe kontributeve të të gjitha forcave politike, të cilat kompozojnë koalicionin qeverisës në vend.

ORA 15:10 Xhaçka: Statusi kandidat, fillimi i një rruge suksesi drejt BE
Deputetja e Partisë Socialiste Olta Xhaçka ka përshëndetur vendimin e KE për marrjen e statusin kandidat për Shqipërinë. Në një deklaratë për shtyp nga selia e PS, Xhaçka u shpreh se ky është vetëm fillimi i një rrugë suksesi të përbashkët me aleatët e Bashkimit Europian.
 
Ndërkaq, deputetja Xhaçka uroi Partinë Socialiste dhe gjithë shqiptarët për suksesin e arritur.
 
“Ne vijmë nga një rrugë e gjatë për drejt anëtarësimit në BE. Dua ta shfrytëzojë këtë mundësi për t’i shprehur mirënjohje anëtarëve të PS, për këtë gëzim të gjithë shqiptarëve.
 
Ky është vetëm fillimi i rrugës ë sukseseve të përbashkëta me aleatët e BE. Me ndjenjat pozitive për të ardhmen evropiane të vendit, tonë, urojë për suksesin të gjithë shqiptarët. Gëzuar!”, tha Xhaçka.


Pollo: Lajm i mirë për Shqipërinë dhe Evropën
Ora 12:40 Nëj lajm i mirë dhe i shumë pritur është vlerësuar nga deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo, vendimi i BE-së për t’i dhënë statusin e kandidatit Shqiëprisë
"Statusi kandidat u miratua nga BE. Lajm i mirë e i shumë pritur. Lajm i mirë për Shqipërinë por edhe për Evropën", shkruan Pollo në Facebook.


Kodheli: Faleminderit miqve që na besuan. Sot të gëzojmë, nesër fillon puna
Për minsitren e Mbrojtjes Mimi Kodheli, marrja e statusit të kandidatit është një fitore e cila duhet gëzuar, por sfida sipas saj mbetet e madhe.
“Ta gëzojme statusin e vendit kandidat. Urime Shqipërisë dhe shqiptarëve. Faleminderit të gjithë atyre që kontribuan për këtë ditë. Faleminderit të gjithë miqve tanë që besuan te Shqipëria. Faleminderit të gjithë kolegëve të mi që punuan pa lodhje duke dhënë kontributin e tyre të çmuar. Sot të gëzojme. Nesër fillon puna. Sfida është e madhe”, shprehet ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli.


Naço: Reformat do ndjekin gjuhën e Brukselit
“Sot jemi më afër ëndrrës evropiane! Përkushtimi dhe vullneti i një mazhorance të konsoliduar, garanci e vazhdimësisë së reformave duke ndjekur hapat, ritmin dhe gjuhën e Brukselit”, shprehet ministri i Drejtesise, Nasip Naço.


Berisha: Statusi arritje, por e vonuar! U vlerësuan reformat tona
Ora 12:22 Ish-kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE. Në një shkrim në rrijetin social Facebook, Berisha shkruan se kjo është një arritje madhore në rrugën e integrimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, por sipas tij është e vonuar. Për këtë vonesë Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se bllokoi në dhjetor të vitit 2012 statusin e vendit kandidat duke refuzuar votimin e tre ligjeve për të cilat ishte rënë dakord.  Ish-kryeministri nuk la pa u shprehur se vendimi pozitiv për Shqipërinë, është sjellë falë suksesit të reformave të ndërmarra nga qeveria e tij.

“Para së gjithash është vlerësim i suksesit të reformave tona që kanë sjellë Shqipërinë në stadin e meritimit të plotë të statusit të vendit kandidat.Me këtë rast une dua t’u shpreh një mirënjohje të thellë atyre mijëra punonjësve të administratës shtetërore që, me punën, përkushtimin e tyre në hartimin, miratimin dhe zbatimin e mijëra ligjeve, vendimeve, rregullave, kritereve, standarteve, reformave, me përgjigjet e sakta të 2284 pyetjeve dhe 2000 nënpyetjeve të pyetësorit të Komisionit Europian dhe përgjigjen e merituar, bënë të mundur që Shqipëria të zbatojë me seriozitet Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, kërkesat për heqjen e vizave dhe të meritojë plotësisht që në tetor të vitit 2012 rekomandimin e përsëritur dhe në tetor te vitit 2013 të KE për statusin si dhe vendimin e sotëm të Ministrave të Jashtëm të BE. Një mirënjohe të thellë të gjithë qytetarëve për mbështetjen e tyre për reformat që sollën statusin si dhe Ministrave të Jashtëm të BE, qeverive të vendeve anëtare për mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën e integrimit dhe për vendimin e tyre të drejtë të akordimit të statusit të vendit kandidat”, shkruan Berisha në Facebook.


Gjosha: Falenderim vendeve anëtare të BE për këtë vendim
Menjëherë pas marrjes së vendimit për statusin e vendit kandidat për Shqiëprinë në BE, ministrja e Integrimit Klajda Gjosha shprehu falenderime për vlerësimin pozitiv që vendet anëtare të BE-së i dhanë Shqipërisë.

 "Po", statusi i vendit kandidat. Falenderim për vendet anëtare mbi marrjen e vendimit pozitiv për Shqipërinë”


Topi: Statusi, pergjegjesi pwr qeverine
Edhe Fryma e Re Demokratike përshendeti vendimin e Ministrave të BE.  “Urime të gjithë shqiptarëve për këtë arritje në rrugën e integrimit zyrtar në Europë. Statusi, fryt i përpjekjeve shumëvjeçare dhe përgjegjësi e madhe për qeverinë, politikën dhe institucionet e Shqipërisë”, thuhet në një njoftim zyrtar të Frymës së Re Demokratike, të uhdëhequr nga ish-presidenti Bamir Topi.
 

Braho: Statusi, ogur i mirë. Fitorja jonë!
Ora 12:20 Nga Komisioni Parlamentar i Sigurisë ku drejtonte mbledhjen, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Spartak Braho, vlerësoi marrjen e statusit të kandidatit si një “ogur të mirë”. Opozita, ashtu sikurse edhe gjatë ditës së djeshme nuk ndodhej e pranishme në mbledhje, pas vendimit politik për të bojkotuar të gjtiha zhvillimet e Kuvendit pas pezullimit të Berishës me 10 ditë nga seanca planare.
 
“Fitorja jonë. Vijojmë mbledhjen dhe pa opozitën që ka braktisur komisionin”, tha Braho.
 

Jahjaga: Krenare për suksesin tënd Shqipëri
Ora 12:15
Edhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga i është bashkuar urimeve për statusin e kandidatit. “Urime. Shumë krenare për suksesin tend”, shkruan Jahjaga në Twitter.

Thaçi: Urime Shqipëria Kosova përfiton nga afrimi i BE-së
Ora 12:10
"Urime Shqipëria, urime Edi Rama për fitoren historike dhe kandidaturën zyrtare për BE. Kosova përfiton nga afrimi i BE-së", shkruan kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi në Twitter.

Tahiri: Europa njohu luftën kundër krimit e korrupsionit 
Ora 12:00 Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, ndërsa ka uruar statusin, ka shprehur mirënjohje që Europa vlerësoi angazhimin e qeverisë në luftën kundër krimit e korrupsionit. Dikasteri që ia drejton, është vendosur në qendër të vlerësimeve të kryeministrit Rama pas supeaksionit antikanabis dhe ndërhyrjen në të gjithë territorin e fshatit të Lazaratit.

“Urime Statusi! Europa njohur vullnetin tonë shtetforumes, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Faleminderit të gjithëve!”, shkruan ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri në rrjetin social Facebook.

Rama: Krenar që ja dolëm të gjithë bashkë
Ora 11:45 I menjëhershëm ka qënë reagimi i kryeministrit Edi Rama, pas konfirmimit nga Komisioneri për Zgjerim në BE Stefan Fyle se Shqipëria mori statusin e vendit kandidat. “Sa fola me Stefan Fulen e jam krenar që ia dolëm të gjithë bashkë e sigurisht PS-LSI. Faleminderit e mirënjohje për gjithe ju” shkruan kryeministri rama në rrjetin social Twitter 

Redaksia Online
(e.s/Gre.M/a.h/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç

Zjarri në magazinën në Kurbin, rrezikohen banesa! Policia bllokon qarkullimin në aksin Milot-Laç