Statusi, Fyle letër vendeve
skeptike: Votoni pro Shqipërisë

Statusi, Fyle letër vendeve<br />skeptike: Votoni pro Shqipërisë
Komisioneri për Zgjerim Shtefan Fyle bën përpjekjen e tij të radhës duke i nisur një letër të gjatë 27 vendeve anëtare të BE-së, ku i kërkon të votojnë pro rekomandimit të Komisionit Europian, që Shqipëria në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të marrë statusin e vendit kandidat.

Në këtë letër Komisioneri për Zgjerimin i bën një skaner të hollësishëm zhvillimeve integruese, duke theksuar se në progresraportin e fundit, Shqipëria ka arritur standardet e vendosura në vitin 2012 të domosdoshme për marrjen e statusit. Shtefan Fyle u dërgon vendeve anëtare një sërë të dhënash të reja që lidhen me hapat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare e kryeministrit Rama, pas publikimit të progresraportit në tetor.

"Dëshiroj t'ju informoj për zhvillimet më të fundit në Shqipëri, posaçërisht në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, sikurse dëshiroj të ndaj me ju pikëpamjet e mia për këto zhvillime përpara mbledhjes së dhjetorit të Këshillit të Ministrave, ku do të merret vendimi për rekomandimin e Komisionit Europian. Në 12 Nëntor Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama lancoi dialogun e nivelit të lartë që lidhet me prioritet kyçe, me qëllim ndihmën e mëtejshme për ta shtuar fokusin dhe koncensusin në integrimin europian.  Ky takim ishte një eveniment për t'i bërë një inventar e rezultateve të para të arritura nga Qeveria e re dhe autoritetet dhe planeve të mëtejshme, që lidhen me reformat e kërkuara nga BE-ja. Që kur Qeveria e udhëhequr prej Kryeministrit Edi Rama mori detyrën në shtator ka patur një vendosshmëri të qartë në rritjen e Qeverisjes, zbatimit të shtetit ligjor këto të lidhura me reformat. Mes masave të para të ndërmarra në luftën ndaj korrupsionit është emërimi një koordinatori në rang kombëtar për antikorrupsionin, i cili do të përmirësojë ndërveprimin institucional për këtë çështje. Një tjetër hap lidhet me mandatin e komisionerit që pritet të konformohet nga Qeveria në ditët në vijim. Sakaq Komisioneri është përfshirë në hartimin e projektligjit për strategjinë e antikorrupsionit që pritet të përfundojë në dhjetor", shkruan Fyle.

Komisioneri Fyle në letër rendit të gjitha veprimet antikorrupsion të ndërmarra nga Prokuroria për periudhën Shtator-Tetor, ku janë hapur një mori hetimesh në sektorë delikatë, siç thekson ai, si policia, arsimi, shëndetësia, autoritetet lokale, sektori taksave dhe doganave.

Janë 13 hetime pro aktive për korrupsion, informon Fyle, ndërsa 9 raste i janë referuar Prokurorisë për hetim të aseteve në çështje korruptive të nivelit të lartë, përfshi këtu edhe atë të kryetarit të Bashkisë Vlorë Shpëtim Gjika, një zyrtar i lartë i Partisë Socialiste, e cila qeveris vendin, thekson Fyle.  

Nuk mbetet jashtë letrës së Fyles roli i Policisë së Shtetit. Komisioneri thotë se gjatë po të njëjtës periudhë, agjencitë ligjzbatuese i kanë shtuar përpjekjet e tyre përballë krimit të organizuar. Veprimet e ndërmarra gjatë dy muajve të fundit, nënvizon Fyle, kanë krijuar një panoramë pozitive. Këtë Fyle e argumenton me një sërë operacionesh të suksesshme policore, si ai në bashkëpunim me EUROPOL-in për makinat e vjedhura apo lojrat e fatit, ku u zbuluan 500 vepra kriminale, përfshi shtimin e përpjekjeve në luftën ndaj narkotikëve, ku janë arrestuar 318 të dyshuar për këtë vepër penale.

Përballë të tilla përpjekjeve të Qeverisë shqiptare, Komisioneri Fyle në letrën drejtuar vendeve anëtare të BE-së jep këtë konkluzion: "Duke patur shansin të kem bisedime me Qeverinë dhe opozitën,unë jam i bindur se Shqipëria ka ndërmarrë hapa vendimtarë në forcimin dhe funksionimin e institucioneve demokratike gjithashtu duke u angazhuar në mënyrë të gjithanshme në kryerjen e reformave.Qartësisht në dy muajt e fundit, Shqipëria ka forcuar pozitat e saj në marrjen e statusit të vendit kandidat. Duke marrë në konsideratë rekomandimin e Komisionit, Këshilli do të dërgojë një sinjal të fortë tek populli shqiptar, njëkohësisht duke shërbyer si një konsolidim në përfshirjen europiane të vendit. Kjo do të ndihmojë Qeverinë dhe opozitën në shtimin e promovimit të kulturës demokratike mbi të githa gjithëpërfshirjes duke prodhuar më shumë reforma. Shpresoj se elementët e mësipërm do të ndihmojnë për një dialog të frytshëm në ditët në vijim".

Përgjigjja përfundimtare e vendeve anëtare të BE-së për statusin e Shqipërisë pritet të merret në ministerialin e 19 dhe 20 dhjetorit në Bruksel.

Marrë nga "Top Channel"

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit