Më shumë borxhlinj por edhe më tepër kursimtarë. Shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se 2026-ta po shoqërohet me rritje të vrullshme të kredisë që po japin bankat por edhe me zgjerim të depozitave.
Muaji i kaluar ka vendosur një rekord të ri për të dyja këto kategori. Për herë të parë stoku total i kredisë për ekonominë arriti në 1 trilion e 710 milionë lekë në korrik ose rreth 10.8 miliardë euro, nga 943.7 miliardë lekë në dhjetor të vitit të kaluar. Ky është total i kredisë së dhënë nga bankat për biznese, korporata publike dhe individë.
Ndërsa vlera e kredisë së re të dhënë gjatë këtij viti sipas Bankës së Shqipërisë arriti në 261.1 miliardë lekë, nga 231.8 miliardë lekë që ishte vlera në 7 mujor në vitin e kaluar, duke u rritur me 12.6%.
Të gjithë sektorët e ekonomisë sipas të dhënave po marrin më shumë kredi gjatë këtij viti kryesisht në monedhën vendase, ndërsa qytetarët vijojnë të shtojnë huatë për blerje banese. Në 7 muaj qytetarët kanë marrë 41.9 miliardë lekë kredi për të blerë shtëpi nga 40,8 miliardë lekë që morën vjet në të njëjtën periudhë.
Ndërsa totali i kursimeve arriti në 1 trilionë e 563 miliardë lekë (16.9 miliardë euro) në fund të korrikut, nga 1 trilionë 406 miliardë lekë në korrik të 2025-ës. Praktikisht depozitat sipas të dhënave të bankës qendrore janë zgjeruar me rreth 11%.
Një tjetër prirje që vihet re është zhvendosja e kursimeve drejt lekut. Për shkak të zhvlerësimit të valutave, vitet e fundit shqiptarët kanë preferuar t’i mbajnë kursimet në monedhën vendase, duke bërë që depozitat në lekë dhe ato në valutë të jenë tashmë pothuajse në të njëjtin nivel.
Dobësimi i euros dhe dollarit ka ndikuar negativisht tek qytetarët që kanë zgjedhur të kursejnë në valutë. Në rast se këto kursime konvertohen në lekë, vlera e tyre rezulton më e ulët për shkak të kursit më të pafavorshëm të këmbimit.










Komente
Komento