Kryetari “lexhendar” të pret në hyrje të sheshit në kryeqytet, me atë qëndrimin pothuajse të ftohtë. Kryetari aktual në këto ditë me diell, të pret me fontana dhe me sheshin më në fund të përfunduar, një tjetër kryetar të vështron nga muri mbi kafenenë ku je ulur, një tjetër përballë, e një i fundit pak metra më larg.

Flamuri i kaltër dhe flamuri me hënë sikur thoshin më shumë se posterët dhe parullat pafund. Pa art e me pak komedi, ciklet parazgjedhore flasin shumë e punojnë shumë mu si buburrecët që nuk ndalen kurrë.

Ajo çfarë thonë, ajo që bëjnë dhe ajo që ne mund të mësojmë për një të ardhme tjetër. Një fushatë që do të mund ta dridhte tokën si fushata “legjendare” amerikane "Wake F @ * k Up!" me aktorë e artistë po ashtu legjendarë.

Prishtina mund të mos jetë qyteti i legjendave, por Prishtina është qyteti që të gjithë e duan ndonjëherë ose përgjithmonë. Në ditët e bukura me diell, me sheshin e mbaruar, me rrugët e shtruara këto ditë, di të jetë gati-gati e mahnitshme, pse jo edhe “legjendare”, përtej komikes e talljes, por e gjithë kjo është vetëm një mashtrim optik.

Është i tillë, sepse Prishtina nuk është krejt rruga ose sheshi “Nënë Tereza” e as plateja para “Grandit”, apo një tjetër përballë Kuvendit, apo Qeverisë. Prishtina është edhe përtej, në qindra rrugica që kanë mbetur nën hije e pa diell, në qindra lagje që kanë mbetur me kalldrëm e me ujëra të zeza, ose me puse të ujërave të bardha. Prishtina është përtej asaj që të shohin sytë në sheshin e porsapërfunduar, por kjo është një storje që kërkon një analizë shumë më të thellë se sa kaq.

Por sheshi i mbushur me njerëz, kur ditët akoma janë me diell, të bën të kujtosh për pak, se ky popull… boll me faqe të zezë, po fiton diçka sa herë që zgjedhjet vijnë! Prandaj dhe luten që zgjedhjet të bëhen të përvitshme. Mbase atëherë do të kishim shumë më shumë dëshmi të ndryshimeve qofshin edhe të pjesshme të këtij shteti e kryeqyteti.

Ndër premtimet që janë njëmijë, nga të gjithë kandidatët që i janë sulur edhe kryeqytetit, për çudinë e mëkatarëve të tij, kultura dhe arti jo rrallë kanë qenë në maje të listës së premtimeve. Teatro në çdo lagje e qendra kulture kudo, aq sa secilës shtëpi do të mundë t’i mbinte në derë të oborrit një e tillë. Hapësira për artistë dhe fshatra artistike madje, janë premtuar edhe nga ata që nuk e njohin as teorinë e kulturës, ndërsa përmbajtjen e saj, e kanë vjellë përnatë me raki.

Por arti është një “çekiç” që do të mundë ose ta çonte në qiell këtë fushatë ose ta copëtonte në grimca. Keq që nuk po përdoret as për njërën, as për tjetrën.

Ndërtesat e reja kanë pritur këtë tetor zgjedhjesh që t’ia fusin një palë gërshërë shiritave të kuq. Me kaq shumë ngjyrë kanë qenë edhe premtimet për kulturë. Bëhet shumë “legjendare” kur komunat që linjën buxhetore për kulturë e kanë zero, premtojnë treqindfishin e saj. Mendjet normale mund ta kuptojnë këtë si treqind herë nga zero investim në këtë fushë. Një grevë për kulturën, apo për rilindjen e saj? Arti thonë, është një çekiç. Mund të godasë aty ku s’e pret.

Është pak ironike për ata që kujtimet mund t’i kenë më të gjata në këto premtime. Për katërmbëdhjetë vjet gjërat kanë ndryshuar shumë, por kjo nuk do të thotë se ne e kemi kapur parajsën, sepse në këtë vend e gjithandej tij, që nga dita e parë e lirisë, jeta ka filluar pothuajse nga hiçi dhe hija e tij.

Kam dëgjuar ta kenë cituar zonjën, dikur shumë të madhe për lirinë e Kosovës, Madeleine Albright, të ketë thënë se premtimet nuk i mbajnë vetëm ata që i humbin zgjedhjet. Por si i bëhet atyre që i fitojnë dhe që i kanë bërë, premtime njëmijë, dhe nuk ka zot t’i përmbushë ato sepse janë “gënjeshtra me tapi”?

Ka më shumë se dy muaj që Kosova ka hyrë në stinën e “rrenave”, dhe po thonë se ajo nuk përfundon deri për Vit të Ri. Stina e radhës, thonë është në pranverë, ku si sot, si atëherë, probabiliteti i përmbushjes së premtimeve të këtyre stinëve, është Një me Njëmijë!

Marrë nga "Zëri"