TIRANE - Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta u ka bërë ditën e sotme apel dy forcave të mëdha politikë në vend që të bashkëpunojnë dhe të shfrytëzojnë vizitën e komisionerit të BE-së, Fule për marrjen e statusit të vendit kandidat përpara zgjedhjeve të 23 qershorit.

“Do të doja të vlerësoja lajmin më të fundit që ka të bëjë me vizitën e pritshme në ditët në vijim të Komisionerit për Zgjerimin, z. Stefan Fule, si një mundësi të artë për politikën shqiptare për të bashkuar të gjitha energjitë dhe përpjekjet për të kaluar këtë moment stanjacioni lidhur me marrjen e statusit të vendit kandidat dhe në radhë të parë me miratimin e dy ligjeve dhe të rregullores për procedurat parlamentare, të cilat presin prej kohësh në Kuvend për tu miratuar dhe që përbëjnë minimumin jetik në mënyrë që komisioni të bëjë përsëri përpjekjet e tij për të favorizuar dhënien e statusit të vendit kandidat nga ana e Këshillit të Bashkimit Europian për Shqipërinë. Kjo është një mundësi e cila duhet të miradministrohet nga ana e politikës shqiptare, sidomos e dy forcave kryesore parlamentare, sepse e rrit në maksimum mundësinë e marrjes së statusit përpara zgjedhjeve të 23 qershorit, gjë që është në interes të të gjithë vendit dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë. LSI, me këtë rast, përforcon apelin e saj për dialog, për fleksibilitet dhe për ndërtimin e atyre urave bashkëpunuese që bëjnë të mundur që këto tre akte të miratohen dhe që statusi i vendit kandidat të mund të sigurohet përpara zgjedhjeve të 23 qershori”, u shpreh Meta.

Komisioneri europian për Zgjerimin Stefan Fule pritet të vizitojë Tiranën në fillim të javës së ardhshme, në një përpjekje të fundit për të mundësuar një rrugëzgjidhje për miratimin në Parlament të tre reformave të përcaktuara nga Brukseli si kusht që vendi të marrë statusin e vendit kandidat, raporton sot në mëngjes Zëri i Amerikës.

RESPEKTOJME MARREVESHJEN ME PD, KOALICIONI I ARDHSHEM NE KOHEN E DUHUR
I pyetur për koalicionet, Meta u shpreh se LSI respekton marrëveshjen aktuale me Partinë Demokratike dhe për koalicionet e ardhshme do të prononcohet në kohën e duhur.

“Lëvizja Socialiste për Integrim, duke respektuar marrëveshjen aktuale me Partinë Demokratike, e ka bërë të qartë se për koalicionet e ardhshme elektorale do të prononcohet në kohën e duhur Konventa Kombëtare e LSI-së si organi më i lartë dhe suprem i saj. Ndërkohë që kam theksuar edhe më parë se ne do të punojmë për të ndihmuar në moderimin dhe rritjen e konstruktivitetit në të gjithë jetën politike dhe njëkohësisht edhe për ç’tensionimin maksimal edhe të situatës paraelektorale dhe elektorale. Kjo është në interes të vendit dhe të realizimit të zgjedhjeve me standardet më të larta në 23 qershor”, tha Meta.

Pyetjes në lidhje me nismën e Kryeministrit për heqjen e taksës për pagat deri në 30 mijë lekë Meta u shpreh se gëzon mbështetjen e LSI-së.

“Iniciativa më e fundit për përjashtimin nga tatimi për pagat deri në 30 mijë lekë të rinj gëzon të gjithë mbështetjen tonë dhe është edhe një pjesë e rëndësishme e premtimeve dhe e programit tonë elektoral. Dhe është një mënyrë shumë efikase për të mbështetur dhe për të ndihmuar një shtresë shumë të gjerë të shoqërisë sonë me të ardhura të pakta, në një situatë të vështirë sidomos përsa i takon industrisë fasone”, theksoi Meta.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)