BRUKSEL - Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian janë mbledhur në orën 11:00 dhe në rend të ditës është edhe vendimi për t’i dhënë ose jo statusin e vendit kandidat Shqipërisë.

"Sot shpresoj se ne do të çojmë më tej procesin e Zgjerimit të BE-së drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor. Duke siguruar paqe dhe duke ndërtuar prosperitet”- shkruante në Twitter ministri i jashtëm i Suedisë, Carl Bild, vetëm pak para se të niste mbledhja.
 

Mbledhja pritet të zgjasë deri në mbrëmje, ndërsa janë liderët e BE-së ata që do të marrin vendimin përfundimtar në samitin e 19 dhjetorit.

Në takim do të shqyrtohet propozimi pozitiv, i bërë nga Komisioni Europian këtë tetor për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat.

Pas dy refuzimesh në 2010 dhe 2011, KE i ofroi Shqipërisë tentativën e parë vitin e kaluar, duke i ofruar statusin kandidat me kusht, çka nuk u përmbush dot nga klasa politike shqiptare.

Por zgjedhjet e verës së kaluar që plotësuan në masë të madhe standartet ndërkombëtare u vlerësuan pozitivisht nga BE, çka u vu re dhe në progres raportin e këtij viti ku vlerësohej gjithashtu progresi i arritur në disa reforma kyçe. 

“Jam i impresionuar nga mënyra se si qeveria e re po prioritizon përpjekjet e saj në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe po kështu i impresionuar nga rezultatet e arritura në muajt e fundit që kur ka marrë detyrën, çka konfirmojnë trendin pozitiv të vendosur gjatë këtij viti”- pati deklaruar komisioneri europian i Zgjerimit, Stefan Fule javën e kaluar gjatë diskutimeve në Parlamentin Europian.

Sipas tij, dhënia e statusit kandidat është një hap i rëndësishëm jo vetëm për të inkurajuar Shqipërinë të vijojë me reformat e kërkuara por edhe për besueshmërinë e Bashkimit Europian.

Por pavarësisht arritjeve dhe vlerësimeve, vendimi për statusin këtë herë ka një kundërshtar të fortë, Hollandën, e cila nuk duket të jetë e bindur që Shqipëria e meriton. Parlamenti hollandez votoi në 12 dhjetor kundër propozimit, që kish bërë qeveria për t’i dhënë Shqipërisë statusin kandidat duke i ndaluar kështu liderët e BE-së që ti japin OK-in vendit tonë në samitin e 19-20 dhjetorit në Bruksel. Vendimi i parlamentit e detyron kryeministrin e Hollandës Mark Rutte për të refuzuar propozimin e Komisionit Europian për ti dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. 

Liderët e BE-së vendosin në unanimitet sa i përket të gjitha çështjeve mbi zgjerimin e BE-së, çka do të thotë se Shqipëria mund të humbasë një tjetër shans edhe këtë vit. Nëse do të jetë kështu, vendimi kundër pritet të zemërojë edhe Parlamentin Europian. Vetëm dy ditë më parë, raportuesi për Shqipërinë në PE, Nikola Vuljaniç tha se Këshilli duhet ta bëjë Shqipërinë zyrtarisht vend kandidat për anëtarësim pa asnjë vonesë si vlerësim për progresin që ka bërë në reforma. 

Megjithatë statusi kandidat nuk do të thotë anëtarësim që sot, pasi ky vendim do të pasohet nga vite të tëra negociatash të vështira. Një prej alternativave është që Këshilli Europian ta shtyjë vendimin e tij sërish për në qershor 2014, me disa kushte më shumë. Por në atë kohë, rezultatet e zgjedhjeve europiane mund t'i bëjnë liderët europianë edhe më të frikësuar për të sfiduar euroskeptikët. Çka do të thotë se ekziston rreziku, që vendimi të mos merret dot as në pranverë.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)