SHBA - Presidenti Bujar Nishani ka deklaruar se Shqipëria pret në javët e ardhshme “dhënien e një vendimi të favorshëm nga Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian ndaj kërkesës për të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian”.

Në fjalën e tij në debatin e përgjithshëm të sesionit të 67-të të Asamblesë së përgjithshme të kombeve të Bashkuara Nishani theksoi se “një vendim i bazuar në meritat tona, do të shënonte një tjetër gur kilometrik në rrugëtimin integrues evropian të Shqipërisë, duke i vendosur angazhimet dhe përgjegjësitë tona në një fazë më të lartë të procesit.”

Në këtë kuadër presidenti Nishani deklaroi se vendi ynë mbetet i përkushtuar ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar dhe është e vendosur për të ofruar kontributin e saj në përparimin e paqes, lirisë dhe sigurisë, në respektin e të drejtave të njeriut, në luftën kundër varfërisë.
Presidenti Nishani njësoj si kryeministri Berisha e sheh ecurinë ekonomike në vend me nota mjaft pozitive.

“Shqipëria ka pasur një rritje të fuqishme e pozitive ekonomike, pavarësisht ndikimit të krizës globale ekonomike dhe financiare. Ndjekja dhe zbatimi i politikave të matura makro-ekonomike dhe reformat e mirëstrukturuara, përqendrimi tek privatizimet, drejtësia fiskale, liberalizimi i tregtisë, klima e sipërmarrjes, sektorët e energjisë dhe financiarë – të gjitha këto kanë bërë të mundur që ekonomia e Shqipërisë të jetë më elastikja ndër ekonomitë e Evropës Juglindore”- nënvizoi Nishani.

Në fjalimin e tij të gjatë Nishani u ndal edhe te cështja e Kosovës. Ai deklaroi se Serbia atë që dështoi ta arrinte me luftë nuk mund të arrijë dot me propagandë.

Një tjetër temë e prekur prej tij ka qënë procesi I paqes në lindjen e mesme.
“Shqipëria mbështet plotësisht procesin e paqes mes Palestinës dhe Izraelit. Shqipëria rithekson pozicionin e saj në mbështetje të zgjidhjes me dy shtete: Shtetit të sigurtë të Izraelit dhe një Shteti të porsalindur të Palestinës, që do të ekzistojnë krah për krah me njëri-tjetrin në përputhje me rezolutat dhe Kombeve të Bashkuara dhe Planit të Veprimit.

Nishani nuk la pa përmendur atë që njihet si vlerë e shoqërisë shqiptare në mbarë botën, tolerancën fetare. “Megjithëse ndihemi keq e të hidhëruar nga një video pa vlerë, që shënjestron qëllimshëm atë të cilën myslimanët anembanë e konsiderojnë si të shenjtë, shoqëria shqiptare me myslimanë e të krishterë, shpreh indinjatën e saj duke e injoruar gjithë këtë gjë pa kuptim.

(jd/Gre.M/Shqiptarja.com)